Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili shfuqizoi pagat e referencës për profesionet e lira, nuk do të ketë fuqi prapavepruese. Kjo nënkupton se të gjithë ata profesionistë të lirë që i janë “bindur” vendimit të Ministrisë së Financave në janar të këtij viti dhe i kanë paguar kontributet shoqërore në bazë të pagave referencë, nuk do t’iu mund t’u rishikohen këto derdhje. (Intervali i pagave referencë për llogari të pagimit të sigurimeve shtrihej nga 41,250 lekë deri 73,800 lekë në muaj sipas kategorizimit të bashkive. Në bazë të këtyre shumave, profesionet e lira:si avokatë, përmbarues, inxhinierë, veterinerë, farmacistë, dentistë etj., do të paguajnë detyrimet mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore).
Juristët argumentojnë për “Monitor” se : “Neni 132 i Kushtetutës parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi në ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare dhe se Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë që vendimi i saj, me të cilin ka shqyrtuar aktin, të fillojë efektet në një datë tjetër. Për sa kohë Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj u shpreh se vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Fletore Zyrtare, si rrjedhojë prezumohet se si do të ketë efekte vetëm mbas publikimit të tij. Përkatësisht bëhej fjalë për Fletoren Zyrtare nr. 176 të botuar në datë 20.09.2016. Pra, nuk do të ketë efekte prapavepruese në mungesë të përcaktimit konkret si kërkohet në nenin 132 të Kushtetutës”.
Gjykata Kushtetuese e argumentoi vendimin e saj, duke gjykuar se është shkelur parimi i barazisë. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane “Parimi i barazisë nuk lejon që të njëjtat t’i trajtosh ndryshe dhe të ndryshmet në thelb t’i trajtosh njësoj”.
Gjykata, referuar edhe aktit të ekspertimit, konstatoi se: “Kriteret që vendosin dispozitat e mësipërme në llogaritjen dhe diferencimin e kontributeve nuk bazohen në një analizë teknike apo në eksperienca botërore të provuara më parë. Ato krijojnë elemente të reja pabarazie, barrë shtesë administrative për administratën shtetërore dhe tatimpaguesit, vështirësi teknike dhe pasiguri juridike me shumë elemente subjektiviteti.
Ligji nuk mbështetet në kritere të studiuara shkencore dhe nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të njohura përgjithësisht. Kriteret e vendosura janë komplekse dhe jo të përcaktuara mirë, fakte që çojnë në zbatim jo eficient të sistemit. Vlerësimet e bëra nuk janë të mbështetura në një linjë logjike, bazuar në nivelin e të ardhurave dhe fitimeve…Është e pamundur llogaritja e saktë e peshës së çdo kriteri në përcaktimin e pagës referuese”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.