Intervista mbetet padyshim pjesa më e rëndësishme e procesit të kërkimit të një pune. Kemi folur për përgatitjet e ndryshme që ju nevojiten përpara saj, por çfarë ndodh në qoftë se haseni me një intervistues, i cili nuk është aspak “në anën tuaj”, përkundrazi është negativ dhe armiqësor gjatë gjithë intervistës? Ja disa këshilla për të kuptuar se kur është momenti për të qëndruar apo për t’u larguar.
Qëndroni i qetë
Ekspertët këshillojnë se është mirë të merrni një moment përpara se të përgjigjeni, duke përdorur një ton të qetë. Rrjedhimisht personi përballë jush do të ndalojë së qeni “sulmues” përderisa ju nuk do t’i hidhni benzinë zjarrit të tij. Mendoni përpara se të flisni; Mos lejoni që toni i ashpër i intervistuesit t’ju bëjë të thoni gjëra për të cilat mund të pendoheni më pas. Merreni situatën me qetësi dhe gjakftohtësi.
Ruani besimin
Sa më shumë të besoni te vetja në këto momente, aq më të lehtë do ta keni të përballoni situatën, sado dashakeqe të jetë ajo. Kjo ju jep hapësirën për të pyetur intervistuesin në qoftë se ka diçka që nuk shkon, apo në qoftë se, është një moment i papërshtatshëm. Zakonisht ajo që fshihet pas një armiqësie në raste të tilla, mund të lidhet me diçka krejtësisht personale – mund të jetë i hutuar, i mërzitur, shumë i lodhur apo mund të ketë shumë punë për të përfunduar në një afat të shkurtër. Këtu përfshihen edhe probleme personale dhe familjare të intervistuesit, i cili është në njëfarë forme “i detyruar” për të qenë me ju dhe për të zhvilluar atë intervistë.
Përpiquni të njihni intervistuesin
Në qoftë se shihni se situata me intervistuesin nuk është shumë paqësore, atëherë përpiquni të bëni disa pyetje të cilat ju bëjnë ta njihni më mirë. Bëni pyetje të drejtpërdrejta: “Sa kohë keni që punoni për këtë kompani? Cili ishte pozicioni juaj kur e nisët?”. Në qoftë se e bëni të fillojë të flasë për veten, dijeni se keni fituar gjysmën e lojës.
Ndaloni dhe sqaroni çështjen
Gjëja më e mirë që mund të bëhet kur përballeni me një intervistues armiqësor është të ndaloni dhe të pyesni, në qoftë se keni thënë apo bërë diçka, e cila e ka acaruar apo mërzitur. Në të tilla raste, njerëzit janë të prirur të mos e kuptojnë mënyrën me të cilën janë duke e “trajtuar” personin përballë tyre, kështu veprimi më i mirë që mund të bëhet është të ndaloni dhe të ngrini qetësisht çështjen. Kjo do t’i bëjë ata të kuptojnë mënyrën sesi po komunikojnë dhe rrjedhimisht të përmirësohen.
Kujtohuni
Ky mund të jetë vetëm një test. Ata thjesht mund të jenë duke ju testuar. Duan të dinë sesi e përballoni një person armiqësor i cili vetëm sulmon dhe si ia dilni në rrethana të veçanta dhe me stres. Duan të shohin në qoftë se do të ruani qetësinë dhe përqendrimin apo e anasjella. Sa do të ndikojë reagimi juaj në vendimmarrje brenda kompanisë? Shpesh këto situata ndikojnë drejtpërdrejt me punën. Intervistuesit e njohin shumë mirë këtë fakt, ndaj ndoshta ajo që janë duke bërë është thjesht që po ju vënë brenda një “personazhi”.
Menaxhoni pyetjet
Ekspertët sugjerojnë teknikën e “pasimit” të pyetjes; duke ia kthyer përgjigjen intervistuesit. Për shembull, në qoftë se ju thuhet “Ne kemi nevojë për një kandidat të jashtëzakonshëm për këtë pozicion dhe të them të drejtën, nga sa kam dëgjuar deri më tani, nuk ka asgjë kaq të jashtëzakonshme te ju”. Një përgjigje e mundshme mund të ishte “Mund të më thoni se çfarë ka kaq të jashtëzakonshme ky pozicion pune për të cilin kërkohen cilësi po kaq të jashtëzakonshme?”.
Përballojeni
Në qoftë se hasni një intervistues të pasjellshëm, ka shumë gjasa që ky i fundit të ketë bërë të njëjtën gjë edhe me kandidatë të tjerë të mirë. Qëllimi juaj i vetëm në këtë rast është të kuptoni gjendjen dhe të përpiqeni të zhvendosni intervistën në fazën tjetër. Në fazën e “normalitetit”.
Largohuni
Ekspertët e burimeve njerëzore këshillojnë se, në qoftë se një intervistues është aq armiqësor sa të krijojë frikë apo edhe mundësi për kanosje fizike, është mirë që kandidati të largohet me mirësjellje nga zyra ku po zhvillohet “intervista” dhe të kërkojë të flasë me shefin apo administratorin e kompanisë (informacion që mund ta merrni nga sekretaria apo recepsioni). Në qoftë se, për momentin, nuk ndodhet askush me të cilin mund të flisni, atëherë mund të largoheni për t’u rikthyer në një moment kur mund të flisni me dikë. Në qoftë se, shihni se teknikat armiqësore janë norma të kësaj kompanie, atëherë ky nuk duket të jetë vendi më i përshtatshëm për t’u punësuar.
Mbylleni intervistën “fuqishëm”
Ekspertët këshillojnë “një mbyllje të fortë”. Një mbyllje e mundshme mund të ishte “Personalisht jam shumë i/e interesuar për këtë pozicion pune dhe ju falënderoj sinqerisht për kohën e kushtuar. Në qoftë se përzgjidhem për fazën tjetër të intervistës, a mund të kem mundësinë për t’u intervistuar edhe nga menaxherë të tjerë burimesh njerëzore? Kjo tregon se jeni në gjendje të kuptoni situatën e tensionuar, madje armiqësore, dhe dëshirën për të mos u ndalur me aq nga ana e intervistuesit. Në kohë të vështira, mbijeton ai që është më i fortë, kështu që mos lejoni që sjellja e keqe e dikujt t’ju bëjë të humbisni lojën.