Antisemitizmi, racizmi dhe antielitizmi po përhapen në Francë
Në kohën kur Hervé Berville ishte fëmijë dhe jetonte në Brittany rurale (një fshat në Francë), ai ishte ndoshta i vetmi fëmijë me ngjyrë në atë zonë. Gjatë gjenocidit të vitit 1994 në Ruanda, ai u adoptua nga një familje franceze.
I pyetur nëse është ndier ndonjëherë i diskriminuar, ai është shprehur se nuk e ka ndier kurrë këtë gjë. Ekonomisti Berville u zgjodh në vitin 2017 në Asamblenë Kombëtare, për partinë e Presidentit Emmanuel Macron.
Vitin e kaluar, kur z. Berville mori kërcënimin e parë me vdekje, i cili i erdhi në zyrën e tij parlamentare si një njoftim nga posta, ai nuk i kushtoi vëmendje dhe e hodhi atë në kosh. Por kërcënimet nuk përfunduan me aq. Muajin e kaluar ai mori një kërcënim tjetër në të njëjtën formë, ku shkruhej se këtë herë ai i kishte shpëtuar për pak thikës, por që herën tjetër kjo gjë nuk do të ndodhte.
Pikërisht këtë kërcënim, z. Berville vendosi ta bëjë publik. Kufiri ndërmjet kërcënimeve dhe veprimeve për vënien e tyre në jetë është ngushtuar shumë, u shpreh z. Berville dhe pikërisht kjo gjë ka bërë që klima e urrejtjes në Francë të shfaqet në nivele të larta. Objektivat e kësaj klime urrejtje janë të ndryshëm, hebrenj, gazetarë, njerëz të pasur, policë, anëtarë të Parlamentit dhe madje edhe vetë Presidenti francez.
Në disa raste, dhuna shfaqet në formën e kërcënimeve me vdekje si në rastin e z. Berville dhe të dy kolegëve të tij me ngjyrë. Në disa raste të tjera ajo shfaqet në formën e shkatërrimit ndaj objekteve si godinat qeveritare të ministrive apo makinat luksoze të të pasurve. Në disa të tjera, në formën e protestave të dhunshme siç ishin ato të jelekëve të verdhë të tre muajve më parë, ku rreth 1,700 persona dhe mbi 1,000 forca të Policisë së Shtetit mbeten të plagosur. Kur lëvizja e jelekëve të verdhë filloi në nëntor, ajo nisi kryesisht si një protestë sociale dhe revoltë fiskale.
Por infiltrimi i agjitatorëve nga ekstremi i majtë dhe atyre nga ekstremi i djathtë dhe kërkesat e tyre për të rrëzuar Presidentin Macron e shndërruan këtë lëvizje në një prej më të dhunshmeve me të cilat Franca nuk përballej prej kohësh.
Ditë pas dite, për më shumë se tre muaj, ekranet e kanaleve televizive franceze nuk jepnin gjë tjetër përveçse përleshjeve të dhunshme të protestuesve jelekëverdhë me forcat e policisë dhe resë gjigante të krijuar nga gazi lotsjellës që mbulonte jo vetëm rrugët e Parisit, por edhe qytete të tjera. Kërcënimet ndaj anëtarit të Asamblesë Kombëtare, Hervé Berville, nuk përfundojnë me kaq. Në fillim të shkurtit, shtëpia e tij në Brittany u dogj. Javën e kaluar, zyra e zonës elektorale të Damien Pichereau në Le Mans, një deputet tjetër i partisë “La République en Marche” e z. Macron u shkatërrua.
Z. Berville thotë se numri i deputetëve nga partia e tij të cilët kanë qenë viktima të kërcënimeve dhe sulmeve të ndryshme shkon deri në 300 persona. Midis tyre, fatkeqësisht ka edhe shumë gra. Aurore Bergé, një deputete tjetër e partisë “La République en Marche” të z. Macron ka qenë viktimë e kërcënimeve të shumta.
Christophe Chalençon, një prej organizatorëve të protestës së jelekëve të verdhë, është shprehur kohët e fundit se “nëse qeveria do ta kërcënojë atë me jetë, atëherë z. Macron ta ketë të sigurt se do të jetë ai që do të përfundojë në gijotinë”. Antisemitizmi ka qenë gjithashtu pjesë e kësaj proteste të dhunshme. Pas dështimeve për dy vite me radhë, numri i akteve antisemitike në Francë u rrit me 74% në vitin 2018.
Më 19 shkurt, 80 varre në një varrezë hebre në Francën lindore u pikturuan me simbolin e svastikës. Christophe Castaner, ministri i Brendshëm, ka deklaruar se antisemitizmi po përhapet shumë shpejt, por ende nuk është gjetur asnjë provë që mund të lidhë aktet e dhunshme antisemitike të kohëve të fundit me protestën e jelekëve të verdhë, me përjashtim të asaj që ndodhi javën e kaluar kur protestuesit jelekëverdhë u filmuan duke ofenduar filozofin francez me origjinë polake, Alain Finkielkraut, me shprehje si “Zionist i poshtër”, “Kthehuni në Tel Aviv, aty e keni vendin”, i cili ishte duke hyrë në shtëpinë e tij në Paris.
Kërcënimet me vdekje dhe paralajmërimet e formave të ndryshme nuk janë asgjë e re për politikën, gjithashtu edhe antisemitizmi, rrënjët e së cilit datojnë që në periudhën e Marshallit Philippe Pétain dhe publikimi i veprës së mirënjohur me nota të theksuara antisemitike në 1886, të Edouard Drumont, “La France Juive”.
Edhe situatat e dhunshme nuk janë diçka e re për Francën. Kujtojmë këtu kryengritjen e majit të 1968 ose trazirat e vitit 2005. “Veçantia e periudhës aktuale, – shkruan Alain Duhamel në gazetën ‘Libération’, – nuk është dhuna, por urrejtja”. Niveli i lartë i urrejtjes së shprehur publikisht është një ndërthurje midis antiparlamentarizmit dhe antisemitizmit të viteve 1930, shprehet Jean Garrigues, një historian nga Universiteti i Orléans.
Të gjithë ata persona që janë vënë në shënjestër nga këto protesta të dhunshme, konsiderohen të gjithë, me të drejtë ose pa të drejtë, si pjesë e elitës ose më saktë, si pjesë e një elite jolegjitime dhe të padenjë, e cila po mashtron njerëzit. Dhe ata që e theksojnë këtë fakt janë populistët e vendit. Që nga periudha kur z. Macron dhe partia e tij erdhën në pushet në vitin 2017, opozita politike në Francë ka kaluar në ekstrem. “Ju jeni të urryer”, “Të gjithë ju urrejnë”, janë disa prej shprehjeve të deputetëve të opozitës, deklaroi François Ruffin, një deputet i të majtës radikale.
Ndërsa Marine Le Pen, e së djathtës ekstreme, fajëson “agjitatorët, revolucionarët, anarkistët” e së majtës për protestat e dhunshme të jelekëve të verdhë. Në protestë ndaj gjendjes aktuale, një marshim kundër antisemitizmit u zhvillua më 19 shkurt. Në të morën pjesë rreth 20,000 vetë dhe në të ishte edhe znj. Le Pen e cila gjatë marshimit vendosi lule në vendin ku ishin vrarë viktimat e antisemitizmit. Ajo vazhdimisht është munduar dhe ka kërkuar që partia e saj të qëndrojë larg nga e kaluara antisemitike.
Përpara se të zhvillonte një vizitë në varrezën e shkatërruar të hebrenjve javën e kaluar, z. Macron e përshkroi antisemitizmin si “antitezën e gjithçkaje që Franca është deri më sot”. Ai shpreson që debati i tij i në nivel kombëtar, një seri mbarëkombëtare e konsultimeve dhe mbledhjeve të bashkive të qyteteve të ndryshme, do të balancojë këtë frymë urrejtjeje që po përhapet shumë shpejt në popull. Fatkeqësisht, teksa vendi po përgatitet për zgjedhjet në Parlamentin Europian që do të zhvillohen në maj, në të cilin partitë e z. Macron dhe znj. Le Pen janë kandidatët kryesorë, toni i ashpër nuk ka gjasa të zbutet.