Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto vizitoi sot Portin e Shëngjinit me rastin e përfundimit të punimeve për kalatën e re dhe për thellimin e bazenit.
“Është një zhvillim i rëndësishëm për Portin e Shëngjinit, pasi kanë përfunduar punimet per kalaten e re dhe për thellimin e bazenit dhe është bërë krejtësisht funksional kjo pjesë e rëndësishme e Portit, që do të ketë një ndikim shumë të madh në rritjen e volumeve të përpunimit të mallrave dhe të pasagjerëve, nga porti i Shëngjinit”, tha Ministri Haxhinasto.
Është një zhvillim i pritur, është pjesë e strategjisë sonë, për të përmirësuar infrastrukturën portuale dhe për të rritur volumin e shërbimeve në portet tona. Ashtu siç po ndodh me Portin e Sarandës, apo atë të Vlorës, një investim i ri që fillon këto ditë prej 15 milion eurosh, po keshtu do të vazhdojmë edhe me Portin e Durrësit me përmirësimin dhe investimet në kapacitetet e përpunimit të mallrave, kështu do të ndodhi edhe me Shëngjinin, dhe jam i bindur që volumet e mallrave dhe cilësia e shërbimit këtu do të ketë vetëm rritje. Kemi shenja të mira, trendet janë në rritje, dhe kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, tha ai.
Një mundësi e re e krijuar në Portin e Shëngjinit është parkimi i jahteve dhe i barkave turistike që do të jetë një kontribut për industrinë e turizmit, por gjithashtu edhe një kontribut për të ardhurat që do të realizojë Porti i Shëngjinit, shtoi Ministri.
Unë uroj që me këto kapacitete që po vijnë gjithmon në rritje, Shëngjini të ofrojë mundësi edhe më të mira edhe për operatorët ekonomikë të Kosovës të cilët janë gjithmon të mirëpritur këtu, me qëllim që të shkurtohen distancat e tyre për marrjen e mallrave dhe t’u ofrohen shërbime sa më cilësore në këtë port.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.