Politikbërja është në mungesë të mjeteve për të përballuar një krizë të papritur në të ardhmen, sidomos pas një periudhe të gjatë me normat e interesit pranë niveleve minimale dhe profilet e larta të injektimit të likuiditetit. Kështu thekson në një raport agjencia e vlerësimit Moody’s.
Moody`s e ka mbajtur të pandryshuar projeksionin për rritjen ekonomike globale gjatë dy viteve të ardhshme. 20 vendet më të industrializuara të globit do të rriten mesatarisht me 2.8% gjatë periudhës 2015-2017.
Sipas raportit të agjencisë, ky ritëm rritje është larg pritshmërive dhe tregon një dështim. Para krizës financiare globale, ekonomitë e këtyre vendeve njihnin një ritëm rritje pranë 3.8%.
“Autoritetet kanë një mungesë politikash fiskale dhe monetare që do të mbronin ekonomitë e tyre nga krizat”- thekson raporti.
Projeksionet sinjalizojnë se rimëkëmbja nga kriza do të kërkojë edhe më shumë kohë se ç`pritej më parë. Edhe projeksionet e fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, i përforcojnë këto paralajmërime. Organizata e vë theksin kryesisht të ngadalësimi i Kinës, ku rritja projektohet të zbresë pranë nivelit 6.2% në vitin 2017.