Marshimi i gjatë i Macron

01/12/2018 10:02 PM 0 komente

Pse dhe si Emmanuel Macron po përpiqet të udhëheqë Europën. Ambiciet e Presidentit francez janë të mëdha, por të domosdoshme. Realizimi i tyre do të jetë i vështirë

 

Së bashku me një pjesë të madhe të kolegëve të tyre, liderët e sotëm të Francës dhe Gjermanisë, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, ishin të pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Harkun e Triumfit, në kujtim të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kohë nga e cila kanë kaluar 100 vjet, shkruan The Economist.

“A do të jetë ky një simbol i paqes së qëndrueshme midis kombeve, apo momenti i fundit i unitetit përpara se bota të përjetojë një situatë të re kaotike”, pyeti z. Macron homologët e tij të pranishëm, përfshirë Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Fjalët e ashpra të z. Macron janë vetëm paranteza e debatit polarizues që do të shpërthejë në Europë në muajt e ardhshëm midis mbrojtësve të rendit liberal dhe institucioneve të pasluftës dhe forcave nacionaliste në rritje. Përpara zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Europian që do të mbahen gjatë majit të ardhshëm, Presidenti francez me shumë guxim e cilësoi veten si ruajtësin e vetëm të vlerave demokratike të këtij kontinenti dhe që nuk humbet asnjë mundësi që i jepet për të theksuar atë që është në rrezik.

“Demonët e vjetër janë duke u shfaqur sërish, të gatshëm për të realizuar me sukses detyrën e tyre në drejtim të krijimit të kaosit në botë”, tha ai duke iu drejtuar kryesisht z. Trump dhe z. Putin. Përpjekja e z. Macron në drejtim të ruajtjes së vlerave të demokracisë me të cilat po ballafaqohet Europa është për t’u vlerësuar.
Megjithatë, që Presidenti francez të jetë i suksesshëm në këtë drejtim ka nevojë për dy gjëra: së pari për një bazë politike solide qendrore në nivel europian, ashtu si ajo që ai prezantoi vitin e kaluar në Francë me lëvizjen e tij “En Marche”. Së dyti, ai duhet të fitojë edhe mbështetjen për axhendën e reformave të tij europiane nga vende të tjera, veçanërisht nga Gjermania.

Një vit më parë, kishte shpresa të mëdha se ekipi i lëvizjes “En Marche” do të sillte ndryshimin e shumëkërkuar.
Presidenti francez ishte djaloshi pro-europian i cili mori famë të madhe si brenda ashtu edhe jashtë vendit të tij. Pavarësisht realizimit të një sërë reformash brenda vendit, sot ylli i Presidentit francez nuk ka të njëjtin shkëlqim si më parë. Sondazhet e ndryshme tregojnë se sot niveli i vlerësimit ndaj tij ka rënë.

Momentalisht ai është duke u ballafaquar me protestën e madhe të zhvilluar nga shoferët, si pasojë e rritjes së taksave të karburantit. Ndërkohë që partia e tij “En Marche” po përpiqet të rrisë profilin e tij në Europë. “Objektivi ynë është që të krijojmë një grup të ri politik që mund të bashkojë parti të ndryshme dhe t’i japë fund dominimit të Partisë Popullore Europiane”, thotë Pieyre-Alexandre Anglade, deputeti i partisë “En Marche” që koordinon rekrutimin e partive europiane, duke iu referuar grupit të gjerë të qendrës së djathtë.

Një grup i ri këmbëngul se lëvizja “En Marche”, do të vendosë themelet e saj vetëm pas zhvillimit të zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj të vitit të ardhshëm, duke qenë se z. Macron nuk ka asnjë eurodeputet.
Asnjë sondazh i deritanishëm nuk tregon se një grup i ri i qendrës mund të zëvendësojë Partinë Popullore Europiane, por ekziston mundësia që të krijohet edhe një forcë e dytë vendimmarrëse.

 

 

Plani i paqartë

Planet e strategjisë së Partisë En Marche për ta arritur këtë gjë kanë filluar të bëhen publike. Në kongresin e tyre në Madrid më 10 nëntor, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE), njoftoi se do të bashkohej me partinë e z. Macron në fushatën e majit të ardhshëm.

En Marche shpreson të arrijë një marrëveshje mbi çështjet e fushatës dhe supozon (ndoshta në mënyrë të gabuar) se z. Macron do të jetë figura përfaqësuese. Megjithatë, ajo çka mbetet e paqartë, është natyra e këtij partneriteti. E parë nga këndvështrimi i Parisit, ky është një partneritet joekskluziv, i cili do t’i lejojë En Marche të vazhdojë të kërkojë për miq të tjerë dhe njëkohësisht të ruajë pavarësinë nga një grup i perceptuar në Francë, si shumë “liberal”.

Flitet ende për përpjekjen për të larguar aleatët potencialë, siç është Partia Demokratike e Italisë nga socialistët dhe demokratët apo Partinë e Gjelbër gjermane, Partinë Demokracia e Re Greke nga PPE-ja. Shpresa është që fuqia politike e z. Macron, së bashku me vendet e Partisë En Marche, do t’u mundësojë atyre të imponojnë një grup të ri dhe të sjellin partinë ALDE në pushtet. Z. Macron shpreson se mund të fitojë rreth 20 vende, ndërsa ALDE-ja shpreson të fitojë rreth 70 vende, një shifër e konsiderueshme.

Për më tepër, z. Macron deri tani nuk ka bërë asnjë progres në drejtim të tërheqjes së rekrutëve të rinj. Nëse ai nuk mund ta bëjë këtë gjë, ekziston mundësia që En Marche do të përfundojë duke “u gëlltitur” nga ALDE-ja, dhe jo e kundërta. Sipas një burimi, strategjia e En Marche konsiderohet një “rast klasik i paqartësisë së Macron”.

Por të gjitha këto lëvizje kanë rëndësinë e tyre, sepse nëpërmjet tyre z. Macron synon të sigurojë ndikimin e tij në Parlamentin Europian në mënyrë që të formësojë Komisionin e ardhshëm Europian, dhe rrjedhimisht edhe axhendën e Bashkimit. Ndryshe nga Partia Popullore Europiane dhe socialistët, të cilët kanë emëruar secili një kandidat për të marrë pjesë në komision, z. Macron ende nuk e ka bërë zgjedhjen në këtë drejtim.

Qëllimi kryesor është të nxisë më tej ambiciet e tij europiane, të parashtruara fillimisht në një fjalim në Sorbonë, mbi një vit më parë. Në këtë drejtim, zhgënjimi në Paris është i madh. Gjatë 18 muajve në detyrë, z. Macron ka vizituar 19 vende të BE-së, dhe për disa çështje, si hapja e universiteteve në mbarë Europën, ose në drejtim të krijimit të Nismës për Ndërhyrje Europine, ai ka bërë progres.

Thirrja e fundit për krijimin e një “ushtrie të vërtetë europiane”, e cila nuk u prit aspak mirë nga z. Trump, ku ky i fundit gabimisht pretendoi se z. Macron dëshiron ta krijojë atë në mënyrë që ajo ta mbrojë Europën nga Amerika, ishte një formë për t’iu referuar me anë të terminologjisë popullore këtyre përpjekjeve. Javën e kaluar, znj. Merkel e mbështeti idenë franceze, duke përdorur të njëjtën frazë. Por thirrjet e z. Macron për një reformë thelbësore të Eurozonës, për të mbrojtur zonën e monedhës së përbashkët nga goditjet e ardhshme, nuk janë marrë në konsideratë.

Mesa duket, kjo është një qasje ballafaquese ndaj z. Trump, e cila u trajtua edhe në një prej auditorëve të universitetit në Paris, si një qasje mbi dallimin midis nacionalizmit dhe patriotizmit, së cilës z. Trump iu përgjigj me një mori shprehjesh anti-Macron në rrjetin social në Twitter. Shpresa më e madhe në këtë drejtim është që një agresioni të cilit z. Macron zgjodhi të mos t’i kundërpërgjigjet do të shërbejë për të unifikuar liderët liberalë të kontinentit dhe t’i bëjë ata që të japin një zgjidhje të qartë dhe jo të bëjnë vetëm fjalime të njëpasnjëshme, që tek e fundit janë vetëm fjalë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of