Është dita e katërt sot që në ambientet e Panairit Klik Ekspo Group njerëzit duken si ata pelegrinët që rrotullohen për të kryer ritet e shenjta, në kërkim të një vendi për të ndaluar…
Në fakt, moria e ekspozeve për të ndaluar në panair nuk ka të mbaruar. Tre kate të ndara me seksione, të cilët padyshim në një moment apo në një tjetër, tërheqin vëmendjen e vizitorëve.
Nuk ka rëndësi në cilin kat ndodhesh, në cilin cep apo qoshe, të interesuarit vijnë tek ti në momentin që sapo të shohin.
Shumë njerëz kishin ndaluar në një biznes i cili po reklamonte produktet e tij të bëra “ hand-made” prej druri. Kurioziteti dhe pyetjet ishin të shumta, sakaq përfaqësuesit në atë stendë ndiheshin të kënaqur të përgjigjeshin, pyetje-pas-pyetjeje, edhe pse, më vonë u shprehen se kundrejt interesimit, rezultate të përkthyera në porosi nuk kishin pasur.
Aty ku njerëzit ishin mbledhur së tepërmi sot, ishte një qoshe e veçantë e Hotel Diplomat, i cili promovonte 10 vjetorin
Numri i ekspozuesve në këtë panair ka qenë vërtet i lartë, madje edhe nga organizatorët të cilët janë shprehur të habitur kundrejt kërkesës për të qenë pjesë. Nga bizneset shqiptare, shikoje një shumëllojshmëri që varionte nga “luksi” i materialeve arreduese për shtëpi, biznese, si dhe materiale ndërtimi, hidrosanitare, mobilje, tapiceri; deri të produkte ushqimore dhe të konsumit të përditshëm.
Jo pak vëmendje kanë tërhequr edhe ekspozetë që i drejtohen turizmit. Organizatorët pohojnë se 3 janë elementët e turizmit që duam të kenë ekzibicionin e duhur në këtë edicion: turizmi i mjeteve (nautica – auto shoë) , turizmi i hotelerisë dhe shërbimeve (exspo host) dhe turizmi i besimit (expo faith). Të tre këto elementë janë menduar që t’i japin vendit tonë pikëpamjen strategjike e të arriturit një standart në paraqitjen e vetvetes: i dobishëm në arritjen e zhvillimit të vendit nëpërmjet lundrimit dhe detarisë ; përkushtimi dhe manaxhimi i sektorit të hotelerisë ; promovimi si aktor paqeje në marrëdhëniet toleruese ndërfetare.
Mbetet për t’u parë dhe analizuar në ditën e fundit të panairit nëse pritshmëritë dhe objektivat janë realizuar ( panairi do qëndrojë hapur deri ditën e mërkurë në mbrëmje, data 26), ndërkaq kujtojmë se ditën e djeshme energjia ishte fokusi dhe në të gjithë këto ditë, duket se ambientet e panairit kanë marrë “bekimin” edhe të shtetit shqiptar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë në eventet e organizuara apo edhe me vetë praninë si ekspozues të disa institucioneve publike.
Deada Hyka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.