Anëtari më i ri i Eurozonës përballet me tensione në rritje
Më 1 janar, Lituania do të bëhet anëtari i 19 i Eurozonës. Shteti i vogël baltik prej 3 milionë njerëzish është një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë të Europës. Eurozona është në prag të recesionit dhe deflacionit. Pra, pse dëshiron Lituania të adoptojë monedhën e përbashkët?
Më pak se gjysma e lituanezëve janë pro bashkimit me bllokun, sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga Eurobarometri. Por, si të gjitha vendet që hynë në Bashkimin Europian, pas krijimit të euros, edhe Lituania është e obliguar ta bëjë diçka të tillë. Që nga viti 2002, ajo ka fiksuar monedhën e saj, litas kundrejt monedhës së euros. Ajo u përpoq të bashkohet në 2007, por u refuzua me argumentin se ekonomia e saj nuk ishte në sinkroni me atë të Eurozonës. Ajo ende nuk është.
Që nga viti 2011, Eurozona ka qenë në stanjacion; PBB-ja e Lituanisë është rritur me 4.3% në vit. Raporti i saj i borxhit të qeverisë ndaj PBB-së është ndër më të ulëtat në BE. Për më tepër, kjo ecuri mbresëlënëse është rezultat i llojit të reformave radikale që shumica e vendeve të Eurozonës kanë shmangur. Në përgjigje të një krize së brendshme financiar në 2009 – pasoja e kolapsit të kreditit në të cilën PBB-ja ra me 15% dhe papunësia arriti në 18% – Lituania miratoi me shpejtësi masat shtrënguese. Nga viti 2009 në vitin 2013, qeveria shkurtoi shpenzimet me 10.5 pikë përqindjeje të PBB-së – më shumë se çdo vend tjetër në BE. Ajo e ngushtoi deficitin e saj buxhetor nga 9.3% në 2.6% të PBB-së.
Politikëbërësit lituanezë këmbëngulin se vendi i tyre ka gjithsesi nevojë për euron. Vitas Vasiliauskas, kryetari melankolik i Bankës Qendrore, dhe Rimantas Sadzius, ministri i Financave, janë pro këtij vendimi. Ata mendojnë se kjo do t’i mundësojë qeverisë të marrë kredi më lirë.
Kur Estonia, një tjetër shtet baltik, u bashkua në vitin 2011, norma e kreditit të qeverisë së saj u rrit me disa pikë. Agjencitë e vlerësimit theksuan se bankat e saj dhe banka qendrore kishin fituar qasje në financimin e Bankës Qendrore Europiane për raste urgjente. Përveç kësaj, rregullat fiskale në Eurozonë shtuan një tjetër kontroll mbi suficitin e qeverisë. Duke supozuar se Lituania do të fitojë një trajtim të ngjashëm, norma mesatare e interesit në të cilën merr kredi qeveria, ka të ngjarë të bjerë 0.8 pikë përqindje, sipas parashikimeve të Bankës Qendrore. Euro do të nxisë gjithashtu tregtinë, thotë z. Vasiliauskas.
Eurozona është tashmë tregu më i madh i eksportit të Lituanisë. Firmat nuk do të duhet më të shpenzojnë para për t’u mbrojtur ndaj luhatjeve në vlerën e litas. Ato gjithashtu do të përfitojnë nga kostot më të ulëta të kredive. Thënë të gjitha këto, banka pret që miratimi i euros të rrisë PBB-në në periudhën afatgjatë me rreth 1.3%.
Ka edhe arsye gjeopolitike se pse bashkimi me euron mund të jetë i dobishëm. Lituania është një vend ish-sovjetik dhe Vilnius ndodhet një fluturim larg nga Moska. Rusofilët – grupi që Vladimir Putin ka marrë në përgjegjësi të ‘mbrojë’ – përbëjnë rreth 5% të popullsisë. Goditjet e Rusisë ka të ngjarë të trazojnë litas; euro do të jetë më e qëndrueshme. Por euro ka mundësi të përkeqësojë një prej dobësive të ekonomisë lituaneze. Vendi është një nga eksportuesit më intensivë në botë, megjithatë produktiviteti i punëtorëve të Lituanisë përbën një të tretën e mesatares së Eurozonës. Krahu i lirë i punës ndihmon eksportet e saj të jenë më konkurruese. Megjithatë, pagat reale janë rritur me 5% këtë vit, shumë më lart se norma e zonës së euros prej rreth 1%. Pjesërisht, kjo vjen falë rritjes prej 25% në pagën minimale që u aplikua vitin e kaluar. Por tregu i rastësishëm i punës së Lituanisë është gjithashtu përgjegjës. Për vite, emigracioni, veçanërisht i të rinjve, ka qenë i lartë: që prej 1990-s, popullsia ka rënë me 20%. Më keq akoma, një e dhjeta e lituanezëve të rritur nuk mund të punojnë për shkak të mungesës së aftësive bazë. Punëtorët e talentuar që mbeten shpërblehen shtrenjtë. Kështu që pagat pritet të tejkalojnë produktivitetin për vitet e ardhshme, pavarësisht premtimit të qeverisë për të përdorur fondet e BE-së për të rritur aftësitë.
Rritja e pagave, nga ana tjetër, mund të çojë në rritjen e çmimeve. FMN-ja pret që inflacioni lituanez të jetë më i lartë se në Eurozonë në vitet e ardhshme, që do të thotë se me kalimin e kohës, mallrat e Lituanisë mund të bëhen relativisht më të shtrenjta.
Shqetësimi qëndron në faktin se historia do të përsëritet. Lituania mund të humbasë gradualisht konkurrencën, ashtu sikundër ndodhi me Greqinë dhe Portugalinë përpara krizës së euros. Sipas bankës DNB, deficiti i saj i llogarisë aktuale do të arrijë 2% të PBB-së deri në 2016, 3.5 pikë përqindje përkeqësim nga 2013. Anëtarësimi në Eurozonë dhe borxhi më i lirë shoqëruar me të ka të ngjarë t’i përforcojnë dobësitë e vendit, dhe jo t’i reduktojnë ato.