Vetëm 25 % e buxhetit të planifikuar për investime kapitale në Kosovë janë realizuar. Mësohet se nga 544 milionë e 58 mijë euro, në gjashtë mujorin e parë janë realizuar vetëm 136 milionë e 66 mijë euro investime.
E krahasuar me gjashtë mujorin e parë të vitit 2013, ku u patën investuar 194 milionë e 78 mijë euro, i bie që në këtë vit janë realizuar 30 për qind më pak.
Për rënie të këtyre investimeve, vlerësohet se ka ndikuar ngritja e pagave prej 25 për qind dhe gjithashtu, mungesa e një strategjie paraprake zhvillimore nga ana e Qeverisë.
Edhe më shqetësuese për njohësit e çështjeve ekonomike, është realizimi i investimeve në 6 mujorin e dytë, ku thuhet se do ketë rënie edhe më të madhe.
Për Berat Thaçin, ekspert i ekonomisë nga instituti GAP, është mjaft shqetësuese por edhe e pritshme realizimi i pakët e investimeve kapitale, pasi që Qeveria, me miratimin buxhetit ka vendosur t`i ulë investimet kapitale prej rreth 100 milionë euro për shkak të vendimit tjetër për rritjen e pagave. Ai thotë se investimet kapitale janë premtim për rritje ekonomike, e që një gjë të tillë nuk e premton rritja e pagave.
E Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, tha për KosovaPress, se në një vend ku nuk ka investime kapitale e private, kjo nënkupton se në atë vend do të ketë krizë ekonomike.
Sipas tij, në Kosovë, kaosi ekonomik ka kohë që është prezent, përderisa investime shtetërore ka më pak, punësime më pak e edhe investime nga diaspora dhe investitorët e huaj ka dukshëm më pak.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.