Ligji për TVSH-në ka filluar të prezantohet te shoqatat e biznesit, që duket se do t’u duhet pak kohë për të kuptuar ndryshimet. Por, kërkesat e para nuk kanë munguar pak ditë pas prezantimit të ligjit. Kërkohet heqje e TVSH-së për kolateralet bankare, e fermat e vogla të mos pajisen me NIPT.
Vitin e ardhshëm, një pjesë e mirë e sipërmarrjeve duhet të përgatiten për të operuar në kushte të ndryshme nga ato aktuale. Duhet të paguajnë 20% më shumë se çmimi aktualisht i produktit apo shërbimit që tregtojnë, ose në po këtë nivel do të ulet kostoja e disa produkteve të tjera.
Ligji i Tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) është riparë në mënyrë rrënjësore. Dhe puna e bërë tashmë nga ekspertët e tatim-taksave po vë në lëvizje sipërmarrjet. Projektligji ka mbërritur në tryezat e shoqatave të biznesit dhe ndonëse po vazhdojnë të njihen me ndryshimet që do të hasin tetë muaj më vonë, kanë filluar reagimet e para e madje edhe kërkesat e para.
Reagimet në vijim janë vetëm pjesa fillestare e një debati që është hapur e pritet të “nxehet” javët e ardhshme, kur shumë prej shoqatave të biznesit të parashtrojnë kërkesat për ndryshime në ligj.
Heqja e TVSH-së për sigurimet, çfarë ka pas…
Ndryshimet më të mëdha të ligjit vijnë në tregun e sigurimeve, në tregun bujqësor dhe atë të medias elektronike e të shkruar.
Për të parët parashikohet të hiqet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, dhe reagimi pritet të jetë i mirë nga ana e biznesit të këtij sektori. Dritan Çelaj, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Atlantik”, thotë se heqja e TVSH-së do të rrisë tregun dhe njëkohësisht do të kompensojë efektet financiare në buxhetin e shtetit. Sipas tij, TVSH në sigurime është një taksë e padrejtë, sepse marrja në sigurim nuk krijon vlerë të shtuar por është vetëm fillim i një përgjegjësie. Presidenti i kompanisë “Eurosig”, Kadri Morina, thotë se, propozimi për të hequr TVSH-në, korrigjon një padrejtësi, pasi sigurimet janë i vetmi segment i tregut financiar që ngarkohet me këtë taksë.
Premtimi për të ulur çmimin e primit të sigurimit vjen nga kompanitë, pasi kjo taksë nuk rëndon as faturat e blerjes së tyre. Në vitin e ardhshëm, sipas ligjit, primeve të sigurimit do t’u zbritet barra prej 20% e TVSH, që pritet t’i bëjë çmimet më të lira. Nëse sot sigurimi i detyrueshëm i automjetit kushton rreth 15 mijë lekë, 3 mijë lekë janë TVSH, që do të zbritet nga çmimi. Lehtësia për konsumatorët, sipas siguruesve, do të përkthehet me rritje të formalitetit të tregut. Dhe efekti negativ në buxhet do të ketë një kompensim më të mirë me atë që pritet të ndodhë në tregun konsumator. Vitin e kaluar, sigurimet i sollën buxhetit të shtetit rreth 1.7 miliardë lekë TVSH, por sipas Morinës, efekti financiar në buxhet është i pakët krahasuar me atë në buxhetet e individëve dhe bizneseve që sigurohen.
Gjithsesi, ndërmarrja e këtij hapi nga qeveria vlerësohet të ketë qenë një detyrim, pasi në këtë linjë shprehet edhe një vendim unifikues për TVSH-në i Gjykatës së Strasburgut. E për këtë janë dakord edhe ekspertët kontabël, të cilët ndryshe nga industritë e sigurimit, janë më skeptikë për efektet e heqjes së TVSH-së, kur flitet për formalizimin e tregut. Sipas tyre, çmimet e sigurimeve në vendin tonë nuk janë të larta, por nuk është kjo arsyeja e nivelit të ulët të sigurimit të shëndetit, pronës, apo edhe jetës. Sipas tyre, niveli i ulët i sigurimit të detyrueshëm (vlerësohet se qarkullojnë të pasiguruara mbi 25% e mjeteve motorike) është mbi të gjitha pasojë e mungesës së stabilitetit të tregut të sigurimeve dhe luhatjeve të vazhdueshme të çmimit.
Ekonomistët lajmërojnë kompanitë të mos i mbajnë shpresat tek ulja e kostove, por të rregullojnë sjelljet e tyre në treg, pasi pavarësisht se qeveria parashikon heqjen e TVSH-së për sigurimet, ka filluar të flitet për një tjetër taksë, që do të kompensojë pjesërisht të ardhurat e munguara në buxhet. Sipas ekonomistëve, kjo edhe për faktin se linja e qeverisë ndaj taksave është ajo e rritjes së të ardhurave në buxhet, dhe nuk po “fal” asnjë nga sektorët, detyrim i lindur nga marrëveshja e asistencës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Reklamat, risi e hidhur për televizionet
Projektligji që po diskutohet me grupet e interesit parashikon vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për reklamat në mediat elektronike. Ato do të përfshihen në bazën e tatimpaguesve të TVSH-së sipas parimit të kreditimit të tatimit. Sipas këtij ligji, mediat e shkruara do të vazhdojnë të jenë të përjashtuara nga TVSH për shtypjen, por do të paguajnë TVSH për reklamat. Ky hap pritet të vështirësojë tregun e mediave, duke parë edhe kushtet aktuale të ekonomisë. Sipas agjencive të reklamave, të cilat menaxhojnë një pjesë të mirë të reklamave, kompanitë kanë reduktuar fondet për reklama vitet e fundit, për shkak të vështirësive në shitjet që po hasin në treg. Ky hap shihet si një pengesë më tepër. Megjithatë, drejtuesit e këtyre agjencive, e veçanërisht ekonomistët, e mbështesin këtë hap pasi vlerësojnë se kjo do të ndihmojë në formalizimin e tregut.
Bujqësia, të fillojë nga të mëdhenjtë
Nuk mund të kundërshtohet hapi për të formalizuar atë treg që siguron pjesën më të madhe të prodhimit, e që shërben si “strehë” punësimi për statistikat sa herë duhet të bëjmë llogaritë me punësimin. Flasim për bujqësinë, fermat e së cilës, vitin e ardhshëm, parashikohet të pajisen me NIPT njësoj si sipërmarrjet e tjera, ndonëse kjo nuk do të vlejë menjëherë për efekt të tatimeve. Projektligji parashikon regjim të veçantë të kompensimit të prodhuesve bujqësorë. Pajisja me kodin tatimor, sipas ekspertëve të tatimeve, u jep të drejtën fermerëve të eksportojnë e të zgjerojnë aktivitetin, pa pasur detyrimin për deklarim.
Enver Ferizaj, president i Këshillit Shqiptar të Agrobiznesit shprehet se është dakord në parim, pasi tregu ka nevojë për formalizim, mbi të gjitha industritë përpunuese. Por, sipas tij, futja në skemë e fermave të vogla (me 1-2 lopë) është tërësisht e pamundur. Përfaqësuesit e agrobiznesit i druhen aktivizimit të shpejtë tatimor të pajisjes me NIPT dhe sipas tyre, fermat e vogla nuk do të jenë gati. Për më tepër, mund të rrezikojë të kthehet në një amulli detyrimi i tyre për të deklaruar çdo shitje. Numri i fermave në vend shkon në 300 mijë dhe imagjinoni vetëm një deklarim të tyre shitje në ditë, për sasi shumë të vogla.
Sipas Ferizajt, formalizimi duhet të fillojë me faza e të përfshijë së pari kompanitë më të mëdha, duke vazhduar me ato të nivelit të mesëm. Por, hapi që do të ndërmerret vitin e ardhshëm pritet të ndihmojë industritë përpunuese, të cilat do të kenë mundësi (nëse jo vitin e ardhshëm) pak kohë më vonë të shkarkojnë te fermerët TVSH-në, në masën që do të përcaktohet. Nga ana tjetër, fermat pritet të përfitojnë nga humbjet që u shkaktohen, pasi vlera e deklarimit të nivelit të humbjeve kompensohet në detyrimin tatimor të fermës dhe kujtojmë se në bujqësi, niveli i humbjeve është i lartë dhe arrin në gati 40% të të gjithë prodhimit.
Ferizaj:
Fermat e vogla nuk janë të përgatitura për t’u pajisur me NIPT. Do të ketë shumë procedura e dokumente për shitjet e vogla të tyre
Dhoma Amerikane
Të përjashtohen kolateralet nga TVSH
Ndërsa po formulojnë kërkesat e tyre që do t’i prezantojnë Ministrisë së Financave, problemin më shqetësues, Dhoma Amerikane e Tregtisë e parashtroi gjatë javës së kaluar në një takim me zëvendësministrin e Financave, Ervin Mete. Sipas Ardiana Kalos, kryetare e komitetit të taksave, pranë kësaj Dhome, kërkohet të mos përfshihen në pagesën e TVSH-së objektet apo mjetet kolaterale të bankave. Kolateralet e bankave kanë filluar të kenë rëndësi e të shfaqin edhe problemet e tyre, pikërisht në momentin kur është rritur shansi që ato të ekzekutohen (sekuestrohen) nga përmbaruesit. Niveli i kredive të këqija mbetet i lartë, e sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, kolateralet duhet të çlirohen nga kjo taksë, për të bërë më të lehtë procesin.
Ndryshimet kryesore
Financat e vlerësojnë si një përmbushje të detyrimeve të BE-së, hartimin e këtij ligji të ri. Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, u shpreh javës së kaluar gjatë prezantimit të projektligjit se: “Tatimet indirekte janë uniforme me ato të BE-së, çka na sjell më afër tyre. Po përpiqemi që kur ligji të hyjë në fuqi të kemi edhe gjykimin e gjykatës europiane, duke sjellë një substancë jo thjesht të një përafrimi në formë të së drejtës europiane. Synimi ynë është të shkojmë drejt standardizimit, duke ballafaquar këtë qasje edhe me interesat e biznesit”.
Projektligji, i cili do të shfuqizojë ligjin ekzistues për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, duke nisur nga 1 janari 2015, parashikon që furnizimi i barnave, shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, të jetë një furnizim i përjashtuar nga TVSH.
Arsimi do të vazhdojë të mbetet i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ndërsa do të vendoset TVSH-ja në media (për pjesën e reklamave). Aktualisht, organet tatimore i rivlerësojnë transaksionet sipas parimit që shitjet duhet të jenë patjetër mbi kosto. Me ligjin e ri, trajtimi do të bëhet sipas vlerës që merr malli apo shërbimi në varësi të kushteve të tregut. Për shembull, një produkt që është në prag skadence mund të shitet nën kosto dhe tatimet do ta njohin këtë çmim për efekt të llogaritjes së vlerës së TVSH-së.
Ndërkohë, shërbimet financiare, me ndonjë ndryshim të vogël, do të mbeten të përjashtuara në përputhje edhe me direktivën; pullat postare, pulla të taksës e të ngjashme; lojërat e fatit, bastet; furnizimi i ndërtesave; tokës, qiradhënia e ndërtesave me disa përjashtime. Furnizimi i kartave të identitetit po ashtu është specifik, pasi Direktiva nuk e ka një parashikim të tillë.
Gjithashtu është hequr përjashtimi për furnizimin e hekurit dhe çimentos ndaj subjekteve ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat, në bazë të marrëveshjes respektive, i përdorin si lëndë të parë për ndërtimin e hidrocentraleve.
Ndryshimet reflektojnë në një masë të gjerë marrëveshjen e asistencës me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe i tillë është edhe përjashtimi nga TVSH i furnizimeve të shërbimeve të destinuara për realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për realizimin e këtyre fazave.
Sipas ekspertëve të tatimeve, drafti i ri eliminon taksimin e dyfishtë të TVSH-së për transaksionet mes bizneseve shqiptare dhe atyre të huaja, si dhe lehtëson procedurat për kompanitë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.