Fatkeqësisht ajo nuk ka gjasa të sjellë shumë të ardhura ose të hapë vende të reja pune
Në vitin 1878, farkëtari Tetteh Quarshie, solli në Gana, në mënyrë të paligjshme rrënjë nga bima e kakaos, të cilat ai i mbajti të fshehura në kutinë e mjeteve të punës, shkruan The Economist. Në ditët e sotme, banorët e Ganës i referohen atij si një hero kombëtar.
Pemët e mbjella prej tij në kodrat jashtë Açras sot janë shndërruar në një atraksion turistik për një numër të madh turistësh. Por a e bëri kakaoja atë të pasur? Jo, është përgjigjja e dhënë nga një prej ciceronëve të zonës. Ai arriti të merrte vetëm një herë frytet e kësaj bime dhe më pas vdiq. Që prej vitit 1878, afrikanët perëndimorë janë në kërkim të vazhdueshëm të pasurisë që mund të përfitojnë nga kakaoja.
Po ashtu si z. Quarshie, edhe ata kanë qenë pa fat në këtë drejtim, edhe pse Gana dhe Bregu i Fildishtë prodhojnë rreth 60% të kakaos në botë. E megjithatë, ata shesin kryesisht kakao të papërpunuar. Fitimet e tyre për eksportin e kakaos janë ekuivalente me më pak se një të dhjetën e shitjeve të çokollatës në të gjithë botën. Pushtetin në këtë industri vazhdojnë ta kenë ende një grup i vogël firmash tregtare dhe prodhuesish të çokollatës në vendet e pasura.
“Ne u dërgojmë atyre produkte të papërpunuara dhe ata më pas i rrisin vlerën”, shprehet me hidhërim Owusu Afriyie Akoto, ministri i Bujqësisë në Gana. Gana dhe Bregu i Fildishtë po përpiqen që të bëhen pjesë e këtij zinxhiri. Gana është shumë afër përfundimit të marrjes së një huaje me vlerë 600 milionë dollarë nga Banka Afrikane për Zhvillim, e cila do të mbështesë edhe procesin e përpunimit të kakaos. Qeveria e Ganës është duke kërkuar ndihmën e shtetit kinez, në drejtim të ndërtimit të një fabrike të përpunimit të kakaos.
Vëzhgues të ndryshëm e shikojnë këtë si një provë për industrinë afrikane. Por nuk është një model i dobishëm. Kakaoja nuk ka gjasa të sjellë shumë të ardhura apo të hapë vende pune. E megjithatë, disa shenja pozitive po shihen. Sot, rreth 21% e kakaos prodhohet në Afrikë, në krahasim me 15% rreth një dekadë më parë. Bregu i Fildishtë konkurron Holandën si lider botëror për sa i përket vëllimit të kakaos së prodhuar. Era e kakaos ndihet kudo në qytetin e Tema në Ganë.
Niche Cocoa është një prej përpunuesve në këtë qytet, që eksporton gjalpë kakaoje, likere të ndryshme dhe torta çokollate, ndërsa brenda vendit shet çokollata të ndryshme. Konsumatorët nuk mund të besojnë se ato prodhohen në Gana, shpjegon Lloyd Ashiley, menaxher në plantacionin e bimëve të kakaos. Pjesa më e madhe e përpunimit në rajon bëhet nga të njëjtat shumëkombëshe që përpunojnë kakaon në Europë apo diku tjetër.
Në Gana, firmat që ndodhen në zonat e lira përfitojnë edhe reduktime taksash. Qeveria, e cila dominon industrinë e kakaos, ka ofruar një zbritje për të gjithë ata që do të përpunojnë kokrrat më të vogla të kakaos, një formë për të nxitur përpunimin vendas.
Por kur ato mbarojnë, edhe puna mbetet në atë fazë dhe pothuajse gjysma e kapacitetit mbetet e papërdorur. Sot janë harruar ditët kur George Cadbury ndërtoi modelet ideale të fshatrave për punonjësit britanikë. Sot, një fabrikë moderne e kakaos është një labirint makinerish metali të mbikëqyrura prapa ekraneve të kompjuterëve. E gjithë industria përpunuese e Ganës punëson vetëm disa mijëra njerëz.
Investimi kapital që kërkohet për të përpunuar kakaon në Bregun e Fildishtë mund të kërkojë punësimin e mbi 300 punëtorëve, tha në vitin 2012, Banka Botërore. Problemi më i madh është gjeografia dhe mungesa e marketingut, i cili ndikon shumë në rritjen e vlerës së çokollatës. Konsumatorët janë kryesisht në Europë apo në Amerikën e Veriut.
Transportimi i çokollatës përmes klimës tropikale në vendet e mësipërme është një proces i vështirë. Konsumi i çokollatës në Afrikë është i ulët, por disa fabrika artizanale, si Instant Chocolat po ndikojnë në ndryshimin e situatës. Një markë çokollate nga Gana, 57 Chocolate, i stampoi të gjitha mbështjellëset e çokollatave me simbolin e Adinkras, një prej simboleve më të përdorura në Gana.
Kimberly dhe Priscilla Addison, motrat që e themeluan këtë markë, u erdhi në mendje ideja gjatë kohës kur jetonin në Zvicrën që njihet për disa prej çokollatave më të mira në botë. Pse të mos prodhonim një markë çokollate plotësisht afrikane, u shpreh Kimberly. Por fatkeqësisht këto firma veprojnë në një shkallë shumë të vogël.