Autoriteti do të vlerësojë nivelin e konkurrencës në treg nëse ka kufizime, shtrembërime apo pengime të konkurrencës si pasojë e sjelljes së një ose disa konkurrentëve në treg në formën e abuzimit të mundshëm me pozitën dominuese(të përbashkët të disa ndërmarrjeve) dhe/ose marrëveshjeve të ndaluara për fiksim të çmimeve…
Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun përkatës të duhanit dhe cigareve të paketuara. Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 Janar 2013 – 14 Janar 2014.
Sipas Konkurrencës, gjatë ditëve të fundit ka patur një shqetësim publik në rritje mbi rritjen e çmimit të duhanit dhe cigareve të paketuara në një masë më të madhe sesa akcizat e rritura(24 lekë bashkë me TVSH) me miratimin e Paketës Fiskale që hyri në fuqi me datë 1 janar 2014. Madje në media dhe në opinionin publik ka një shqetësim se rritja e çmimit të cigareve ka filluar përpara se të hynte në fuqi paketa fiskale.
Statistikat zyrtare tregojnë se gjatë muajit Dhjetor 2013, në Shqipëri u importuan rreth 246 ton cigare më shumë e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Ky produkt fillimisht depozitohet nëpër magazina dhe pas një fare periudhe ai del në treg, dhe ky është moment kur për këtë mall paguhet akciza. Akciza e duhanit është rritur me 20 lekë në fillim të këtij muaji, pasi aktualisht po tregtohen produktet e importit që në vend kanë hyrë gjatë vitit 2013.
Ndërsa sipas procesverbalit të mbajtur në Komisionin për veprimtarinë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin në datë 13.11.2013 rezulton se tregu i cigareve ka një xhiro rreth 300 milion euro në vit ndër të cilat 70% e tyre janë tatime, si: akcizë, TVSH, taksë doganore dhe të gjitha llojet e tatimeve të tjera. Deri në fund të vitit 2013 akciza ka qënë 70 lekë për paketë.
Sipas Konkurrencës, nga monitorimi i tregut të duhanit dhe cigareve të paketuara në nivelet e shitjes me shumicë dhe pakicë rezulton se ka patur rritje të çmimeve thuajse nga të gjithë shoqëritë aktive në tregun përkatës përpara hyrjes në fuqi të paketës fiskale që ndryshoi akcizën e këtij produkti.
Produkti duhan dhe cigare të paketuara është një mall që i nënshtrohet regjimit të akcizës dhe për këtë arsye konsumatori ka një kërkesë të fortë për këtë produkt që nënkupton një kërkesë inelastike ndaj çmimit.
Trasmetimi i akcizës dhe TVSH te konsumatori final është i pritshëm për karakteristikat e këtij produkti dhe ndryshimit të barrës fiskale, por Autoriteti i Konkurrencës do të vlerësojë nivelin e konkurrencës në treg nëse ka kufizime, shtrembërime apo pengime të konkurrencës si pasojë e sjelljes së një ose disa konkurrentëve në treg në formën e abuzimit të mundshëm me pozitën dominuese(të përbashkët të disa ndërmarrjeve) dhe/ose marrëveshjeve të ndaluara për fiksim të çmimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.