Historia ka treguar se të ardhurat buxhetore kanë shënuar rënie sa herë ka pasur vite zgjedhore. Tipike janë vitet 2009, kur rritja e të ardhurave u ngadalësua ndjeshëm dhe 2013-a kur ato ranë për herë të parë në vlerë nominale. A do të përsëritet edhe këtë vit historia?!
Janari nuk jep optimizëm. Të ardhurat në buxhet nga tatimi mbi vlerën e shtuar, një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi dhe tendencës së konsumit, kanë shënuar rënie në janar të këtij viti.
Sipas statistikave fiskale të janarit, të publikuara nga Ministria e Financave, TVSH solli në buxhet 10.1 miliardë lekë, me një rënie prej 135 milionë lekë, ose 0.5% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rënia ka ardhur tërësisht nga TVSH që mblidhet në tregun e brendshëm, të ardhurat nga e cila ishin 264 milionë lekë, ose 4.4% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke zbritur në 5.77 miliardë lekë. Në të kundërt, TVSH në dogana (nga mallrat e importit) u rrit me gati 8%.
Në total, të ardhurat tatimore në janar ishin 30.9 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8% në raport me muajin e parë të vitit të kaluar. Zëri që ka “shpëtuar” tatimet e doganat është ai i taksave nacionale dhe të tjera, që është zgjeruar me 28%, apo 858 milionë lekë (si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të karburanteve e të tjera në tregjet ndërkombëtare), duke neutralizuar rënien e të ardhurave nga TVSH, dhe sidomos nga tatimi mbi të ardhurat personale (këto të fundit ranë me 160 milionë lekë, apo gati 5%). Edhe tatim fitimi, që vitin e kaluar kishte një rritje të ndjeshme dy shifrore, në janar kishte një zgjerim minimal prej 4%.
Të ardhurat në total në buxhet për janarin u rritën minimalisht me vetëm 0.2%, si rrjedhojë e performancës së dobët të të ardhurave jo tatimore, teksa institucionet buxhetore derdhën gati 700 milionë lekë në buxhet. Të ardhurat nga fondet speciale (kryesisht sigurime shoqërore e shëndetësore) u rritën dhe ato minimalisht me 2.8%.
Edhe kredia në ngërç, bizneset frenojnë investimet
Përpjekjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për të nxitur huadhënien në ekonomi, përmes bërjes më të lirë të kostos së parasë nuk kanë arritur të japin efekt.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se stoku i huasë për ekonominë, në fund të dhjetorit ishte 546.7 miliardë lekë, nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Negativisht këtu ka ndikuar dhe fshirja e huave, një proces që intensifikohet gjithnjë në muajt e fundit të vitit. Rënia më e madhe e stokut ishte në dhjetor me 5.6 miliardë lekë.
Janari ka vijuar me tkurrje, teksa stoku ka zbritur në 545 miliardë lekë.
Reduktimi i huasë rezulton të ketë ardhur tërësisht nga valuta, e cila është kryesisht në euro. Sipas statistikave, stoku i kredisë në valutë në janar 2017 ra me 6.3% në 286 miliardë lekë.
Në të kundër huaja në lekë është gjallëruar si rrjedhojë e dy faktorëve. Interesat e huave në lekë kanë qenë më të favorshme, pasi ato kanë zbritur në 8-9% dhe nga ana tjetër, vetë bankat kanë orientuar kredinë në monedhën vendase, për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit.
Kredia në lekë është rritur me gati 9% me bazë vjetore në janar, për të arritur në 258.7 miliardë lekë.
Pesha e huasë në valutë ka rënë ndjeshëm, në 52.5% të totalit në janar 2017, nga 56.2% në të njëjtën periudhë dhe shumë larg prej 70% që ajo zinte në vitet e arta 2008-2010, kur huaja për ekonominë rritjet me ritme dyshifrore, dhe ka pasur vite kur i kalonte dhe 50 zgjerim.
Rritja e vazhdueshme e kredive me probleme, që i bëri bankat më të kujdesshme, ngadalësimi i ekonomisë, maturimi i shumë sektorëve janë disa nga arsyet kryesore të ngërçit të kreditimit vitet e fundit. Në 2015, rritja vjetore e kredisë ishte negative prej -2.4%.
Bankierët pohojnë se një tjetër faktor është dhe klima e rënduar politike në vend, që ka stepur bizneset, të cilët hezitojnë të marrin kredi për të investuar. Nga ana tjetër, edhe vetë bankat janë në pritje të zhvillimeve politike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.