Konkurrenca e fortë e ka bërë Maqedoninë që të ndërmarrë një strategji të veçantë sa i përket thithjes së investimeve të huaja, por edhe zhvillimit të tregtisë dhe turizmit. Një strategji që ka për bazë shumë elementë e që po jep rezultate
Nga E.Bedalli
Në gjashtë vitet e fundit, kurba e investimeve të huaja që ka arritur të thithë fqinji ynë, Maqedonia, ka qenë e luhatshme. Niveli më i lartë është shënuar para krizës së fortë ekonomike, në vitin 2007, kur u llogaritën rreth 700 milionë euro. Më pas, trendi ishte në rënie, me një rikuperim të lehtë në vitin 2011.
Ndërsa 2013 premton mirë. Shifrat e gjashtëmujorit të parë të këtij viti flasin për 133.4 milionë euro Investime të Huaja Direkte. Një rezultat pozitiv ky, duke qenë se viti i kaluar u mbyll me rreth 90 milionë euro. Qeveria synon më shumë. Ka marrë masa që të përmirësojë mjedisin e të bërit biznes, të ofrojë zona të lira, subvencione, por edhe regjim fiskal të favorshëm e fuqi punëtore të kualifikuar. Për t’i promovuar të gjitha këto, ajo ka hedhur në “terren” promotorët e ekonomisë, që nuk janë gjë tjetër veçse diplomatë me përvojë e që duhet të përkthejnë gjuhën diplomatike në shifra dhe projekte konkrete. Jo pa qëllim, së fundmi, Maqedonia ka botuar në revistën e njohur “The Economist” reklamën e radhës për ta promovuar vendin si shtetin më tërheqës në rajon për të thithur investime të huaja. Avantazhi kryesor, me të cilin krenohet Maqedonia, është pikërisht sistemi favorizues i taksave të ulëta (taksë e sheshtë prej 10% për tatimin mbi korporatat dhe të ardhurat personale). Të tjera janë qëndrueshmëria makroekonomike, aksesi në një treg rajonal prej 650 milionë konsumatorësh, kostoja e ulët e punës, infrastruktura e zhvilluar dhe procesi i pakthyeshëm i integrimit drejt Bashkimit Europian.
Shqipëria dhe Kosova janë gjithashtu dy tregje që shihen me interes dhe ku për të promovuar fort avantazhet e Maqedonisë, po punon zyra Invest Macedonia Tiranë-Prishtinë. Për Fatos Mustafën, drejtuesin e kësaj zyre, ky është mandati i dytë. Për “Monitor” ai tregon se punon me një strategji të mirëmenduar dhe të mirëkonturuar. Madje “formula e tij” duket se ka rezultuar e suksesshme, pasi rezultatet për të nga qeveria kanë qenë të matshme.
E, në fakt, qeveria maqedonase i kushton jo pak rëndësi marketingut. Të dhënat tregojnë se qeveria e Maqedonisë, në vitet e fundit, ka shpenzuar rreth 20 milionë euro për rreth 40 fushata publike publicitare me tematika të ndryshme që nxisin zhvillimin ekonomik, përmirësojnë vendimmarrjen dhe qeverisjen, por edhe jetën e qytetarëve. Për të gjitha vendet e rajonit, në veçanti për zonën e Ballkanit Perëndimor, krijimi i një industrie konkurruese është sfida e procesit të integrimit. Për drejtuesin e zyrës Invest Macedonia Shqipëri – Kosovë, në ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Tiranë, Fatos Mustafa, pika më e fortë është marketingu. “Ne jemi duke zbatuar një strategji krejtësisht të re, që do ta konsideroja pa frikë një ‘marketing ekstrem’. Ajo që po mundohemi të sjellim edhe në Shqipëri është një model që garanton bashkëpunim dhe shkëmbime afatgjata”, thotë z. Mustafa. Sipas tij, mes dy vendeve ka shumë hapësira, ende të paeksploruara për të investuar. E në këto kushte, biznesit nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i ofrohen nga fqinji.
Një model që mund ta huazojmë
Ky është mandati i tij i dytë në krye të zyrës Invest Macedonia Tiranë – Prishtinë. Fatos Mustafa duket se e ka filluar ta njohë mirë mentalitetin e biznesit në të dy vendet, të cilat ai i “mbulon” me diplomacinë e tij ekonomike. Ai dhe zyrtarë të tjerë (që ndodhen në vende të ndryshme) janë pjesë e një “armate” të veçantë diplomatike që përpiqet të nxisë në të gjitha sferat bashkëpunimin në vendin përkatës. Zoti Mustava thotë se ka një strategji konkrete të cilën e vë në shërbim të biznesit, atij biznesi që synon të zgjerohet dhe ta konsiderojë rajonin si një treg me mundësi unike. Formula e tij është: “KISS – Keep it Simple & Smart, FFF – Friendly, Firmly, Frankly, Concrete Offers/Actions, Extreme Marketing, 24/7 Online and Guaranteed success”, e që në fjalë të thjeshta do të thotë: thjeshtësi; vendosmëri, besim, sinqeritet; veprime konkrete; marketing ekstrem; komunikim i pandërprerë dhe sukses i garantuar. “Invest Macedonia është një institucion i përkushtuar dhe që synon ta bëjë gjithë procesin sa më të dobishëm. Ne jemi të gatshëm t’ju udhëheqim në fazat fillestare të kërkimit tuaj për mundësi investimi. Caktoni një itinerar të përshtatshëm për të vizituar Maqedoninë dhe ajo do të arrijë kulmin me një vlerësim objektiv të suksesit të mundshëm të projektit tuaj, bazuar në klimën e tanishme të biznesit. Nëse mendoni se Maqedonia është vendi i duhur që përmbush nevojat tuaja për biznes, të jeni të sigurt se ‘Invest Macedonia’ do të punojë për llogarinë tuaj me autoritetet qendrore dhe vendore. Nëse biznesi juaj ka nevojë për të gjetur partnerë të përshtatshëm lokalë, ne do t’ju ndihmojmë gjatë gjithë procesit dhe do të sigurohemi që të zhvillohet një dialog i hapur eksplorues. Përmbushja e nevojave të biznesit tuaj është objektivi ynë kryesor”, thotë z. Mustafa, duke cituar kështu edhe atë që përbën objektivin kryesor të agjencisë ku ai bën pjesë dhe që duket se shfaqet si një model nga i cili vendet e tjera kanë se çfarë të mësojnë.
Maqedonia ka një qeverisje miqësore dhe një paketë fiskale nga më të favorshmet në rajon. Vendi ofron një taksim të sheshtë në masën 10%. Një sërë iniciativash për kompanitë, siç është edhe përjashtimi nga taksat për një periudhë 10-vjeçare, përjashtimi nga TVSH-ja dhe detyrimet doganore në zonat e lira ekonomike. Nga ana tjetër, vendi ka një forcë punëtore të pajisur me aftësi të mira, rreth 6% e PBB-së shkon si buxhet për arsimimin. Të mos harrojmë që vendi ka tërhequr kompani të mëdha ndërkombëtare nga shumë vende, siç është edhe ajo amerikane “Johnson Controls”, që ndërmori një investim të dytë. Kjo tregon se vendi ka një klimë të favorshme të të bërit biznes.
Invest Macedonia e promovon vendin kudo. Kemi ndërmarrë disa fushata marketingu të suksesshme në arenën ndërkombëtare dhe kemi realizuar shumë panaire ku prezantojmë mundësitë për të bërë biznes. Aktualisht Invest Macedonia ka 30 zyra, si në vendet e Europës Perëndimore, Kinë, Rusi, Turqi, Indi etj.
“Ne përpiqemi që të mbështesim sipërmarrësit që në hapat e para. Nëse një investitor dëshiron që të eksplorojë mundësitë që ofron Maqedonia, atëherë ne mund të dizenjojmë një plan-projekt, duke analizuar mundësitë që vendi ofron. Bashkëpunojmë me investitorin nga faza e parë, gjatë saj dhe në vazhdim. Ne mund të ravijëzojmë procesin hap pas hapi për çdo investitor.
Maqedonia ka shumë sektorë që po njohin rritje të shpejtë, por natyrisht mund të dallojmë disa prej tyre. Ofrohen mundësi të mira në sektorin energjetik, në industrinë e pjesëve mekanike dhe të automjeteve, në bujqësi, turizëm, por edhe në sektorë të tjerë që sot janë kthyer në qendër të vëmendjes për investitorin.
“Ne shpresojmë të rrisim sa më shumë Investimet e Huaja Direkte. Ka shumë investitorë që kanë shprehur interes për të eksploruar Maqedoninë. Ne ftojmë biznesin shqiptar që të shohë dhe të identifikojë ato segmente të tregut maqedonas që do t’i shërbenin jo vetëm për të krijuar një biznes të suksesshëm, por edhe të qëndrueshëm”.
Avantazhet
Si rezultat i interesit në rritje në Maqedonisë operojnë një numër i konsiderueshëm kompanish ndërkombëtare, qoftë si projekte të “gjelbra”, por edhe si pasojë e proceseve të ndryshme të privatizimit. Disa nga investitorët e huaj të rëndësishëm, janë: Johnson Matthey (Mbretëria e Bashkuar), Mobilkom Austria (Austri), EVN (Austri), Deutsche Telecom (Gjermani), KROMBERG & Schubert (Gjermani), Draxlmaier Group (Gjermani), Van Hool (Belgjikë), Societe Generale (Francë), Johnson Controls (SHBA), KEMET Corporation (SHBA), Banka Kombëtare e Greqisë (Greqi), Hellenic Bottling Company SA (Greqi), QBE Insurance Group Limited (Mbretëria e Bashkuar), Mittal Steel (Holandë), DUFERCO (Zvicër) dhe Titan Group (Greqi). Theksohet se vendi garanton tërësisht të drejtat e investitorëve të huaj, të drejtat e pronësisë bazuar edhe në traktatet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, garantohet pronësia 100% e huaj, si dhe nuk ka kufizime për “riatdhesimin” e fitimeve. Një nga pikat e forta të Maqedonisë janë padyshim edhe “zonat e lira”, ku vetëm pak ditë më parë nisi ndërtimi i një zone edhe në Tetovë. Avantazhet e tyre janë: subvencionimi deri në 500.000 euro për shpenzimet e ndërtimit, por edhe tokën që është në dispozicion me qira afatgjatë, për një periudhë deri në 99 vjet. Ndërsa zonat zhvillimore, industriale të teknologjisë (TIDZs) sigurojnë në mënyrë të vazhdueshme: energji elektrike, rrjet modern telekomunikacioni, ngrohje qendrore, sistem të lartë të sigurisë dhe monitorimit etj. Zonat TIDZs ndodhen në Bunardzik, Stip dhe Tetovë. Qeveria vlerëson si të rëndësishme edhe përmirësimin e infrastrukturës dhe ndërtimin e rrugëve të reja përgjatë dy korridoreve paneuropianë: VIII dhe X.