Ministria e Pronës Shtetërore të Kroacisë tha për BIRN se synon të përmbushë objektivin e fitimit prej rreth 128 milionë eurosh për buxhetin e shtetit, duke shitur pronat shtetërore dhe stoqet në kompanitë jostrategjike.
Megjithatë, referuar një raporti të publikuar më parë gjatë këtij viti, Ministria deklaroi se kishte mbledhur vetëm 5.5 milionë euro nga 116.4 milionë të planifikuara nga shitjet e stoqeve në ato kompani, plus 5.4 milionë nga një parashikim prej 12.3 milionë eurosh që pritej të grumbullohej nga shitjet e pasurive të paluajtshme.
“Kohëzgjatja për arritjen e këtij objektivi është deri në fund të këtij viti dhe ne do ta arrijmë me patjetër atë”, u shpreh zyra e shtypit të Ministrisë në një deklaratë për shtyp.
Megjithatë, Ministria nuk pranoi ta specifikojë dinamikën e mundshme të shitjeve të ardhshme, duke thënë se parashikimet “shkaktojnë aktivitete dhe dëmtime spekulative, duke ndikuar në çmimin e tregut (të pronës në ofertë)”.
Ne do të përshpejtojmë aktivizimin dhe shitjen e aseteve duke angazhuar staf të ri, që do ta zgjedhim nëpërmjet ofertave të vazhdueshme.
Ajo përfundoi se ligji mbi menaxhimin e pronës shtetërore do të lehtësonte tenderët, ndërsa veprimi efikas i ministrisë do të rritet me ndryshimet në dekretin mbi menaxhimin e pronës shtetërore, si dhe me vendimin për shitjen e apartamenteve shtetërore.
Megjithatë, analisti ekonomik, Damir Novotny, tha se dyshonte se Ministria do të arrinte të përmbushte planin, duke fajësuar për këtë dështim të mundshëm “vlerësimet e gabuara të bëra nga ministria dhe një falsitet politik që kjo pronë mund të gjenerojë kaq shumë para”.
“Pasuritë e patundshme në pronësi të shtetit zakonisht janë të vështira për t’u shitur, për shkak të çështjeve të pazgjidhura të pronësisë”. Për sa u përket shitjeve të stoqeve në kompani, ne po flasim për aksionet e pakicës, për të cilat blerësit e rëndësishëm nuk po tregojnë interes, tha më tej analisti për BIRN.
Ai shtoi se rezultatet më të mira do të ishin në atë rast kur shteti do të shiste stoqet në kompanitë në të cilat ka pjesën më të madhe, t’u jepte investitorëve potencialë të drejtat e menaxhimit.
Këta investitorë strategjikë financiarë janë të interesuar në kompanitë, aksionet e të cilave janë të listuara në tregun e aksioneve, siç është prodhuesi i madh ushqimor, Podravka, ku 25% e aksioneve janë në pronësi të shtetit.
Z. Novotny tha se shteti duhet të heqë dorë nga pronësia e autostradave, kompanitë menaxhuese të të cilave janë të zhytura në borxhe të mëdha. Kjo strategji do të sillte në buxhetin e shtetit rreth 5 miliardë euro.
Shteti kroat po shet stoqe në industri të ndryshme, që nga hotelet në bregdetin e Adriatikut e deri në kompani shumë më të vogla.
Me një portofol të gjerë pronash dhe stoqeve në kompani të ndryshme, dy qeveritë e fundit të Kroacisë, të udhëhequra nga Bashkimi Demokratik Kroat, deklaruan se një ndër objektivat kryesore ishte realizimi i mbushjes së buxhetit, duke shitur pjesën më të madhe të këtyre pronave. Qeveria e tanishme ka formuar një Ministri të Pronave Shtetërore, duke i dhënë asaj një vend të rëndësishëm në kabinet.