Ministri Lluka paralajmëron privatizimin e Telekomit

10/07/2018 9:44 AM 0 komente

Ka mjaftuar një diskutim disaorësh me përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Postës që ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ta gjejë alternativën për t’ua paguar pagat punëtorëve, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Punëtorët e Postës të hënën paradite i mbyllën zyrat. Ata nuk pranuan të ofrojnë asnjë shërbim për qytetarët në zyrat e tyre postare pa i marrë pagat.

Por, situata ndërroi krejtësisht pas ndërmjetësimit që ministri Valdrin Lluka arriti me kryetarin e Sindikatës së Postës, Etrit Hotin.

Lajmin se greva e punëtorëve është ndërprerë dhe tashmë kanë filluar t’u shpërndahen pagat e ka konfirmuar ministri Lluka në një konferencë para gazetarëve. Lluka ka premtuar një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme për muajt në vijim.

“Do të bëjmë zgjidhje afatgjate dhe më të qëndrueshme. Si rezultat do të fokusohemi në muajt e ardhshëm në strategjinë e Postës së Kosovës, në rritjen e shërbimeve në menaxhimin më të mirë të shpenzimeve operative”, deklaroi ministri, shkruan më tutje “Zëri”.

Më tutje ai komentoi edhe mundësinë për privatizimin e Telekomit, duke aluduar se është zgjidhja më e mirë për t’ua siguruar ekzistencën punëtorëve.

“Telekomi do të privatizohet. E vetmja formë për të siguruar një ekzistencë edhe për ata punëtorë, edhe për Telekomin është privatizimi. Jo tani, sepse ka vështirësi të mëdha financiare dhe nuk ka të interesuar investitorë të huaj, por në një kohë afatmesme diku rreth dy vjet besoj që duhet të privatizohet. Posta duhet të mbetet shtetërore, por duhet të ndihmohet”, shtoi në mes të tjerash i pari i MZHE-së.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz