Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2016 u dominua në masën 78.12% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 21.88% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Përsa i përket numrit të transaksioneve, 93.14% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2016 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 58.32% dhe 26.74% kundrejt volumit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 99.42% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.
Dy grupet e transaksioneve B dhe C
Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-shtator 2016, ka pasur një ulje prej 775 milionë lekë ose 14.33% krahasuar me periudhën janar-shtator 2015 dhe numri i transaksioneve është rritur në masën 10.31%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-shtator 2016 ka pasur një rritje prej 930 milionë lekë ose 48.07% krahasuar me periudhën janar-shtator 2015 dhe numri i transaksioneve është rritur në masën 41.44%.
Krahasuar me periudhën janar-shtator 2015, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 155 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.