Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, priti në një takim përfaqësueset e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, që kryesohej nga drejtorja ekzekutive, Lendita Kastrati. Në këtë takim u diskutua për sfidat me të cilat po përballen gratë në ndërmarrësi, mundësitë për të përmirësuar pozitën e gruas në ndërmarrësi si dhe projektet e Dhomës Ekonomike të Grave, që janë në shërbim të fuqizimit të gruas në ekonominë kosovare.
Ministri Bernard Nikaj, përgëzoj përfaqësueset e Dhomës Ekonomike për angazhimin e tyre në përmirësimin e pozitës së gruas në ndërmarrësi.
Ai u premtoi përkrahje të mëtejme dhe njëherësh i inkurajoi gratë ndërmarrëse të jenë pjesë e projekteve që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka iniciuar së fundi në mbështetje të ndërmarrjeve Mikro të Vogla dhe të Mesme. “Ministria që unë drejtoj do të mbështesë çdo iniciativë të Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, që do të shërbente në fuqizimin e gruas në ekonominë kosovare. Çdo probleme me të cilin përballen gratë ndërmarrëse do të adresohet me prioritet nga ministria jonë”, tha ministri Nikaj.
Ai i ftoj përfaqësueset e Dhomës Ekonomike të Gruas që të njoftojnë gratë ndërmarrëse për projektin granteve, në vlerë prej katër milionë euro, dhe t’i inkurajojnë anëtarët e tyre të aplikojnë me projektet e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.