Gjigantët francezë mund të kenë thyer rekordin botëror të transferimeve, por ata nuk ndalen me kaq…
Pasi bleu Neymar nga Barcelona në këmbim të 222 milionë eurove, klubi francez Paris Saint-Germain është gjithnjë e më pranë Kylian Mbappe. Kjo u bë e ditur gjatë transmetimit të “Telefoot” në TF 1, sipas të cilit, talenti i Monakos ka shprehur vullnetin për t’u larguar nga Monako këtë verë dhe për t’u transferuar tek PSG.
Mbappe është një fans i PSG dhe klubi është në garë për sulmuesin 18-vjeçar i cili është mjaft i kërkuar edhe nga shumë klube të mëdha në Europë.
Sipas “Telefoot”, Mbappe e ka marrë këtë vendim pas blerjes së Neymar nga PSG, të cilin ai e admiron veçanërisht.
Këto ditë pritet që Paris Saint-Germain të hyjë në bisedime me Monakon. Sipas mediave franceze, PSG mendohet se do të ofrojë 140 milionë paund për Mbappe në fund të këtij muaj, por kjo u hodh sot poshtë nga autoritete të larta të PSG.
Në anën tjetër, gjiganti i veshjeve sportive Nike, i cili është sponsor i Mbappe dhe sponsori i fanellës së Paris Saint-Germain po pret me padurim që Kylian Mbappe t’i bashkohet klubit.