Puma synon Manchester City. Siç bën të ditur Daily Mail, klubi anglez është në bisedime me kompaninë e veshjeve sportive gjermane për të zëvendësuar Nike, si sponsor teknik.
Marrëveshja aktuale mes Manchester City dhe Nike përfundon në fund të këtij sezoni. Kjo është arsyeja se pse Manchester është duke parë rreth e qark, edhe për të rritur fitimet nga sponsorët, duke qenë se nga kontrata me Nike fiton rreth 20 milionë sterlina (rreth 22 mln euro).
Sipas Daily Mail, Manchester City dhe Puna janë duke diskutuar për një shifër rreth 50 milionë sterlina në vit (rreth 56 milionë euro), një rritje e ndjeshme krahasuar me marrëveshjen aktuale.
Nëse marrëveshja arrihet, Manchester City do të renditej pas Manchester United (të ardhurat e Red Devils nga marrëveshja me Adidas arrijnë në 75 milionë sterlina në vit), baras me Chelsea (50 milionë sterlina nga Nike) dhe para Tottenham (30 milionë sterlina nga marrëveshja me Nike) dhe mbi të gjitha para Arsenal, një tjetër klub i madh në Premier League i cili sponsorizohet nga Puma (marrëveshje 30 milionë sterlina në vit).
Në sezonin 2016/17, fitimet e klubit anglez arritën në kuotën 473,4 milionë sterlina, në rritje me 21% krahasuar me vitin e kaluar, me të ardhura komerciale në rritje me 23% në 218,0 milionë sterlina.