Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve të Mitrovicës ka shtruar nevojën e themelimit të një gjykate komerciale, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Përfaqësues të bizneseve të Mitrovicës kanë zhvilluar një takim me ministrin e Drejtësisë Abelard Tahirin të martën, në të cilin merrnin pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, Rrustem Abiti nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Flamur Lajçi nga Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA e ku u diskutua për ndikimin e drejtësisë në zhvillimin e bizneseve, si dhe për sfidat dhe mundësitë e reformimit në sektorin e drejtësisë në raport me bizneset.
Në takim u theksua përkushtimi i bizneseve dhe institucioneve të drejtësisë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimi ekonomik në vend përmes koordinimit të plotë të bizneseve dhe institucioneve të drejtësisë, për rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe për përmirësimin e mirëqenies sociale.
Edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, si dhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës Rrustem Abiti vlerësuan se Kosovës i duhet patjetër një gjykatë për bizneset dhe ekonominë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.