Kuvendi i Shqipërisë po shqyrton në seancë plenare buxhetin faktik të vitit 2012, ku nuk kanë munguar debatet mes ministrit actual Shkëlqim Cani dhe ish ministrit, që kartoi dhe zbatoi buxhetin e 2012-s, Ridvan Bode.
Cani ka akuzuar Boden dhe ish-kryeministrin Sali Berisha se kanë boshatisur buxhetin përmes shpenzimeve pa kriter.
“Buxheti 2012 mbolli farën e së keqes, që ne po vuajmë këtë situatë të vështirë ekonomike. Parashikimet për buxhetin e vitit 2012 kanë qenë jorealiste. Ish-ministri ka falsifikuar të ardhurat, ka shkelur ligjin. Borxhi arriti mbi 60 % që në vitin 2012. Është përdorur në mënyrë abuzive administrata” theksoi Cani.
“Ajo që mund të them është se FMN ka mbetur e çuditur nga ky borxh dhe është naive të mendosh se është qeveria aktuale që e ka rritur”, tha kreu i Financave.
Ai ka theksuar se gjatë gjithë mandatit qeveria nuk realizonte te ardhurat. “A e dinte cifti 2 B për borxhin e akumuluar ndaj biznesit, por nuk donin ti besonin opozitës se atëhershme, por as KLSH”, tha Cani.
“Vetëm në 20 ditë shmangia nga taksat ishte 4 miliardë lekë. Në të gjithë mandatin e shkuar qeveria nuk realizonte të ardhurat me 300 milionë dollarë në vit. Ne do të dëgjojmë që buxheti duhet të jetë optimist. Kjo është e vërtetë po kjo nuk do të thotë që buxheti të jetë demagog. Rritjen ekonomike ta përcaktonte ish-kryeministri në garë me Merkelin. “Çifti dy B”, nuk donte ti besonte opozitës së atëhershme dhe KLSH-së edhe pse ishte e shkruar”, tha Cani.
Cani tha se financat e të djathtës kanë lënë një borxh katastrofik. “2012 është një vit i dështuar për administrimin e buxhetit. Po ta krahasonim me buxhetin fillestar është i gjithi i ndryshuar. Çifti “dy B”, e kishte mendjen që të nënshkruante kontrata me qëllim retushimin e opionit. Për vite me rradhë propagandoheshin arritje të mëdha. Një nga gabimet e vitit 2012 ka të bëjë me parashikimet demagogjike, jo realiste dhe të ekzagjeruara dhe opozita e atëhershme jepte zgjidhje që nuk u morën parasysh. Detyrime e papaguara e kanë çuar ekonominë në ngërç”, tha ministry i financave.
“Një tjetër borxh, prej më së paku, më së paku 700 milionë dollarësh nuk është raportuar pasi janë ndryshuar shifrat. Edhe për vitin 2013 buxheti është manovruar për të fshehur borxhin real nga qeveria”.
“Manipulimi me shifrat ka bërë që tani të ndodhen pas hekurave dhjetëra punonjës të administratës tatimore. Gjatë vitit 2013, janë bërë 29 ndryshime të vendimeve të këshillit të ministrave, udhëzimeve duke krijuar një situatë të rëndë në administratën tatimore.
Reagimi i Bodes
Sipas ish ministrit të financave, Ridvan Bode, borxhi i Shqipërisë në 2012 është më i ulëti historik. “Nëse kam bërë paligjshmëri ja ku më keni prorkuroria e gjykatat janë të hapura,” tha ai.
“E nisët punën me baltosje. Jini të tmerruar nga pamundësia e paaftësia juaj për të menaxhuar ekonominë në një periudhë tepër të vështirë. Vitin 2012 ju duhet ta lexoni me kujdes. Vërtet është që viti me rritje më të ulët ekonomike, por ke filluar dhe bën të njëjtin huç që ke bërë 10 vjet më parë. Je marrë me rrënim, spiunim dhe falsifikim të parardhësve të tu”
“Vitin 2012 duhet ta lexoni me kujdes sepse është vërtet viti me rritjen më të ulët, por është viti kur vendet e rajonit dhe botës u zhytën në krizë. Në përsëri patëm rritjen 1.6 %,” tha ish ministry i financave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.