Tregjet financiare në Britani dhe në Bashkimin Europian do të ballafaqohen me paqëndrueshmëri dhe ndërprerje të kontratave të rëndësishme të biznesit nëse Britania do të dalë nga BE në mars 2019, pa një marrëveshje tranzicioni ose zgjidhje përfundimtare mbi një numër çështjesh vendimtare, paralajmëroi një grup tregtar i industrisë së financave.
Ka të paktën pesë fusha kryesore ku firmat financiare duhet të qartësohen nga Britania dhe politikëbërësit e BE-së për të shmangur paqëndrueshmërinë, tha në një raport të botuar të hënën Shoqata për Tregjet Financiare në Europë, shkruan Bloomberg.
Këto përfshijnë një marrëveshje për transferimin e të dhënave, vazhdimësinë e kontratave, juridiksionin ligjor, qasjen në infrastrukturën e tregut dhe njohjen e veprimeve të zgjidhjes së bankave, sipas Shoqatës.
Një e katërta e të gjitha kontratave derivative mbikontraktuese (OTC) të nënshkruara nga palët në Mbretërinë e Bashkuar dhe në BE, me një vlerë bruto prej 26 trilionë paund (36 trilionë dollarë) mund të preken nëse firmat financiare të Mbretërisë së Bashkuar humbasin të drejtën e tyre për t’u njohur si rregullator, pas Brexit, tha grupi.