Në një material prej 80 faqesh, qeveria e re ka publikuar programin që do të shërbejë si bazë për qeverisjen e katër viteve 2013-2107. Ai është i mbështetur në 5 shtylla kryesore
–Integrimi në Bashkimin Europian
-Shqipëria evropiane në rajon dhe në botë
-Shteti i të drejtës dhe demokratizimi i qeverisë
-zhvillimi ekonomik
-shërbimet publike
1. Integrimi në Bashkimin Europian
Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit të shoqërisë shqiptare, në përputhje me vlerat dhe parimet e Evropës së Bashkuar, për t’i dhënë fund kësisoj, një tranzicioni të pafund që nuk krijon institucione demokratike, modele zhvillimi të qëndrueshme dhe cilësi jete.
Marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian do të përbëjnë përparësinë e veprimit politik të shumicës së re. Zbatimi me korrektësi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), përmbushja e pjesës së mbetur nga 12 prioritetet e Planit të Veprimit, janë elementë kryesorë për cilësinë dhe shpejtësinë e procesit të aderimit të Shqipërisë në BE.
Ne do të hartojmë Strategjinë e re për Zhvillim dhe Integrim 2014 – 2020 dhe strategjitë e tjera sektoriale, duke siguruar përputhshmërinë e këtyre dokumenteve me IPA II, sikundër do të përditësojmë Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA. Do të përmirësojmë rrënjësisht modelin aktual të bashkërendimit të ndihmës së BE dhe asistencën dypalëshe e ndërkombëtare, duke e kanalizuar atë drejt agjendës zhvillimore të vendit.
Në vend të ping pongut institucional do të ndërtojmë një mekanizëm në nivel ndërinstitucional për identifikimin e nevojave dhe kapaciteteve për programimin dhe zbatimin e projekteve të financuara nga BE. Do të zbatojmë rekomandimet e auditorëve të BE-së në lidhje me akreditimin e strukturave për menaxhimin e fondeve të BE-së.
Njëkohësisht, do të qartësojmë përgjegjësitë institucionale për mirëmenaxhimin e ndihmës së huaj, duke përfshirë rolin e Koordinatorit Kombëtar të IPA (NIPAC). Do të bashkërendojmë përgjegjësitë ndërmjet autoriteteve shtetërore në lidhje me projektet e infrastrukturës të financuara nga BE dhe do të ndërmarrim masat paraprake për të mundësuar menaxhimin e fondeve bujqësore IPARD.
Me opozitën parlamentare, do të përvijojmë një marrëdhënie të re, duke nxitur kulturën e kompromisit politik, duke prodhuar reforma të prekshme e të qëndrueshme shtetndërtuese.
Do të ndërtojmë një marrëdhënie të hapur besimi e bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë në këtë proces dhe më posaçërisht, me të gjitha institucionet vendimmarrëse të BE-së. Mbështetja dhe konsensusi popullor për këtë qasje do të përkthehet nga ne në veprime konkrete e reforma të qëndrueshme që synojnë konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, krijimin dhe forcimin e një ekonomie tregu funksionale, të aftë për të përballuar forcat e konkurrencës dhe zbatimin e standardeve evropiane në jetën e përditshme.
Bashkërendimi i brendshëm, shoqëruar me vendosjen e shërbimit të jashtëm në pararojë, janë dy elementë të domosdoshëm që do të garantojnë cilësi dhe ritëm më të shpejtë në këtë angazhim. Në të njëjtën kohë, do të garantojnë kurs reformash radikale që do ta trupëzojnë procesin e integrimit evropian në shtratin e politikave zhvillimore të vendit.
Vullneti ynë politik do të jetë i prekshëm falë krijimit të një shërbimi publik evropian dhe reformimit tërësor, strukturor të shërbimit diplomatik dhe financimit të tij, në përputhje me këtë prioritet kombëtar. Do të ofrojmë stimuj për të promovuar profesionalizimin, meritokracinë dhe qëndrueshmërinë në shërbimin publik për administratorët e rinj evropianë, duke u ndarë një herë e mirë nga sëmundjet e partisë-shtet, nepotizmi e konflikti i interesit.
Ne e konsiderojmë suksesin e procesit të integrimit evropian, të lidhur ngushtë me komunikimin e zhdërvjelltë që duhet të përfshijë të gjithë aktorët kryesorë, e sidomos partnerët socialë, shoqërinë civile, shoqërinë akademike dhe grupet e interesit. Vetëm në këtë mënyrë, pritshmëria e qytetarëve do të jetë realiste dhe reformat do të mund të shoqërohen me mbështetjen e duhur, si dhe ndjenjën e përkatësisë së procesit të integrimit evropian nga ana e shoqërisë shqiptare.
2. Shqipëria evropiane në rajon dhe në botë
Politika e jashtme
Programi ynë qeverisës për politikën e jashtme synon jo vetëm të korrigjojë gabimet e së shkuarës që kanë rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, por të rrisë cilësinë dhe të përshpejtojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, besueshmërinë në rajon dhe strukturat euro-atlantike.
Parimet bazë që udhëheqin politikën tonë të jashtme janë normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, të mirëkuptimit dhe të respektit të ndërsjellë midis kombeve, respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe solidaritetit ndërkombëtar. Politika jonë e jashtme do të udhëhiqet nga parimet e parashikueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë e ka në qendër të misionit të saj mbrojtjen e interesave kombëtare, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për stabilitetin demokratik në rajon e më gjërë.
Vizioni ynë mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, marrëdhëniet e konsoliduara dhe strategjike me fqinjët tanë anëtarë të BEsë dhe të NATO-s, si Italia, Greqia dhe Turqia, influenca dhe rrezja e veprimit e të cilave është e pazëvendësueshme në rajonin e Mesdheut dhe në Ballkan, zgjerimin e bashkëpunimit më të thellë e të gjithanshëm me Gjermaninë dhe Austrinë, inkurajimin e rritjes së shkëmbimeve dypalëshe me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Vendet e Ulëta dhe Spanjën, forcimin e lidhjeve me të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe Izraelin, sikundër dhe të shkëmbimeve me vende të rëndësishme në rrafshin global si: Kina, Japonia, Rusia, India, Brazili.
Përmbushja e angazhimeve si vend anëtar i NATO-s dhe procesi i anëtarësimit në BE përbën për ne një objektiv kombëtar përcaktues për të ardhmen e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
Akset kryesorë të politikës tonë të jashtme
• Partneritetet strategjike me SHBA dhe BE Partneritetet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian përbëjnë dy themelet kryesorë të politikës sonë të jashtme. Ne zotohemi që të vëmë ne veprim një metodë konsultimi dhe bashkëveprimi intensiv me SHBA dhe BE në forumet dypalëshe, si dhe ato shumëpalëshe në mënyrë që të rritim cilësinë dhe të shumëfishojmë frytet e bashkëpunimit tonë strategjik me Uashingtonin dhe Brukselin.
Përmbushja e angazhimeve që burojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën për ne një prioritet. Ndërkohë që kontributin ushtarak në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse apo ndërtimin e paqes, do ta shoqërojmë me një kontribut civil e diplomatik në përputhje me mundësitë tona. Marrëdhëniet me SHBA do të thellohen në të gjitha aspektet e politikës së jashtme, duke filluar që nga proceset informative të analizës dhe ato të parashikueshmërisë strategjike, deri tek diplomacia publike. Njëkohësisht, marrëdhëniet me BEnë do të fuqizohen nëpermjet konsultimeve të drejtpërdrejta me kryeqytetet e vendeve që luajnë një rol kryesor në vendimmarrjen e politikës së jashtme evropiane.
• Cilësi dhe ritëm dhe në procesin e aderimit në BE
Angazhimi ynë kryesor është marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Zbatimi me korrektësi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), 12 prioriteteve të identifikuara nga BE dhe perthithja e ndihmës financiare të BE, mbeten vendimtare në këtë drejtim. Shërbimi ynë diplomatik do të jetë më efikas në përfaqësimin e agjendës evropiane të Shqipërise në kryeqytetet e vendeve që luajnë një rol kryesor në vendimmarrjen Evropiane. Ministria e Punëve të Jashtme do të jetë pjesë e rëndësishme e mekanizmit në nivel ndërinstitucional për identifikimin e nevojave në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE, duke drejtuar aspektet e jashtme të këtij procesi. Ndërkohë që aspektet e brendshme do të bashkërendohen nga Ministria e Integrimit Evropian
•Shqipëria evropiane si model frymëzimi në rajon:
përmirësimi i marrëdhënieve dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik me vendet fqinje
Ne besojmë tek Shqipëria evropiane si model frymëzimi, faktor paqeje dhe stabiliteti demokratik. Ky besim diktohet nga përgjegjësia jonë gjeostrategjike si një vend anëtar i NATO-s, nga pesha dhe hapësira që ka fituar faktori shqiptar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe perspektiva e integrimit euro-atlantik, e cila orienton doktrinën e sigurimit kombëtar në rajon. Ruajtja dhe konsolidimi i paqes dhe stabilitetit demokratik, sikundër thellimi i bashkëpunimit rajonal me pikësynim final, ankorimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE, do të përbëjnë shinat kryesore, ku do të drejtohet politika jonë e jashtme në rajon.
Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës do të përbëjnë prioritet konstant të politikës sonë të jashtme në rajon. Ne do të synojmë trajtimin e çështjes çame në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Konsolidimi i marrëdhënieve me fqinjët tanë anëtarë të BE-së dhe NATO-s si Italia, Greqia dhe Turqia, influenca dhe rrezja e veprimit e të cilave është e pazëvendësueshme në rajonin e Mesdheut dhe në Ballkan, përbën për ne një prioritet. Ky konsolidim do të mbështetet në projekte strategjike për rimëkëmbjen ekonomike dhe lidhjen e rajonit tonë me Evropën. Përparësi kryesore në këtë drejtim do t’i jepet diplomacisë energjitike.
• Bashkëpunim strategjik me Kosovën
Bashkëpunimi strategjik me Kosovën do të jetë në funksion të rritjes ekonomike dhe cilësisë së jetës dhe përshpejtimit të procesit të integrimit euro-atlantik. Prania e dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, përbën një kapacitet qeverisës dhe administrativ shumë të madh për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët euro-atlantike. Do të vijojmë ndërmarrjen e hapave që ndihmojnë procesin e njohjeve të mëtejshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare .
Do të nënshkruajmë “Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë”, i cili do të instalojë praktikën e organizimit të mbledhjeve të përbashkëta të qeverisë, ku do të orientojmë dhe mbikëqyrim strategjitë e bashkëpunimit të thelluara në planin politik, ekonomik dhe social.
• Shqipëria evropiane me një rol të ri në bashkëpunimin shumëpalësh
Pavarësisht anëtarësimit të Shqipërisë në organizata të ndryshme ndërkombëtare, potenciali i saj nuk përfaqësohet denjësisht për shkak të problemeve të brendshme dhe mungesës së vizionit strategjik. Ne do të intensifikojmë bashkëpunimin dhe përmbushim detyrimet në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OSBE, Këshillit të Evropës. Ne çmojmë bashkëpunimin me FMNnë, Bankën Botërore dhe OBT-në, si një shans për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e social, konsolidimin makroekonomik dhe fuqizimin e urave tregtare përmes rregullave të harmonizuara me vendet e tjera pjesëmarrëse në këto organizata.
• Diplomacia në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit
Shërbimi diplomatik do të vihet në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, duke ndërmarrë një kurs iniciativash në fushën e promovimit të Shqipërisë pranë investitorëve të huaj dhe mbështetjes së biznesit vendas në arenën ndërkombëtare. Ekonomia dhe sektorët me avantazh të krahasuar do të jenë forca shtytëse e intensifikimit të kontakteve njerëzore dhe e bashkëpunimit rajonal. Do t’i japim një shtysë të re bashkëpunimit rajonal përmes gërshetimit të “Evropës Juglindore 2020” me projektet e agjendës “Evropa 2020”, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt në përmbushjen e kritereve ekonomike të anëtarësimit në BE.
• Shqiptarët në botë
Ne do të mbështesim aktivisht shqiptarët që jetojnë dhe studiojnë jashtë vendit, duke i dhëne prioritet vendeve ku ka më shumë prezencë shqiptarësh. Do të ndërtojmë një politikë shumëkahëshe, e cila përfshin rrezatimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, ofrimin e incentivave për ata që dëshirojnë të investojnë në ekonominë shqiptare, reformimin e shërbimit konsullor, duke krijuar shërbime të posaçme, sipas praktikave më të mira evropiane.
Shërbimi i jashtëm është sot pasqyra më e mirë e keqqeverisjes. Ky shërbim vuan nga politizimi i skajshëm, pemët familjare dhe rrjetet klanore, klientelizmi, mungesa e transparencës dhe eliminimi i sistemit të karrierës në bazë të meritës. Në themel të këtij problemi qëndrojnë moszbatimi apo keqzbatimi i ligjit.
Reforma tërësore strukturore e shërbimit diplomatik dhe e financimit të tij do të shërbejë si një shembull për ndërtimin progresiv të një shërbimi publik evropian në vendin tonë. Për përpilimin e kësaj refome ne do kërkojmë ndihmën dhe mbështetjen e partnerëvë ndërkombëtarë. Ne do të racionalizojmë përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në botë, në funksion të përmbushjes me efektivitet të prioriteteve të politikës sonë të jashtme.
3. Shteti i të drejtës dhe demokratizimi i qeverisë
Siguria e jetës
Rritja drastike e shifrave të kriminalitetit, veçanërisht e veprave penale të rënda kundër jetës e pronës së qytetarëve dhe shkelja e vazhdueshme e të drejtave e lirive themelore të njeriut, dikton domosdoshmërinë e një reforme themelore shumëdimensionale për të rikthyer sigurinë dhe garantimin e rendit publik, të jetës shoqërore dhe të zhvillimit të sipërmarrjes në Shqipëri, si dhe përmbushjen e angazhimeve tona rajonale e ndërkombëtare.
Anashkalimi ose shkelja e ligjit, mungesa e transparencës dhe e pjesëmarrjes së publikut, anarkia në kuadrin ligjor e reformat sektoriale, militantizmi, mungesa e profesionalizmit, formimi i munguar, demotivimi e në shumë raste, korrupsioni ose lidhjet me botën e krimit, janë ndër arsyet e rritjes eksponenciale të shifrave të krimit dhe nivelit të ulët të efikasitetit të Policisë së Shtetit, duke cënuar besimin e publikut në forcën dhe zbatimin e ligjit.
Duke e konsideruar një prioritet absolut, sigurinë dhe rivendosjen e rendit publik, Qeveria angazhohet për të rikthyer besimin e publikut në një Shqipëri më të sigurt, ku forca e ligjit vlen për të gjithë në mënyrë të barabartë, në përmbushje dhe respekt të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Objektivi ynë absolut është shembja e murit të pandëshkueshmërisë dhe imuniteteve të paligjshme.
Siguria e pronës
Mekanizmat që garantojnë respektimin e pronës publike dhe private në Shqipëri janë sot të bllokuara. Menaxhimi i pronave publike është kaotik, nuk ka strategji që e udhëheq, bëhet pa transparencë dhe është shpesh pre e korrupsionit.
Qeveria jonë do t’i verë këta mekanizma në lëvizje, duke zhbllokuar dhe bërë funksionale katër shtyllat, mbi të cilat do të mbështet ngrehina pronësore e shtetit:
(i) kthim-kompensimi i pronave private;
(ii) Agjencia e Legalizimeve;
(iii) Zyra e Hipotekës (ZRPP);
dhe
(iv) pronat publike në nivel të qeverisjes qendrore dhe vendore.
Qeveria jonë do të ndërmarrë një ristrukturim të gjerë të sistemit të menaxhimit të pronës në Shqipëri, për ta kthyer atë në një sistem modern, efikas dhe transparent në përputhje me praktikat më të mira të vendeve të tjera evropiane. Kjo reformë do të nisë me riorganizimin e të gjitha agjencive që merren me administrimin, regjistrimin dhe dokumentimin e pronave (si Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, ALUIZNI, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike). Në të njëtën kohë, qeveria jonë do të rishikojë Strategjinë Ndërsektoriale në Fushën e të Drejtave të Pronësisë 2012 – 2020, për të përcaktuar hapat konkretë dhe prioritarë për t’i dhënë fund kaosit në administrimin e pronave publike dhe private dhe ngritjen në këmbë të një sistemi sa më të përshtatshëm për mbrojtjen e të drejtës së pronësisë, si një prej të drejtave themelore të individit.
Qeveria do t’i kushtojë rëndësi të posaçme hartimit të një dokumenti strategjik për konsolidimin e tokës bujqësore; përfundimit të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokat bujqësore dhe ngritjes së infrastruktures së përshtatshme për ndjekjen dhe trajtimin në vijimësi të këtij procesi. Qeveria jonë do të zhdukë tri ‘zarfat’ e hallkave të korrupsionit: zarfi tek kthimi i pronave, zarfi tek legalizimet dhe zarfi tek regjistrimi i pronës. Për të arritur këtë qëllim, qeveria:
(i) do të përfundojë regjistrimin fillestar në zonat kadasrale që kanë mbetur, duke bërë të mundur krijimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme;
(ii) do të realizojmë regjistrimin e pronave në zonat turistike, bregdetare, akset e rrugëve kryesore;
(iii) do të verë në zbatim një program të veçantë për regjistrimin e pronave në bregdetin e jugut të Shqipërisë;
(iv) do të krijojë Regjistrin Kombëtar Elektronik të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si një regjister efektiv dhe efikas që u shërben institucioneve publike, atyre private dhe individëve;
(v) do të rishikojë legjislacionin në fuqi lidhur me legalizimin e ndërtimeve informale, me qëllim përcaktimin e rregullave të qarta dhe të drejta që do të shërbejnë për përfundimin e procesit të legalizimit dhe parandalimin e ndërtimeve të paligjshme në të ardhmen.
Për qeverinë e re nuk do të ekzistojë më termi “ish-pronar”. Kjo nuk është çështje termi, por çështje strategjie në zgjidhjen e problemit. Shqiptarët do të jenë të gjithë pronarë të ligjshëm në prona të ligjshme. Qeveria do ta zgjidhë çështjen e pronarëve të vjetër duke:
(i) i dhënë përparësi kompensimit në natyrë, në raport me kompensimin financiar, në mënyrë që të ulet fatura financiare për shtetin;
(ii) (ii) e orientuar procesin e privatizimit të pasurive publike drejt kompensimit të ish-pronarëve;
(iii) (iii) saktësuar fondin e kompensimit për ish-pronarët, i cili do të operojë në mënyrë transparente sipas një skeme të qartë dhe të barabartë për të gjithë të interesuarit; dhe
(iv) (iv) eliminuar me ligj dhe në praktikë zvarritjet burokratike, si bazë për korrupsionin që lidhet me procesin e kthim-kompensimit të pronave
Lufta kundër korrupsionit
Në vitin 2012, Shqipëria zbriti 18 vende në renditjen e Indeksit të Korrupsionit të organizatës prestigjoze Transparency International, duke u klasifikuar si vendi më i korruptuar në Evropë.
Qeveria e re ka vullnet të palëkundur politik për luftimin e korrupsionit si një nga plagët më të thella që bjerr mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë dhe e ndan atë dukshëm nga vendet e Bashkimit Evropian.
Qeveria jonë do të intensifikojë ndjeshëm luftën kundër korrupsionit, duke çmontuar murin e paprekshmërisë e pandëshkueshmërisë. Qasja e qeverisë sonë në luftën kundër korrupsionit do të përqendrohet tre drejtime: parandalim, ndërgjegjësim dhe ndëshkim.
Parandalimi. Qeveria dhe mazhoranca e re:
(i) do të kalojnë në sitë të gjithë legjislacionin ekzistues dhe do të propozojnë nisma ligjore për mënjanimin sa më të madh të mundësive për t’u angazhuar në praktika korruptive në sektorin publik dhe privat, në përputhje me standardet e BE-së dhe instrumenteve ndërkombëtare (si GRECO, OECD, UNCAC); sHTETI I sË dREJTËs dHE dEMokRATIzIMI I sHoqËRIsË
(ii) (ii) do të hartojnë politika shtetërore dhe do të zbatojnë masa konkrete, duke përfshirë ato që lidhen me përmirësimin dhe zgjerimin e sistemeve të qeverisjes elektronike, si dhe përmirësimin drastik të shërbimit ndaj qytetarit në të gjithë sektorët e shërbimeve publike, të cilat miniminizojnë motivet dhe mundësitë e zyrtarëve publikë dhe të qytetarëve për t’u angazhuar në korrupsion;
(iii) (iii) do të hartojnë Strategjinë dhe Planin Kombëtar të Veprimit kundër Korrupsionit brenda vitit të parë të qeverisjes dhe do ta zbatojnë me efektivitet atë në vitet në vijim;
(iv) (iv) do të zbatojnë me përkushtim legjislacionin dhe do të ndërmarrin nisma të reja lidhur me publikimin e dokumentave zyrtare dhe transparencën në procedurat administrative.
Ndërgjegjësimi. Qeveria:
(i) do të përfshijë në mënyrë të gjerë dhe të rëndësishme shoqërinë civile, sektorin privat dhe atë akademik në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e nismave ligjore, strategjive dhe programeve kundër korrupsionit;
(ii) (ii) do të ndërmarrë nisma ligjore dhe do të përkrahë zbatimin e masave që inkurajojnë njerëzit që denoncojnë korrupsionin;
(iii) (iii) do të ndërmarrë dhe përkrahë nisma për vetëdijësimin e qytetarëve dhe sidomos brezit të ri, lidhur me rolin dhe përgjegjësinë e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe mekanizmat për eliminimin e tij, duke përfshirë këtu punën përmes edukimit etik dhe qytetar në shkolla.
Ndëshkimi i praktikave korruptive dhe vënia përpara përgjegjësisë të shkelësve të ligjit.
Qeveria do të propozojë një reformim të thellë të sistemit të ndjekjes penale kundër korrupsionit dhe do të mbështesë fuqimisht partneritetin polici – prokurori në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fazat e ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit, duke përfituar edhe nga ndihma teknike e partnerëve ndërkombëtarë në vënien në zbatim të praktikave më të mira për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit. Në katër vitet e ardhshme, qeveria do të punojë me përparësi për ta shndërruar sistemin gjyqësor, nga një prej segmenteve më të korruptuar të shtetit, në një partner të fuqishëm, pa të cilin çdo iniciativë kundër korrupsionit do të ishte e destinuar të dështonte.
4. ZHVILLIMI EKONOMIK
Njëzet e dy vjet mbas fillimit të zbatimit të “terapisë së shok-ut” dhe ndërtimit të “ekonomisë së tregut” kemi shkuar drejt “mbylljes” përfundimtare të një cikli të rëndësishëm të tranzicionit “nga planifikimi i centralizuar, drejt tregut të lirë”. Kemi shfrytëzuar e përdorur shumë mundësi për vendosjen dhe performancën e ekonomisë së tregut në kuadrin e paketës së rregullimeve strukturore, ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, jemi fokusuar pothuajse plotësisht te rritja ekonomike si treguesi i vetëm i suksesit e i performancës së politikave ekonomike e qeverisjes.
Kemi ndërtuar një model ekonomik tipik të tranzicionit, një profil të vetë ekonomisë shqiptare që me të mirat dhe defektet e tij u bë “lokomotiva” që na tërhoqi deri në fund të dekadës së dytë të këtij tranzicioni radikal, ndoshta nga më radikalët në gjithë grupin e vendeve të Evropës Qëndrore e Lindore. Megjithatë, kohës dhe përmbajtjes së këtij modeli duket se i ka ardhur fundi, pasi shumë nga elementët dhe energjitë e tij e arritën maksimumin e tyre dhe tashmë rezultojnë të shteruara për një periudhë tjetër 15-20 vjeçare të ardhshme që shkon deri në horizontin 2025-2030.
Kriza ekonomiko-financiare globale na nxorri në pah probleme thelbësore me natyrë strukturore:
• Sa e qëndrueshme është rritja jonë ekonomike?
• Sa të qëndrueshme janë burimet dhe furnizuesit e kësaj rritjeje?
• A kemi modelin e përshtatshëm për të garantuar ritmet e kësaj rritjeje në vitet që vijnë?
• A kemi një ekonomi të strukturuar e rezistente, me të cilën mund të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë?
Ekonomia
• Modeli i ri ekonomik
Garantimi i rritjes së qëndrueshme nënkupton faktin se ne do të gjejmë e identifikojmë “burime të reja që ushqejnë rritjen ekonomike” apo dhe « zëvendësuesit » e disa prej burimeve aktuale të rritjes që në periudha afatshkurtra e afatmesme pritet të kontribuojnë shumë më pak se deri më tani.
Nëpërmjet politikave tona ekonomike e financiare ne :
• do ta mbushim “gropën” që po krijon tkurrja e disa sektorëve të ekonomisë, zvogëlimi i remitancave, apo “mbarimi” i privatizimeve;
• do ta eliminojmë apo ngushtojmë deficitin tregtar dhe atë të bilancit të pagesave?
• do ta ristrukturojmë hapësirën rurale ku mbizotërojnë mini-fermat dhe përmirësojmë tendencën drejt një tregu toke aktiv, apo thellimit të kooperimit në formën e shoqatave që është akoma i ulët?
• do ta zhvillojmë, ristrukturojmë e modernizojmë biznesin shqiptar që dominohet nga bizneset e vogla familjare dhe reflekton akoma elementë arkaikë e informalë? Nëpërmjet politikave tona ekonomike dhe të zhvillimit, do t’i japim përgjigje konkrete pyetjeve, si:
• Cilat janë politikat strukturore që na konvergojnë më mirë e më shpejt me ekonominë evropiane?
• Cilët do jenë sektorët që do përbëjnë « motorin » e ekonomisë shqiptare në vitet në vazhdim? Do të vendoset një dialog i përhershëm me komunitetin e sipërmarrjes, vendas dhe të huaj, si dhe me ekspertizë të spikatur të huaj dhe vendase. Ky dialog do të institucionalizohet në ngritjen dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili do të operojë pranë kryeministrit.
• Sektorët prioritarë
Ne jemi të qartë në objektivat themelore të zhvillimit dhe modelit të rritjes ekonomike për 15- 20 vitet në vazhdim. Do të ndërtojmë “profilin” e ekonomisë shqiptare të dy dekadave në vazhdim, të identifikuar nëpërmjet disa sektorëve prioritarë si manifaktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe agroindustria, arsimi dhe shërbimet. Ndodhemi në një moment thelbësor për të saktësuar një koncept e një politikë të qartë për modelin e rritjes ekonomike dhe faktorët jetësorë të saj. Mbyllja e “periudhës 22-vjeçare të tranzicionit” dhe kriza ekonomiko-financiare na ka vënë përballë një fakti të pakundërshtueshëm. Modeli i deritashëm i rritjes ekonomike në Shqipëri (i mbështetur kryesisht në të ardhurat nga emigracioni, donacionet si vend i varfër e në zhvillim që kemi përfituar me shumicë, kreditë e buta dhe ndihmën e huaj që kanë qenë një arterie e rëndësishme që furnizonte rregullisht ekonominë tonë, privatizimet masive që i kanë krijuar buxheteve tona luksin e të qenit në ekuilibër dhe me deficit minimal, vetëpunësimi kryesisht bujqësor, “boom-i” mbi 15-vjeçar i sektorit të ndërtimit, shkarkimi i papunësisë nëpërmjet emigracionit, etj.), duket se po shkon drejt shterimit total ose të pjesshëm.
Edhe politikat 22-vjeçare me prioritet “ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë” duke krijuar mundësi për rritjen ekonomike, duket se nuk mund të jenë më të vetmet. Do të bëjmë politika më të strukturuara, të mirëadresuara e të gjera për nxitjen maksimale të rritjes ekonomike, për garantimin faktorial të qëndrueshmërisë së saj, për rritjen e prodhimit vendas dhe eksporteve, për hapjen masive të vendeve të reja të punës.
Do të identifikojmë qartë faktorët e rinj të rritjes ekonomike që me anë të mbështetjes së sektorëve prioritare dhe politikave e masave specifike t’i kthejmë në avantazhe konkurruese.
• Strategjia për rritjen ekonomike
Rritja ekonomike për një vend si Shqipëria mund të vazhdojë të nxitet në tre mënyra:
1. Nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë;
2. Nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para, të disa produkteve të gatshme dhe një kategorie të caktuar shërbimesh;
3. Nëpërmjet ristrukturimit ekonomik dhe reformave të vërteta strukturore, rritjes me prioritet të prodhimit të brendshëm, diversifikimit të produkteve dhe shërbimeve, adoptimit masiv të teknologjive të reja.
Dy mënyrat e para ne i gjykojmë se janë me nivel të lartë risku dhe jo të qëndrueshme. Ta mbështetësh rritjen vetëm tek investimet apo kreditë e huaja, gjë që na ka pëlqyer ta përmendim si “kulmin e suksesit të çdo qeverie” do të thotë:
• të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete,
• të jesh i varur shumë nga flukset, “devijimet” dhe “kapriçot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare,
• të prodhosh një rritje ekonomike jo reale, të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara, të cilat sintetizojnë një strukturë ekonomike e konsumi larg realitetit tonë.
Në kushtet kur borxhi publik në Shqipëri është në nivelet 64% e PBB dhe me tendencë rritjeje, kur deficiti buxhetor është gjithashtu në tendencë rritjeje, mundësitë për ta konsideruar këtë rrugë janë të vogla. Aq më tepër që aktualisht, sfida dhe frika e çdo qeverie në botë është “tejkalimi i borxhit publik”. Edhe rritja ekonomike e bazuar ekskluzivisht tek lëndët e para dhe eksporti i tyre, apo “eksporti i krahut të punës” vlerësohet si jo e qëndrueshme në periudha afatmesme e afatgjata, sidomos për shkak të fluaktuacioneve të mëdha të çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare dhe luhatjeve që pëson ky sektor nga evolucionet gjeopolitike, rajonale e ndërkombëtare.
Mënyra e tretë, që sipas shumë shembujve pozitivë në botë, ka prodhuar një rritje konstante afatgjatë është “promovimi i produkteve të përpunuara dhe ofrimi i shërbimeve moderne”. Duke parë zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesës për produkte të përpunuara si dhe efektet pozitive që ato japin në rritjen e punësimit të brendshëm, duhet që Shqipëria të bëjë politika specifike rritjeje ekonomike me këtë fokus. Kryefjala mbetet “rritja e prodhimit të brendshëm dhe shtimi i eksporteve”, shtimi i PBB nga prodhimi dhe jo nga konsumi siç ka qenë modeli dominues i deritashëm.
• Prodhimi vendas dhe nxitja e eksporteve
Meqenëse duam të nxisim rritjen ekonomike afatgjatë, duhet të mos mbetemi vetëm tek “politikat fondamentale” të programeve të ndreqjeve e përshtatjeve strukturore (si p.sh. stabiliteti makroekonomik, thellimi i privatizimeve, hapja e liberalizimi ekonomik), por:
• të fokusohemi maksimalisht drejt politikave prodhuese e sidomos politikave energjetike, industriale dhe agrare, të ndërtojmë politika specifike për mbështetjen dhe nxitjen e eksporteve;
• të jemi të kujdesshëm me stabilitetin financiar,
• të jemi maksimalisht të prirur për futjen masive të inovacioneve dhe teknologjive të reja në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe të biznesit tonë,
• të kemi realisht në fokus zgjerimin e kapitalit human dhe përfshirjen sa më të gjerë të popullsisë aktive të territorit në “kontributin dhe përfitimet nga/për rritjen ekonomike”.
Rritja ekonomike që ekziston në një terren ekonomiko-financiar, të dominuar nga deficiti i bilancit të pagesave, deficiti i konsiderueshëm tregtar, tregu ushqimor i varur dukshëm nga importet, nxitja subjektive e kërkesës së brendshme, mospërfshirja e gjerë e grupeve të ndryshme sociale dhe tërësia territoriale në kontributin e përfitimet nga rritja, nuk vlerësohet si rritje ekonomike e qëndrueshme dhe efikase. Kolona vertebrale e këtij ndryshimi duhet të jetë biznesi privat, ristrukturimi dhe modernizimi i tij. Ne jemi të bindur se kaq nuk mjafton. Shqetësuese në mjaft raste është “cilësia” e biznesit, është brishtësia dhe “amatorizmi” i tij, është informaliteti i lartë. Në gjuhën e politikave ekonomike ne do ta përkthejmë këtë si “domosdoshmëri akute për politika që zhvillojnë, zgjerojnë dhe konsolidojnë biznesin” dhe jo thjesht “përmirësimi i klimës së biznesit”.
• Mbështetje për biznesin e vogël e të mesëm
• Do të thellojmë reformën rregullatore për reduktimin në maksimum të barrierave administrative dhe kostot e biznesit, për eleminimin e informalitetit dhe korrupsionit;
• Do të punojmë për thellimin e lirisë së tregut, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe eleminimin e monopoleve;
• Do të hiqet taksa e biznesit të vogël dhe do të reduktohet barra fiskale e biznesit të vogël brenda vitit të ardhshëm;
• Do të rrisim efikasitetin e shërbimeve të administratës publike në favor të biznesit të vogël e të mesëm duke krijuar një partneritet të qëndrueshëm e të suksesshëm shtet-biznes;
• Do të përputhim plotësisht politikat tona të zhvillimit të biznesit të vogël e të mesëm me politikën evropiane për ndërmarrjet e vogla e të mesme me theks të veçantë në rritjen e konkurrueshmërisë dhe të punësimit;
• Do të nxitim dhe mbështetim kulturën moderne të sipërmarjes për biznesin, me theks të veçantë përmirësimin e menaxhimit, kualifikimin e punonjësve, standardet e cilësisë dhe konkurrueshmërinë, thithjen e investimeve, thellimin e inovacioneve dhe teknologjitë e reja, etj.
• Sektori financiar
Shumicën dërrmuese të sektorit financiar në Shqipëri e dominon sektori bankar. Madhësia e sektorit bankar ka rreth një vit e gjysmë që është në nivelin rreth 12 miliardë dollarë (me rritje dhe rënie të ulëta momentale). Nga këto, rreth 5.4 miliardë dollarë janë të huaja e i janë dhënë biznesit dhe individëve. Ky nivel huaje ka rreth 2 vite qe nuk ndryshon, duke rezultuar në një bllokim thuajse tërësor të kreditimit.
Faktorët kryesorë ndikues përfshijnë, në njërën anë, mungesën e kërkesës së shëndoshë nga biznesi dhe individët dhe nga ana tjetër, kujdesin më të lartë të sektorit bankar ndaj rrezikut të moskthimit të kredisë. Cilësia e portofolit të kredive është përkeqësuar; kreditë me probleme zënë afro 25% të portofolit të kredive.
Ndërsa për sektorin bankar mund të themi që nuk po financon sa duhet ekonominë me kredi të reja edhe pse në kushte të kënaqshme të likuiditetit dhe kapitalizimit, për institucionet e tjera financiare, tregu kërkon përmirësim të ndjeshëm, si nga pikëpamja rregullative, mbikëqyrëse ashtu edhe në sasinë e cilësinë e shërbimeve.
Angazhimi ynë për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare kredidhënëse, institucioneve të tjera financiare jobanka dhe krijimin e një banke në dobi të zhvillimit bujqësor, do të shoqërohen nga reforma e ristrukturimit të sistemit financiar, duke krijuar një institucion mbikëqyrës për të gjithë sistemin financiar. Mbështetje funksionimit të sistemit shumëkolonësh të pensioneve, duke nxitur sidomos për brezin e ri, pjesëmarrjen edhe në skemat private, suplementare e vullnetare të pensioneve.
Zgjerim dhe thellim të tregut financiar me njësi e produkte të reja dhe aktivizim real të ekzistuesve, sidomos të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë etj. Zhvillime më cilësore do të synohen edhe në tregun e sigurimeve.
• Rregullimi dhe mbikëqyrja e tregjeve
Monopolet sundojnë furnizimin dhe tregtimin e disa mallrave të domosdoshëm për shqiptarët dhe ekonominë tonë si gruri, sheqeri, orizi, vaji, barnat, karburantet, çimento, hekuri. Të kontrolluara janë edhe tregjet e shërbimeve të telekomunikacionit dhe të tregtimit të titujve financiarë, të lëshuar nga Qeveria e Shqipërisë. Ndryshimet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare pasqyrohen në tregun vendas vetëm përmes rritjes së çmimeve me shumicë. Autoritetet rregullatore janë të pafuqishme dhe në më të shumtën e rasteve nuk kanë për qëllim të nxitin konkurrencën e ndershme, as edhe kur konstatojnë prezencën e monopoleve.
Qeveria e sotme e ka orientuar me qëllim punën e këtyre autoriteteve vetëm drejt kapjes së “peshqve të vegjël”. Qeveria i ka shtrirë monopolet edhe në shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit, duke vënë shumë të mira publike në shërbim të një pakice sipërmarrësish, ngushtësisht të lidhur përmes interesave politike dhe financiare me familjen në pushtet. Shumë projekte koncesionare kanë injoruar në mënyrë të plotë impaktin në mjedis, duke instaluar një sistem, ku për fat të keq, avantazhi konkurrues që ofron Shqipëria e sotme është dumpingu mjedisor.
Ky sistem do të thotë përfitim përmes shkatërrimit. Do të punojmë për një funksionim sa më transparent e efikas të tregjeve në të gjithë sektorët e ekonomisë. Me masa e politika konkrete, do të nxitim e mbështetim lirinë e tregjeve, eleminimin e monopoleve dhe informalitetin, si dhe çdo formë tjetër që cënon funksionimin normal të tregjeve. Do rritim në maksimum efikasitetin e masave dhe strukturave të mbikëqyrjes së tregjeve. Do të përmirësojmë rrënjësisht mënyrën e organizimit dhe funksionimit të enteve të ndryshme rregullatore në funksion të rregullimit dhe mbikëqyrjes së tregjeve.
• Partneriteti publik-privat
Partneriteti publik-privat vlerësohet si një marrëdhënie efikase bashkëpunimi mes dy sektorëve, e cila në shtete të ndryshme të zhvilluara apo në zhvillim të shpejtë ka dhënë rezultate mbresëlënëse. Ndryshimet ligjore të viteve të fundit që synonin të nxitnin partneritetin publik-privat, janë kompromentuar nga mbizotërimi i tejskajshëm i “koncesionit të pakërkuar”. Përdorimi në mënyrë të mbrapshtë i kësaj forme koncesionare të partneritetit publik-privat rrezikon të ardhmen e pasurive nëntokësore minerare, burimeve ujore, të drejtave publike mbi frekuenca numerike televizive e të telekomunikacionit, të avantazheve që ofron relievi, klima dhe pozicioni gjeografik i vendit. Partneriteti publik-privat nuk do të konsiderohet si privatizim, shitje, kalim i pronësisë apo ndonjë formë tjetër e kësaj natyre, por si bashkëpunim ndërmjet dy sektorëve për të investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në infrastrukturë, energji, mjedis dhe shërbime publike.
Do të punojmë që Shteti dhe sektori privat të ndërgjegjësohen maksimalisht për nxitjen dhe zgjerimin e këtij modeli. Do ta konsiderojmë PPP si një politikë specifike dhe efikase për tërheqjen e kapitalit privat në ekonomi. Do të ndërmerren masa e politika specifike për një promovim sa më të plotë të PPP në Shqipëri.
• Zhvillimi ekonomik dhe kultura e re politike
Ne do të punojmë për krijimin e një kulture të re politike, të orientuar nga konsensusi dhe qëndrueshmëria kur është fjala për:
• prioritetet strategjike dhe politikat thelbësore strukturore të zhvillimit,
• reformimin institucional të politikës dhe ekonomisë së orientuar nga respektimi i kulturës së konsensusit dhe ligjit,
• konsolidimin e rregullave bazë të tregut të punës dhe konkurrencës në sensin e privilegjimit të “tregjeve të koordinuara” në raport me “tregjet tërësisht të liberalizuara”,
• fiksimin e nivelit të mbrojtjes sociale,
• raportet ndërmjet bankave dhe tregut financiar në financimin e ekonomisë dhe zhvillimit, në mënyrë që të pershtatet sa më mirë dhe vetë biznesi,
• raportet ndërmjet modelit të kapitalizmit dhe “fuqisë ndryshuese” apo dhe përmbysjes së këtij modeli nga qeverisja,
• “specializimin” e sistemit arsimor, edukativ në funksion të modelit të zhvillimit,etj.
• Politika fiskale Baza e politikës fiskale do të jetë taksimi i ndershëm.
Zhvendosja nga politika e taksimit të sheshtë, drejt politikës së taksimit progresiv, ku “kush përfiton më shumë, të kontribuojë më shumë”, do të jetë lëvizja më e rëndësishme për të filluar një fazë të re të vendosjes së marrëdhënieve midis tatimpaguesve dhe tatimmbledhësve, të një politike tërësisht transparente dhe në harmonizim të interesave të grupeve me të ardhura të ndryshme me ato të shoqërisë në tërësi, të stabilizimit e përmirësimit të politikave fiskale në papajtueshmëri me arbitrarizmin dhe arrogancën e punonjësve të administratës fiskale.
Politika fiskale do të garantojë respektimin e deficitit buxhetor për të siguruar kontrollin e borxhit dhe sjelljen e tij në nivelin e pranueshëm për një vend në zhvillim, që nuk rrezikon zhvillimin dhe stabilitetin afatgjatë. Pra, politika fiskale që prodhojnë më shumë qëndrueshmëri fiskale. Kjo politikë do të ketë në fokus rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, prioritarizimin e shpenzimeve me efekte sa më të gjera dhe të shpejta, hapjen e perspektivave të reja për investime nga sektori privat, të prirura nga perfitime e rritje ekonomike, dhe punësimi. Politika fiskale që do të zbatohet nga qeverisja jonë ka si pikësynim të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të rrisë punësimin.
Objektivat dhe mbështetësit e politikave afatmesme do t’i orientojmë:
• për përmirësimin e klimës së biznesit,
• për uljen e taksave dhe thjeshtimin e sistemit tatimor e fiskal,
• për lehtësimin e presionit fiskal,
• për konsolidimin e biznesit dhe krijimin e një “kolone vertebrale” të qëndrueshme e të strukturuar të biznesit shqiptar e cila do të përbëjë dhe skeletin bazë të ekonomisë së qëndrueshme shqiptare, etj.
• për pagimin e borxheve publike ndaj bizneseve për shërbime apo kontrata të realizuara; • për realizimin e pagesave të TVSH-së së rimbursueshme të papaguar;
• për nxitjen e investimeve të brendshme dhe të huaja në sektorin privat dhe zhvillimin e vendit. •
Mbrojtja e konsumatorit
Në situatën e rënieve ekonomike, një kuadër i fortë ligjor për konsumatorët dhe zbatueshmëria e tij merr një vlere të shtuar, sepse krizat çojnë në rritjen e vulnerabilitetit të konsumatorëve dhe një zbatueshmëri efektive e kuadrit ligjor, rrit besimin e tyre ne treg. Kjo sjell rritjen e blerjeve që është motori për rigjenerimin e ekonomisë. Të drejtat e konsumatorëve të shprehura në një kuadër të shëndetshëm ligjor, përkthehen në detyrime për operatorët ekonomike, të cilët duhet të operojnë në një fushë me të njëjtat rregulla loje, gjë që rrit drejtpërsëdrejti konkurrencën e ndershme, hapjen e tregut dhe rritjen e punësimit dhe nxit mallra dhe shërbime më cilësore dhe me çmime konkurruese për konsumatorët. Për të mundësuar një mbrojtje sa më të mirë të të drejtave të konsumatorëve do të ngrihet dhe do të funksionojë Inspektoriati i Mbikëqyrjes së Tregut, i mirëorganizuar dhe i pajisur me burimet e domosdoshme njerëzore dhe financiare, i cili duhet të maksimizojë efektin e aktiviteteve të tij zbatuese, për të garantuar një nivel të kënaqshëm të sigurisë së produkteve në treg, dhe për të ndihmuar në funksionimin e një tregu të lirë konkurrues. Do të fuqizohet më tej Komisioni per Mbrojtjen e Konsumatoreve dhe rifreskimi i tij për shmangien e situatave problematike të vërejtura vitet e fundit. Ministria përgjegjësë për tregëtinë do të realizojë koordinim më të mirë të të gjithë politikave ndërsektoriale në mbrojtjen e konsumatorëve.
Punësimi
Të dhënat vërtetojnë pohimin e pakundërshtueshëm se në Shqipëri janë 1 milion të papunë. Sipas të dhënave zyrtare në Shqipërinë e 2013-s, ka më shumë se 51 mijë vetë më pak të punësuar se në vitin 2008. Rritja ekonomike relativisht e qëndrueshme e periudhës 2000-2008 nuk u shoqërua me rritje të punësimit, zvogëlim të ekonomisë joformale dhe zhvillim të kapitalit njerëzor.
Qeveria e re do ta ndryshojë këtë tablo, duke ndryshuar strukturën e ekonomisë, nga një ekonomi e bazuar tek konsumi i mallrave të importuara, emigracioni e informaliteti në një ekonomi që bazohet tek puna dhe rritja e produktivitetit.
Angazhohemi të krijojmë 300 mijë vende të reja pune.
40 mijë vende të reja pune në industrinë prodhuese dhe 12 mijë vende pune shoqëruese të lidhura me to, 15 mijë në industritë e lidhura me detin, 155 mijë në aktivitetet e lidhura me bujqësinë e blegtorinë, 62 mijë përmes reformimit të programit të ndihmës ekonomike, 11 mijë vende pune në industrinë e turizmit dhe 4 mijë vende të reja pune në teknologjinë e informacionit.
Riorientim tërësor i arsimit profesional drejt nevojave reale të tregut dhe kthim i shtetit në financuesin e mbështetësin kryesor të aftësimit profesional. Sistemi mbi të cilin kjo reformë do të bazohet është sistemi dual gjerman që karakterizohet nga një ndërthurje e mësimit teorik me punë praktike. Gjithashtu, kurset dhe arsimi profesional do të zgjerohen edhe në zonat rurale për t’i dhenë nxitjen e nevojshme industrisë agropërpunuese. Do të trajnohen me përparësi të gjithë punëkërkuesit e regjistruar nën moshën 25-vjeçare.
Po ashtu edhe të gjitha grave dhe vajzave të regjistruara si punëkërkuese do t’u ofrohet trajnim brenda një viti dhe brenda dy-vjeçarit të parë të të gjithë punëkërkuesve të regjistruar. Në bashkëpunim me sektorin privat në partneritete publike-private do të krijojmë shkollat e larta të arsimit profesional.
Do të ndërtojmë Agjencinë Kombëtare të Punësimit, si një njësi me buxhet dhe administrim autonom, e cila do të do mbledhë në një dhe do të rikonceptojë sipas praktikave më të mira modernizimin e zyrave të punës, sistemin e sigurimeve të punësimit, programin e nxitjes së punësimit dhe trajnimet profesionale. Do të rinisim dialogun e munguar prej kohësh me sindikatat për të rikthyer kulturën tripalëshe mes shtetit, punëdhënësve e punëmarrësve, çka do të rijetësojë edhe Këshillin Kombëtar të Punës si një instrument themelor në hartimin e politikave të punësimit, pagave e përfitimeve sociale.
Angazhohemi të përgjysmojmë papunësinë e regjistruar femërore dhe të rritim aksesin e Personave me Aftësi të Kufizuar në punësim, përmes programeve dhe kurseve kualifikuese të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.
Burimet natyrore
• Prodhimi i energjisë Sistemi Elektroenergjetik i Shqipërisë (SESH) trashëgon një sërë problemesh e sfidash me natyrë strategjike, tekniko-teknologjike e operacionale, tregtare e financiare që jo vetëm kanë vënë në rrezik zhvillimin e funksionimin normal të vetë SESH, integrimin e tij në sistemet rajonale të energjisë dhe investimet e reja për prodhimin e energjisë elektrike, por e kanë kthyer sektorin në pengesë serioze për një zhvillim ekonomik të lartë dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë. Kjo gjendje e SESH manifestohet në :
• paqartësitë dhe subjektivizmin e theksuar në strategjitë e zhvillimit dhe reformat e domosdoshme strukturore të sektorit,
• zhbalancimin e kërkesës për energji elektrike dhe ofertës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet brenda vendit,
• humbjet e larta teknike dhe joteknike të energjisë elektrike,
• nivelin e ulët të arkëtimit të faturave të energjisë elektrike,
• treguesit cilësorë nën standardet teknikoekonomike të energjisë elektrike të furnizuar tek konsumatori,
• mungesën e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike të konsumatorëve,
• mosmarrjen e statusit të antarësisë në Tregun Rajonal të Energjisë,
• privatizimin e dështuar të sistemit të shpërndarjes së energjisë,
• kaosin juridik dhe financiar që e shoqëron SESH, duke e bërë sektorin e energjisë të ndodhet në prag të kolapsit financiar.
Qeveria do të synojë hartimin e një strategjie afatgjatë dhe efikase për sistemin elektro-energjitik të Shqipërisë, me qëllim krijimin e një Sistemi Elektroenergjetik të qëndrueshëm operacionalisht, teknikisht dhe financiarisht, të aftë për të plotësuar kërkesën në rritje për energji elektrike brenda vendit duke e shndërruar Shqipërinë nga vend importues i energjisë elektrike, në vend eksportues të saj. Njëherazi synohet rritja e efikasitetit në përdorimin e energjisë elektrike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, shërbime dhe përdorim individual e ulja e humbjeve teknike dhe joteknike në shpërndarjen e energjisë elektrike.
Qeveria synon integrimin e Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar (SESH) me Sistemet Rajonale dhe Evropiane të energjisë elektrike, si dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy sistemeve elektroenergjetike Shqipëri-Kosovë, dukemundësuar shfrytëzimin me efikasitet të lartë të burimeve energjetike të të dy vendeve.
Do të kryhet një reforme legjislative – strukturore në SESH dhe në tregun e energjisë elektrike, duke plotësuar kushtet për liberalizimin e shitjes së energjisë elektrike në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Do të rritet pavarësia e Institucionit Rregullator, duke garantuar ushtrimin e kompetencave të ketij institucioni në mënyrë të paanshme dhe transparente, për të qënë gardian i interesave publike, konkurrencës së lirë e të ndershme dhe transparencës.
Do të vihen nën monitorim të plotë të veprimtarisë, sektori i prodhimit të energjisë elektrike dhe i investimeve për ndërtimin e burimeve të reja prodhuese të energjisë elektrike. Do të krijohet ambienti ekonomiko-ligjor që siguron një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit dhe do të futet një kulture e re në kuadrin e ekonomisë së energjisë dhe përdorimin efikas të saj në ekonomi dhe në konsum familjar. Qeveria do të kujdeset në harmonizimin sa më të mirë të zhvillimit dhe të investimeve në sektorin elektroenergjitik me ruajtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore.
• Hidrokarburet
Sektori i hidrokarbureve karakterizohet nga këto veprimtari jashtë monitorimit efikas shtetëror në sektorin e prodhimit të naftës e të gazit, duke dëmtuar interesin publik dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit. Tregu i importit dhe i shitjes me shumicë të hidrokarbureve është nën trysninë e situatës monopol. Veprimtaria e tregut për shitjen me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve kryhet në mungesë transparence për institucionet shtetërore dhe për publikun, duke dëmtuar rëndë interesat publike dhe private. Plotësimi i kërkesës për hidrokarbure dhe lëndë energjitike hidrokrabure bëhet pothuajse tërësisht nga importi, kur Shqipëria është vend prodhues i naftës bruto, mospërpunimi i së cilës cënon interesin publik e privat në vend.
Qeveria do të synojë hartimin e një strategjie afatgjatë dhe efikase për sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri, vënien nën një monitorim të plotë të veprimtarisë në sektorin e hidrokarbureve për të patur një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit, duke garantuar interesat publike në këtë sektor, forcimin e kapaciteteve shkencore dhe teknike në funksion të zhvillimit të sektorit hidrokarbur sot e në perspektivë. Tregu i karburanteve dhe gazit të lëngët do të zhvillohet me standarde teknike cilësore, në nivelin e vendeve evropiane, duke prishur monopolet e krijuara në këtë treg. Do të nxitim përpunimin e naftës bruto brenda vendit.
Do propozojmë ndryshime ligjore dhe institucionale të domosdoshme, si dhe një paketë masash nxitëse e stimuluese për përdorimin efikas të gazit në ekonomi, shërbime dhe përdorim individual në Shqipëri, në dekadën e ardhshme. Do të sigurohet mbështetje për zbatimin e politikave efikase për të mbështetur ndërtimin e Gazsjellsit TAP, duke realizuar përfitimet maksimale prej këtij projekti, përfshirë dhe mundësinë e shtritjes në tregun e brendshëm.
• Mineralet
Sektori i industrisë minerare karakterizohet nga veprimtari jashtë monitorimit shtetëror të aktivitetit në sektorin minerar, duke dëmtuar imazhin mirëqeverisës dhe seriozitetin e shtetit, madje edhe nga veprimtari të jashtëligjshme që dëmtojnë rëndë interesin publik. Puna në miniera kryhet jashtë rregullave dhe standardeve për sigurinë në punë, duke dëmtuar shëndetin e punonjësve, si dhe duke marrë jetë njerëzish në punët e rënda nën e mbi tokë.
Shkalla e përpunimit të mineraleve vazhdon të jetë mjaft e ulët dhe eksportet janë kryesisht në mineral bruto, duke dëmtuar interesin publik. Investimet në sektorin minerar janë pothujase inekzistente, duke bërë që ky sektor të ketë sot një prapambetje teknike e teknologjike kolosale, çka reflektohet në produktivitetin minimal të tij.
Qeveria do të synojë:
• Zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të sektorit të gjeologjisë dhe minierave duke e shndërruar këtë sektor në një industri me kushte e standarde bashkëkohore.
• Hartimin e politikave specifike që nxisin, orientojnë dhe garantojnë investime e financime masive të brendshme e të huaja në industrinë minerare.
• Ndërmarjen e masave ligjore dhe strukturore për të mundësuar rritjen e shkallës së pasurimit dhe përpunimit të mineraleve në vend.
• Rritjen e eksporteve minerare si një element i rëndësishëm i rritjes ekonomike, punësimit dhe nivelit të jetesës në zonat minerare.
• Monitorimin e veprimtarisë minerare me synim garantimin e interesit publik në këtë sektor. Do të kryejmë ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarive minerare të rrezikshme dhe të jashtëligjshme e ndërprerjen e veprimtarive minerare që nuk kanë respektuar detyrimet kontraktuale, që kanë dëmtuar e dëmtojnë rëndë mjedisin, sidomos të atyre veprimtarive pranë zonave urbane.
• Pyjet
Sipërfaqet me bimësi pyjore dhe kullotat mbulojnë rreth 60% të territorit të vendit por në 20 vitet e fundit përllogariten rreth 100,000 ha pyje të shkatërruar. Humbja e sipërfaqes në pyje është shoqëruar me fenomene të tjera si erozioni, humbja e habitateve për faunën e egër, rrëshqitjet e tokës, etj. Për të ndryshuar situatën, qeveria, fillimisht do të ndalojë për një periudhë të caktuar eksportin e lëndës drusore të papërpunuar, të druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit, duke synuar të ulim me 30% prerjen e drurëve në pyje.
Do të hartohet e miratohet strategjia kombëtare për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore. Kompanitë që marrin lejet për shfrytëzimin e pyjeve do të kenë edhe përgjegjësinë e mirëmbajtjes së tyre, duke mbjellë një fidan për çdo dru të prerë. Do të kryhet riinventarizimi kombëtar i pyjeve, duke mundësuar krijimin e një kadastre të re të pyjeve. Do të hartohet një program kombëtar për pyllëzimet si dhe do të organizohet dita kombëtare e mbjelljeve në pyje.
Do të forcohet shërbimi i ekstensionit, me qëllim asistimin e komunitetit dhe pushtetit vendor në politikëbërjen dhe menaxhimin e zonave pyjore. Do të hartojë një program të ri investimesh me qellim rehabilitimin e shpejtë të zonave pyjore me vlerë kombëtare si Lura, Qafshtama etj.
Zhvillimi urban, rural dhe rajonal
• Planifikimi dhe zhvillimi i territorit
Qeveria synon të mbyllë përfundimisht epokën e informalitetit në zhvillimin e tokës, territorit, hapësirave urbane e rurale dhe të krijojë nje mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Do të garantohet transparencë në planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe në proceset ligjore që rregullojnë planifikimin e zhvillimin.
Do të garnatohet që “ekuilibri midis interesave publike dhe private” në zhvillimin e tokës, si dhe interpretimi dhe administrimi i saktë i të “drejtës së zhvillimit”, të jenë pjesë integrale të mendësisë dhe realitetit të zbatimit. Për të realizuar këto objektiva, do të zbatohen një seri politikash e do të ndërmerren një sërë masash që konsistojnë, në nisjen e punës për hartimin dhe miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar si përkthim i strategjisë kombëtare të zhvillimit në territor dhe bazë për zhvillimin e qëndrueshëm, investimet dhe kontrollin e territorit.
Miratimi i planit, do të paraprihet nga miratimi i Zonave të Rëndësisë Kombëtare, mbi bazën e së cilave do të vendosen 3 Moratoriume të rëndësishme për ndalimin e aktivitetit ndërtimor në Bregdet, në burime pyjore dhe sipërfaqe ujore e në të gjitha zonat me rëndësi për Turizmin.
Do të vlerësohet informaliteti në territor, do të krijohet baza e integruar e të dhënave për territorin dhe do të ndërmerret procesi i legalizimit dhe integrimit të vendbanimeve informale, për t`i dhënë fund veprimeve të paligjshme.
Do të shpallet Momenti ZERO, pas të cilit çdo ndërtim është subjekt prishjeje të menjëhershme. Qeveria do të realizojë pa pagesë legalizimin e banesave pa leje në zonat informale. Do të hartojmë dhe zbatojmë Programin për Bregdetin e Jonit që konsiston në pastrimin e territorit nga informaliteti dhe keqpërdorimi e do të paraqesë modelet e para të rigjenerimit të qëndrueshëm të hapësirave urbane dhe natyrore me potencial turistik. Do të rritim standardet e zhvillimit të tokës në bregdet dhe do të evidentojmë rrjetin ekologjik.
Do të ndërmarrim një program të thellë reformues për Rigjenerimin Urban dhe Zhvillimin cilësor të Tokës përmes projektesh-pilot për qendrat urbane, por edhe përmes mbështetjes së projekteve dhe agjendave të zhvillimit të lagjeve, mbi baza konkurruese.
Do të mbështetim pushtetin vendor, që të marrë rolin udhëheqës në zhvillimin e tokës, duke mbrojtur zonat natyrore, historike dhe bujqësore, për të garantuar partneritet publik e privat në financimin e infrastrukturave dhe shërbimeve e duke administruar shpërndarjen e së drejtës së zhvillimit. Do të percaktohen tiparet arkitekturore dhe urbanistike tradicionale te zonave dhe fshatrave e qendrave të banuara, veçanërisht ne zonat turistike.
• Turizmi
Turizimi është një sektor prioritar i zhvillimit të ekonomisë së vendit, i rritjes së prodhimit dhe zbutjes së varfërisë. Zhvillimi i turizimit do të jetë pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm, me potencial te madh rritjeje, por me një avitje të integruar dhe plotësuese ndërsektoriale, që menaxhon burimet në mënyrë të balancuar, gjeneron zhvillim ekonomik dhe garanton punësim.
Ne synojmë të vendosim Shqipërinë si një destinacion të preferuar në ofertën mesdhetare të tregjeve ndërkombëtare të turizmit, duke krijuar një imazhi të ri për Shqipërinë turistike, duke shfrytëzuar potenciale dhe burime vendore, duke u fokusuar në atë çka është unike në Shqipëri dhe duke ofruar shërbim në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Krijimi i një modeli turizmi vjetor të integruar, aktiv dhe social, me fokus në dimensionin kulturoro-natyroro-ekologjik dhe si një kombinim zHvIllIMI EkoNoMIk SHQIPTARJA.COM 37 midis turizmit familjar dhe elitar.
Hartimin dhe zbatimin e Strategjisë së Turizmit, në përputhje me strategjinë kombëtare të zhvillimit dhe me Planin Kombëtar të Territorit. Realizimin në mënyrë të pandërprerë të një fushate informuese dhe promovuese për imazhin e Shqipërisë turistike.
Rol të rëndësishëm do të kenë jo vetëm institucionet publike, por edhe operatorët e industrisë dhe të gjithë agjentët e zhvillimit në vend, përfshirë median, shoqërinë civile, por edhe sistemin e shërbimit diplomatik. Do të formalizojmë dhe standardizojme tregun e hotelerisë.
Do të krijojmë bazën e integruar të informacionit për turizmin, përfshirë operatorët, strukturat dhe sitet turistike dhe do të ndërmarrim një reformë fiskale që synon reduktimin e TVSH-së për operatorët turisitikë. Do të krijojmë një paketë të veçantë turistike Shqipëri-Kosovë-Rajon, si bashkëpunim mes vendeve me popullsi shqiptare dhe fqinjëve në rajon, me qëllim kontributin në zhvillimin ekonomik të integruar.
Në përputhje me modelin e Turizmit, do të krijojmë tre programe kyç: Programi për Turizmin Kulturoro-Historik, që fokusohet në zonat e mbrojtura dhe monumentet e kulturës; promovon traditat shqiptare; adreson veçanërisht turizmin e bazuar në ekonomitë familjare dhe biznesin e vogël, në bashkëpunim me operatorët e turizmit elitar.
Programi për Eko-Turizëm që ndërton mbi burimet natyrore, përdorimin ekologjik të tyre dhe pajisjen me infrastruktura dhe shërbime bazike, sigurinë e lartë dhe guida të përsosura profesionalisht. Programi për Turizmin Malor dhe Bregdetar, i cili shoqërohet me projekte madhore të investimeve kapitale për infrastrutkura dhe shërbime, veçanërisht afër qendrave të banuara dhe përmes praktikave të partneritetit-publik-privat.
Përmes planifikimit rajonal, do të realizojmë dy programe të rëndësishme, Programin e 10 Poleve Turistike të Shqipërisë dhe Programin e fashës rajonale “Korridori i Kaltër”, nga veriu në jug. Për këto programe, në përputhje me Planin Kombëtar, do të hartohen vizione zhvillimi dhe plane të investimeve kapitale; do të krijohen dhe rigjenerohen nyje atraktive, gjeneruese të punësimit, të clusterave të turizmit dhe të aktiviteteve të specializuara. Do të konsolidohen qendrat urbane të fashës dhe të poleve.
• Bujqësia
Ekonomia bujqësore vazhdon të jetë një veprimtari ekonomike e rëndësishme (me mbi 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto). Reforma 20-vjeçare e sektorit të bujqësisë ka mbetur në një strukturë shumë të vogël të ekonomive bujqësore, më pak se 2 hektarë/ferma. Shqipëria vazhdon të jetë një vend neto importues agrar, me 7 herë më shumë importe sesa eksporte, dëshmi kjo për vështirësi në rritjen e konkurrencës së sektorit bujqësor e ushqimor vendas. Prandaj nxitja e prodhimit bujqësor, nëpërmjet uljes së kostos dhe rritjes së konkurrueshmërise mbetet një objektiv parësor. Inputet bujqësore dhe punimi i tokës, zënë një peshë kryesore në koston e përgjithshme dhe për këtë arsye :
• Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanet, materialin gjenetik shtazor, plehërat kimike, pesticidet, vaksinat e blegtorisë etj.
• Do të krijohet dhe vihet në funksion qendra e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së inputeve bujqësore.
• Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme.
• Do të nxitet shpërndarja me çmime të favorshme e farërave të zgjedhura dhe të rendimenteve të larta.
• Do të nxitet dhe mbështetet, blerja në grup e pajisjeve të mekanikës bujqësore, traktorëve dhe moto-kultivatorëve.
• Rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore, përbën një tjetër përparësi. Ulja e kostos së lëndëve të para është thelbësore, prandaj do të Zhvillimi urban, rural dhe rajonal përjashtohen nga barra fiskale lëndët e para, ato të ndërmjetme dhe të ambalazheve për prodhimet e eksportit. Nuk ka prodhim bujqësor konkurrues pa një sistem funksional të ujitjes dhe të kullimit të tokave.
Aktualisht, vetëm 30% e tokës bujqësore është nën ujë. Ne angazhohemi që brenda 4 vjetësh të ketë ujë për vaditje në çdo parcelë të tokës së punueshme. Për këtë qëllim është e rëndësishme të rimëkëmbet sistemi kullues dhe vaditës i vendit.
Për këtë arsye:
• Do të zgjerohet parku i mjeteve të nevojshme publike dhe private, të duhura për mirëmbajtjen e sistemit kullues dhe vaditës të vendit.
• Do të miratohen tarifat e reja të furnizimit me energji elektrike për sistemin e kullimit dhe të vaditjes.
• Do t’u jepet një rol më i madh komunave në mirëadministrimin e burimeve ujore dhe rrjetit ujitës dhe kullues. Synojmë të investojmë 160 mln USD për rimëkëmbjen e sistemit të kullimit dhe vaditjes. Konsolidimi i titujve të pronësisë mbi tokën është baza e nxitjes së investimeve në bujqësi.
Prandaj, zbatimi i Ligjit Nr. 7501, që është marrë vetëm me tokën bujqësore, do të marrë një afat të përfundimit të veprimit të tij me atë çka është ndarë deri tani. Më tej, do të zbatohet vetëm Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të drejtën e fitimit të pronës.
Në funksion të ketij qëllimi do të modernizohet sistemi i kadastrës dhe verifikohen e regjistrohen titujt e pronësisë publike dhe private mbi tokën bujqësore. Rritja e punësimit përbën një objektiv madhor në zhvillimin rural. Kjo do të arrihet edhe duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës në agropërpunim si dhe punësim për fermeret në shërbime shumë të kërkuara në agro-turizëm, gjueti, peshkim turistik.
Mbështetja financiare e bujqësisë është e domosdoshme për të patur pritshmëritë e programuara për zhvillimin rural.
Për këtë:
• Do të rishikohen skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke i orientuar ato drejt rritjes së prodhimit bujqësor dhe lidhjes së tij me tregun dhe agropërpunimin, •
Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural,
• Do të mbështeten me përparësi ngritja e qendrave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtise me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale,
• Do të mbështeten me fonde të garancisë, zbatimi i skemave të sigurimit të prodhimeve nga dëmtimet natyrore të kulturave bujqësore dhe blegtorisë,
• Do të përcaktohen modalitetet e nxitjes së kreditimit për bujqësinë dhe agropërpunimin në raport me fondet e garancive që do të vihen në dispozicion për këtë qëllim,
• Do të ristrukturohet dhe fuqizohet Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Në fushën e ushqimit dhe të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së tij, do të ndiqet një përqasje e integruar sipas parimit “nga ferma në tavolinë”.
Për këtë do të merren masa për:
• Të vënë në funksion të plotë sistemin e identifikimit dhe të regjistrimit të blegtorisë;
• Të modernizuar sistemin e identifikimit, sinjalizimit të sëmundjeve infektive dhe parazitare në bimë dhe kafshë;
• Të zgjeruar mbulesën vaksinale në blegtori për të parandaluar dëmtimet në kafshë dhe shpendë dhe pasojat mbi shëndetin publik;
• Të mbikëqyrur tregjet e kafshëve si dhe kontrolluar procesin e përpunimit dhe shpërndarjes te tyre për mish në tregjet e vendit;
• Të promovuar të gjitha ndërmarrjet e agropërpunimit, të cilat zbatojnë sisteme të përparuara të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë ushqimore si dhe për të caktuar afate mbi ndërmarrjet që ende nuk i përfshijnë këto standarde në teknologjinë e prodhimit.
• Të përfunduar akreditimin ndërkombëtar të qendrave kombëtare të referencës në fushën e sigurisë ushqimore. Një përmirësim thelbësor do të ketë në informacionin bujqësor, hartografinë e kulturave dhe racave sipas rajoneve, si dhe përcaktimit të nevojave të specialiteteve të bujqësisë.
Për këtë:
• Do të përfundojë harta e rajonalizimit të kulturave të ndryshme bujqësore dhe e racave të ndryshme që do të mbështeten me financime publike;
• Do të përcaktohen nevojat për specialitete të reja dhe do të plotësohen nevojat me specialistë të bujqësisë, si dhe do të hartohet një program 4-vjeçar i edukimit dhe i formimit profesional në fushën e bujqësisë;
• Do të zbatohet programi i promovimit dhe i shpërndarjes së pervojës së historive të suksesit në bujqesi, blegtori dhe agropërpunim;
• Do të kryhet një inventar i plotë, si dhe do të mbikëqyret shkalla e zbatueshmërisë për të gjithë projektet në fushën e bujqësisë. Peshkimi, është një sektor shumë i rëndësishëm, i cili kërkon mbështetje.
Për këtë kërkohet një rishikim i skemave të furnizimit me naftë pa akcizë, për t’i bërë më të efektshme. Do të mbështetet rifreskimi i flotave të peshkimit dhe pajisja e tyre me mjete të peshkimit në thellësi, për të bërë të mundur furnizimin me lëndë të parë, të fabrikave të përpunimit të peshkut në vend. Do të ngrihen markatat e peshkimit për të harmonizuar interesat e peshkatarëve dhe të tregtarëve. Do të zhvillohet akuakultura.
Do të hapet eksporti për molusqet drejt vendeve të BE.
• Mjedisi
Qeveria angazhohet të garantojë një mjedis të shëndetshëm për qytetarët, ta ruajë atë nga ndotja dhe dëmtimi, nga aktiviteti njerëzor dhe veprimtaritë ekonomike, ta trajtojë si vlerë të shtuar dhe pasuri për gjenerim aktivitetesh ekonomike, veçanërisht turistike, si dhe ta ruajë atë si trashëgimi për brezat e ardhshëm. Mjedisi, shfrytëzimi i qëndrueshëm i tij, është një potencial i madh punësimi. Ne e konsiderojmë mbrojtjen e mjedisit si një detyrë të përbashkët për të gjithë qytetarët, organizatat mjedisore, shoqërinë civile, median, shkollën, shkencëtarët dhe sektorët e biznesit privat. Falë pozicionit gjeografik dhe shumëllojshmërisë së ekosistemeve në vendin tonë gjenden 3’200 specie bimësh që përbëjnë rreth 30% te florës evropiane.
Gjuetia e paligjshme dhe shfrytëzimi pa kriter i natyres, e veçanërisht i parqeve kombëtare kanë shkaktuar dëme të mëdha. Ne do ta përmirësojme situatën nëpërmjet vendosjes së masave rigoroze për ruajtjen e zonave të mbrojtura, duke kontrolluar rreptë gjuetinë si dhe duke ndaluar përdorimin e armëve të gjuetisë nga persona të paautorizuar. Shqipëria me rrjetin e saj hidrografik ështe një vend i pasur me pasuri të shumta ujore, por është e rëndësishme që të adaptojmë një përqasje të re në menaxhimin e integruar të burimeve ujore.
Kështu do t’i japim zgjidhje edhe pasojave të ndryshimeve klimatike, për të shfrytëzuar në mënyrë racionale ujin dhe evituar përmbytjet. Ne do të realizojmë reforma dhe do forcojmë kapacitetet për të rritur cilësinë e këtyre shërbimeve ndaj publikut.
Do të përgatitim plane për manaxhimin efektiv të baseneve kryesore ujore, në mënyrë të veçantë për Drinin, e Bunën dhe Semanin do të perfundojmë Kadastren e Ujit. Një përkujdesje e veçantë do t’i kushtohet lumenjve, liqeneve dhe burimeve të tjera ujore, veçanërisht atyre qe janë tepër të dëmtuar nga aktiviteti jashtëligjor ose ndotja mikrobiologjike dhe kimike. Cilësia e ajrit është një element themelor për shëndetin publik. Mjaft zona të vendit rezultojnë me nivel ndotjeje më të lartë se normat e lejuara evropiane.
Qeveria do të synojë uljen me 30% të nivelit të ndotjes në zonat urbane nëpërmjet: • Shtimit të sipërfaqeve të gjelbra në zonat urbane;
Kontrollit të emetimit të pluhurit në zonat urbane, duke aplikuar teknologji të reja monitorimi;
• Përdorimit të karburanteve konform kritereve të BE;
• Zbatimit të standardeve të rrepta në aktivitetet ekonomike që ndotin ajrin. Publiku në përgjithësi nuk është i informuar mirë për situatën e ndotjes dhe për rrezikun e ndotjes, lidhjen ndërmjet mjedisit dhe shëndetit publik e përfitimet e një mjedisi të pastër për ekonominë dhe shoqërinë si një e tërë.
Infrastruktura
• Transporti
Në katër vitet e ardhshme transporti dhe infrastruktura do të jenë në shërbim të objektivave madhore të zhvillimit ekonomik e social të vendit, por edhe kontributorë të drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike dhe të punësimit. Në këtë sektor do të realizohet në mënyrë thelbësore partneriteti publik-privat. Qeveria e mëparshme ka realizuar investime të mëdha në infrastrukturën rrugore e sistemet e ujësjellës-kanalizimeve, por sot përballemi me një situatë, ku impakti i këtyre investimeve ka qenë inferior, veprat janë realizuar jashtë standardeve teknike, investimet e realizuara si rezultat i mosmirëmbajtjes janë të papërfunduara dhe në degradim (përfshirë edhe Rrugën e Kombit), shërbimet që u ofrohen qytetarëve janë të një cilësie të ulët edhe transport, impakti në mjedis është shumë i rëndë, veprat janë realizuar me një kosto të lartë financiare për vetë kompanitë realizuese, si rezultat i mospagimit të faturave për punimet e kryera.
Shumë pak është bërë për të futur inovacionin, teknologjine e lartë, kursimin e energjise, dhe ruajtjen e mjedisit. Po kështu, Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për këtë sektor flet për mungesë progresi, për afrim të dobët të legjislacioni, për kapacitete administrative e teknike të ulëta. Objektiv kryesor në fushën e transportit është përshpejtimi i integrimit të sistemit të transportit, ngritja e një tregu të integruar, të përbërë për infrastruktura dhe transport me tokë, me det dhe me rrugë ujore të brendshme që të mbështetë në mënyrë efikase kërkesën zhvillimore për transport. Për arritjen e këtij objektivi duhet kryer përafrimi i legjislacionit kombëtar me atë të BE-se, duke harmonizuar rregullat mbi sigurinë, ruajtjen e mjedisit, dhe shërbimet e transportit.
Masë e rëndësishme themelore është miratimi i Planit Kombëtar të Transportit. Rritja e sigurisë rrugore përbën gjithashtu një prioritet madhor. Kjo do të realizohet në tri ndërhyrje kryesore: në drejtim të përfundimit të veprave të papërfunduara sipas standardeve si dhe eleminimit të pikave të zeza të aksidenteve; forcimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe zbatimit të tyre pa kompromis; si dhe një fushate ndërgjegjësuese e edukative që fillon në bankat e shkollës.
Numri i aksidenteve rrugore synohet të ulet në masën 20%, vetëm gjatë vitit të parë të këtij mandati qeverisës.
Plani Kombëtar i Transportit do të përmbajë përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Korridori i Gjelbër Autostradal Veri-Jug; Korridori i Kaltër Veri-Jug dhe duke i dhënë prioritet përfundimit të akseve që shkojnë në qendrat administrative të qarqeve të vendit. Rëndësi të veçantë do të marrin lidhjet me rrjetet rrugore të rajonit të Ballkanit.
Do të realizojmë gjithashtu investime në rrugët rajonale, të fshatrave dhe qyteteve me qëllim lidhjen me të mirë të tregut me qendrat e prodhimit duke gërshetuar kritetin ekonomik me atë të impaktit social.
Një domosdoshmëri përbën përcaktimi i metodave dhe hartimi i programit për mirëmbajtjen e rrugëve duke shtuar fondet dhe do të përmirësohet edhe administrimi i tyre. Investime do të bëhen edhe në sinjalistikën rrugore në rrugët ekzistuese dhe garantimi i standardit të lartë të saj në investimet në proces apo të reja. Krijimi i një sistemi të integruar transporti kërkon përmirësim thelbësor në menaxhimin e këtij sistemi të transporteve, rritje të efikasitetit dhe kursimin e energjisë prej tij, si dhe ngritjen ekapaciteteve logjistike, me vëmendje të veçantë drejt intermodalitetit si dhe heqjes së pengesave administrative. Prioritet madhor përbën përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë dhe sigurisë së transportit publik. Me rëndësi në sektorin e transportit është përcaktimi i strategjisë kombëtare për hekurudhat shqiptare.
Ne synojmë modernizimin e rrjetit hekurudhor, duke rritur cilësinë e tij, veçanërisht në drejtim të intermodalitetit, duke realizuar lidhjen me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, si dhe duke synuar intregrimin me korridoret evropiane hekurudhore.
Hartimi i Planit Kombëtar për Zhvillimin e Porteve dhe realizimi i projekteve për rritjen e kapaciteteve të tyre, është gjithashtu një drejtim i rëndësishëm në këtë sektor. Plani Kombëtar për Zhvillimin e Porteve synon rritjen e aftësive përpunuese të tyre, rritjen e punësimit në transportin detar dhe projektimin e një sistemi modern të transportit detar. Do të realizohet specializimi i funksioneve të porteve dhe rritja e intermodalitetit të tyre, veçanërisht përmirësimi i lidhjes së tyre me hekurudhë.
Një vëmendje të veçantë do të marrë zgjerimi i Portit të Shëngjinit, si dhe ndërtimi i porteve turistike, mbështetur nga infrastruktura e logjistika e nevojshme për këtë qëllim. Në transportin ajror, do të realizojmë hapjen e tregut dhe uljen e kostos së tarifave të udhëtimit për pasagjerët.
Investimet e bazuara në partneritetin publik-privat do të realizohen edhe në transportin ajror për qëllime të brendshme e turistike.
• Teknologjia e informacionit dhe e komunikimit
Kapacitetet e ulëta vendase dhe një pasqyrë jo e qartë e përmasave të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) pengojnë vlerësimin faktik të tij. Zhvillimi ekonomik dhe social i Shqipërisë, i përshtatur me tregun konkurrues botëror kalon detyrimisht nga përshpejtimi dhe përdorimi masiv i TIK që janë sot faktori kyç i rritjes së produktivitetit ekonomik në administratë, në biznes, në prodhimin industrial, në tregjet financiare. Për të mundësuar edhe në Shqipëri rritjen ekonomike të dhjetëvjeçarit të ardhshëm, falë inovacionit dhe TIK, lipset të përforcohen kushtet ligjore, ekonomike dhe te aftësohen kapacitete të rëndësishme njerëzore.
Qeveria do të punojë në 3 drejtime kryesore duke vendosur objektiva të matshme: Së pari, për shtimin dhe promovimin e shërbimeve dixhitale, e-shërbimeve, për qytetarët dhe biznesin. Prioritet do të jetë rritja e transparencës dhe përmirësimi i shërbimeve në administratën publike sipas parimeve të iniciativës Open Government Partnership. Së dyti, në futjen masive të shërbimeve në arsim për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të aftësuar rininë. Politikat do të jenë të orientuara drejt përmirësimit dhe zgjerimit të kapaciteteve njerëzore në mënyrë që të rritet si numri i përdoruesve ashtu edhe numri i ofruesve vendas të e-shërbimeve.
Në këtë mënyrë do të nxitet krijimi i vendeve të punës në këtë fushë për tregun shqiptar, rajonal e më gjerë. Së treti, konsolidimi i infrastrukturës dixhitale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar me rigorozitet parimet evropiane të konkurrencës së lirë e të ndershme.
• Furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimet
Për një cilësi me të lartë shërbimi për qytetarët dhe në shërbim të zhvillimit të sektorëve të tjerë të ekonomisë, kërkohet një përqasje e re e integruar në drejtim të furnizimit me ujë, trajtimit të ujrave të ndotura si dhe mbetjeve urbane. Në këta sektorë do të përfundojnë reformat strukturore si dhe do të investohet edhe duke përfshirë partneritetin publik-privat. Për sistemin e ndërmarrjeve të Ujësjellës- Kanalizime do të realizohet agregimi dhe rajonalizimi i tyre, për të ulur kostot e operimit, rritjen e efikasitetit, veçanërisht duke ulur humbjet teknike dhe mospagimin e shërbimit, realizimin e investimeve dhe shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve. Do të realizohen me prioritet projektet për Ujësjellës-Kanalizime në zonën e Durrësit dhe atë turistike të bregdetit të jugut. Qëllimi është të realizohet një situate optimale në garantimin e furnizimit të vijueshëm me ujë të pijshëm dhe në përmirësimin e ndjeshëm të funksionimit të sistemit të kanalizimeve.
• Administrimi i mbetjeve
Ndotja e mjedisit nga mbetjet është problem kryesor për shëndetin publik dhe për mjedisin në tërësi. Nuk ka ndarje në grumbullim dhe sisteme trajtimi ndërmjet mbetjeve urbane dhe mbetjeve të rrezikshme. Do të krijojmë e zbatojmë standarde të reja në administrimin dhe menaxhimin e intergruar të mbetjeve urbane, duke përdorur mekanizma ekonomikë për të stimuluar grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim, duke vendosur një partneritet sërish të ngushtë privat-publik. Do të bashkëpunojmë ngushtë me pushtetin vendor, duke e mbështetur në këtë proces.
Do të ndalojmë importin e mbetjeve. Do të eliminojmë venddepozitimet e mbetjeve që janë buzë lumenjve dhe do të përcaktojmë vende të tjera të përshtatshme për depozitim. Do të pastrohen ne menyre prioritare akset kryesore rrugore nga mbetjet dhe ndotës të tjerë. Do të ndalojmë në mënyrë urgjente zjarret në vendgrumbullimet e plehrave pranë qyteteve.
Do të përfundojë hartimi i të gjitha planeve rajonale për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe do të monitorohet zbatimi i tyre Do të nxitim riciklimin e mbetjeve dhe me synim pakësimin e landfilleve e për të mundësuar incinerimin e tyre me qëllim prodhimin e energjisë elektrike.
Profili makroekonomik dhe fiskal
Ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto për periudhën 2008 – 2012 është ulur nga 7.5% në rreth 1.5%. ¾ e rritjes nominale për këtë periudhë vjen nga rritja e nivelit të borxhit publik.
Kjo prirje duket e ngjashme edhe për vitin 2013. Rritja ekonomike parashikohet sipas Moody’s 1.7%; sipas FMN 1.8%; sipas BERZH 1.8%.
E rëndë është situata edhe në treguesit fiskalë. Për herë të parë në këto 20 vjet, që nga viti 2010 deri në vitin 2013, të ardhurat publike kanë qenë rreth 325-330 miliardë lekë, pavarësisht se parashikimi fillestar i buxhetit të 2013-s ka qenë në nivelin e 360 miliardë lekë.
Për pasojë, të ardhurat gjithsej në përqindje ndaj PBB kanë pësuar një rënie të vazhdueshme nga 26.6% në vitin 2010 në rreth 23% në fund të vitit 2013.
Mosrealizimi i të ardhurave ka çuar në rritje të pakontrolluar të borxhit publik, i cili është në nivelin rreth 64% të PBB.
• Borxhi publik
Ne jemi të vendosur që gradualisht të fillojmë ta ulim borxhin publik, ta sjellim atë në parametra të kontrollueshëm dhe të mos ia lëmë barrë brezave të ardhshëm.
Objektivat tona kryesore janë:
• Ulje graduale e borxhit nëpërmjet kontrollit të deficitit fiskal dhe përshtatjes me rritjen ekonomike (vendosja e një rregulli fiskal transparent e të besueshëm).
• Në periudhën afatmesme synohet një borxh publik në parametra të përshtatshëm për nxitjen e ritmeve pozitive të rritjes, për strukturën ekonomike të vendit, si dhe për t’i lënë hapësira të mjaftueshme financimi sektorit privat.
• Fillimi i uljes së borxhit publik në pjesën e dytë të mandatit do të realizohet nga një qeverisje e përgjegjshme e kontrollit mbi deficitin buxhetor. Në një periudhë relativisht të shpejtë, borxhi publik do të plotësohet dhe me pjesën “e fshehur” të tij: në bashkëpunim me institucione të njohura financiare do të bëjmë transparencë të plotë të gjithë detyrimeve të bartura dhe të pakontabilizuara në borxhin publik të deritanishëm.
Përdorimi efikas i parave publike
Që politika fiskale të sjellë përmirësim gradual dhe të shëndetshëm të treguesve makroekonomikë, duhet të sigurohet efikasiteti i realizimit të shpenzimeve publike. Ne do të garantojmë mirëmenaxhimin e shpenzimeve publike nëpërmjet:
• Analizës së harmonizuar të zhvillimeve makroekonomike dhe fiskale;
• Planifikimit dhe monitorimit të kujdesshëm të Programit Buxhetor Afatmesëm dhe Buxhetit Vjetor;
• Bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare financiare dhe ato të Bashkimit Evropian;
• Menëaxhimit të borxhit publik dhe ankorimit në mbështetje të borxhit publik nën kontroll;
• Harmonizimit t menaxhimit financiar dhe kontrollit efektiv të shpenzimeve në institucionet publike;
• Bashkëpunimit efektiv me të gjitha institucionet e tjera buxhetore në nivel qendror dhe vendor në lidhje me planifikimin e financimeve publike. Përdorimi efikas i parave publike do të garantohet nga:
• forcimi i zbatimit të disiplinës financiare në menaxhimin e fondeve publike, nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe të kujdesshme të aktiviteteve të njësive shpenzuese;
• zhvillimi i sistemit të plotë të kontrollit të brendshëm financiar publik, për përmirësimin e menaxhimit financiar;
• kontrollit dhe auditimit të brendshëm në sektorin publik, për përgjegjshmëritë menaxheriale dhe për harmonizimin e metodologjisë dhe standardeve;
• përshtatja graduale e të dhënave të financave publike me metodologjinë ESA95 të BE.
• Administrimi fiscal
Gjatë 8 viteve të shkuara, ligjet fiskale janë ndryshuar mbi 70 herë dhe më së shumti, duke evituar konsultimet paraprake serioze me komunitetin e biznesit dhe aktorë të tjerë të interesuar. Kjo formë e ndryshimeve rezultoi në humbjen e peshës së paketës fiskale. Ne do të rikthejmë rëndësinë e paketës fiskale dhe ndryshimet kryesore do të bëhen në fillim të çdo viti buxhetor.
Administrata tatimore do të bashkohet me atë doganore si dhe do të përthithë edhe administratën tatimore vendore, duke synuar rritjen e efikasitetit dhe një kontroll edhe më të arsyeshëm të tatimpaguesve. Shkëmbimi i informacionit do të mund të bëhet në kohë reale, duke siguruar bashkëpunimin për luftimin e evazionit nga mosrakordimi institucional. Rritja e të ardhurave buxhetore nuk do të bazohet kryesisht në rritjen e nivelit të taksave.
Për tatimet indirekte politikat tona 4-vjeçare përmbledhin:
• Do të kemi një përgjysmim të TVSH-së për ushqimet më jetike të shportës, bazë të konsumit. • Përjashtimi/ ulja nga ky tatim për barnat dhe shërbimet shëndetësore.
• Realizimi i premtimit për heqjen reale të TVSHsë për importimin e makinerive dhe pajisjeve.
• Ulja/ kompensimi i TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër.
• Për të nxitur prodhimin bujqësor do mundësohet përjashtimi ose vendosja e një norme të ulur, për plehrat kimike, farat e fidanët dhe për lëndët e tjera të para që përdoren në bujqësi dhe blegtori. • Heqja e akcizës dhe taksës së qarkullimit të naftës për bujqësinë dhe peshkimin.
• Do të rishikohet me kujdes projektligji i ri i TVSH-së për të pasur një heqje graduale të skemave speciale të shtuara gjatë viteve, të cilat nuk janë në linjë me Direktivën e TVSH-së së Bashkimit Evropian. Për tatimet direkte politikat tona 4-vjeçare përmbledhin:
• Tatimi mbi fitimin e biznesit të vogël do të jetë rreth dy herë më i vogël se tatimi mbi fitimin e biznesit të madh, ndërsa do të hiqet taksa mbi biznesin e vogël.
• Tatimi mbi fitimin për biznesin e madh do të ketë një normë më të lartë se ajo aktuale, për të reflektuar parimin e taksimit të ndershëm dhe nevojën që kompanitë e mëdha të kontribuojnë më shumë se bizneset e vogla që funksionojnë nëpërmjet vetëpunësimit.
• Tatimi mbi të ardhurat personale të individëve do të ndryshohet në një skemë të normave progresive, duke rritur ngarkesën fiskale për pagat më të larta dhe duke e ulur për pjesën tjetër.
• Do të përdoret legjislacion i ri në lidhje me transferimin e çmimit në përputhje me modelet e OECD-së. Veprimet rregullative dhe organizative synojnë të arrijnë:
• Përpjekje serioze për uljen e kohës që i duhet biznesit për të paguar tatimet si dhe për uljen e kostove rregullative dhe korruptive për të paguar tatimet dhe doganën apo uljen e numrit të pagesave vjetore. Një kompani e huaj e njohur në tregun ndërkombëtar do të ftohet për të ndihmuar në këto drejtime.
• Përmirësim të dukshëm të kapacitetit dhe pavarësinë e njësisë së apelimeve, Avokatit të Tatimpaguesve dhe cilësisë së shërbimit të klientelës në tatime e dogana.
• Sistemi i apelimit tatimor është një shqetësim i përhershëm i komunitetit të biznesit që duhet rishikuar, të paktën për pjesën e procedurave brenda administratës fiskale. Ky sistem duhet të ofrojë apelim të paanshëm dhe një shkallë më të mirë transparence.
• Edukimi fiskal do jetë një tjetër element shumë i rëndësishëm i administrimit fiskal. Edukimi nuk do kufizohet vetëm tek tregtarët dhe shoqëritë tregtare, por do të orientohet edhe tek konsumatori final si hallka përfundimtare e sistemit.
• Statistikat
Që sipërmarrja të jetë e suksesshme, i nevojitet edhe informacion ekonomik i bollshëm, i saktë dhe transparent për vendimmarrjen. Aktualisht informacioni statistikor zyrtar është i mangët, i vonuar dhe i manipuluar. Operatorët ekonomikë dhe publiku i gjerë kanë humbur plotësisht besimin tek Instituti i Statistikave, i cili është kthyer në një instrument në dispozicion të propagandimit të gënjeshtrave të pushtetit. Ne e konsiderojmë informacionin statistikor një të mirë publike në shërbim të qyetarëve dhe faktorëve ekonomikë.
Do të kthejmë seriozitetin dhe pavarësinë e Institutit të Statistikave, duke e vënë drejtimin e tij nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë. Në një periudhë afatmesme, drejtimi i përditshëm i aktivitetit profesional të Institutit të Statistikave do të realizohet nëpërmjet binjakëzimit me një institucion të ngjashëm të një vendi të Bashkimit Evropian.
5. SHERBIMET PUBLIKE
Arsimi
Gjatë qeverisjes së mëparshme pesha e buxhetit për arsimin ndaj shpenzimeve buxhetore vjetore nuk e ka kaluar asnjë herë nivelin që kishte në vitin 2005. Shpenzimet publike për arsimin janë dy herë më të ulëta se niveli mesatar i vendeve të OECD. Qeverisja e djathtë ia la barrën e arsimimit buxheteve familjare. Analfabetizmi vlerësohet të ketë arritur në rreth 15%. B
raktisja e shkollës në nivelin 9-vjeçar është në shkallën 10%. Jo rrallëherë, fëmijët në zonat rurale udhëtojnë me orë të tëra në këmbë dhe në dëborë, shi apo të ftohtë për të shkuar në shkollë. Të dhënat dëshmojnë se për çdo brez ka më shumë se 20 mijë të rinj që nuk e kanë mbaruar shkollën e mesme. Veçanërisht duke filluar nga arsimi i mesëm, nxënësit dhe studentët lihen pa asnjë mbështetje për sa i përket këshillimit për vazhdimësinë e studimeve dhe karrierës së tyre.
Qeveria e konsideron arsimin si një ndër politikat më të mira ekonomike dhe si një sistem thelbësor që garanton zhvillimin tërësor të vendit. Synimi është që financimi publik për arsimin të arrijë në nivelin e 5% e PBB me qëllim që të sigurohet arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht origjinës, rrethanave familjare, apo gjendjes ekonomike.
Politikat arsimore do t’i mundësojnë çdo të riu deri në moshën 26 vjeç diplomim në universitet, formim në një profesion, ose sistemimin në një vend pune. Gjithashtu, institucionet arsimore publike do të gëzojnë mbështetjen maksimale në rritjen e funksionalitetit dhe rreptësisë ndaj rasteve të abuzimit dhe falsifikimit në arsim. Do të krijohet një sistem arsimi parashkollor i konsoliduar që ofron akses për të gjithë fëmijët deri në moshën 5 vjeç. Gjithashtu do të reformohet tërësisht kurrikula e arsimit parashkollor, në kontekstin e reformës kurrikulare të arsimit bazë.
Nuk do të ketë asnjë shkollë me tre turne dhe asnjë klasë me më shumë se 30 nxënës. Prindërve dhe komunitetit do t’i krijohen mundësitë ligjore për ndryshimin e drejtuesve dhe mësuesve të shkollave, në rastet kur këta të fundit nuk i shërbejnë interesit më të mire të nxënësve. Krijimi i “Kartës së Performancës së Shkollës” do t’u ofrojë prindërve informacion mbi standardet, cilësinë e mësimdhënies, shkallën e kënaqësisë së prindërve me punën e shkollës, dhe renditjen e saj në performancë. Qeveria gjithashtu do të synojë përmirësimin e të ardhurave reale të mësuesve dhe do të vendosë kritere shpërblimi e emërimi bazuar në meritokraci. Kujdes i veçantë do të tregohet në zbatimin e politikave sociale në ndihmë të nxënësve të dizavantazhuar dhe atyre në nevojë.
Kështu, çdo nxënës që duhet të udhëtojë në këmbë mbi 20 minuta për të shkuar në shkollë, do të këtë transport falas të garantuar. Gjithashtu çdo fëmijë që është i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje do të ketë librat falas gjatë gjithë ciklit të shkollimit të detyrueshëm.
Një tjetër angazhim i yni do të jetë kthimi i shkollës, në një mjedis pa barriera për të rinjtë me aftësi fizike të kufizuara. Do të sigurohet zgjerimi dhe forcimi i shërbimit të këshillimit psikosocial në shkolla, si dhe pajisja e çdo shkolle publike të ciklit të parë dhe të dytë me punonjësit përkatës të shërbimit këshillimor. Deri në fund të mandatit të parë të qeverisjes do të rritet deri në 90% niveli i përfundimit të arsimit të mesëm.
Në maturën shtetërore, do të arrihet rritja e numrit të provimeve me detyrim dhe konsiderim i maturës shtetërore si provim dalës, çka do të shërbejë në rritjen e cilësisë së pranimeve në shkollat e larta.
Qeveria do të realizojë ngritjen e qendrave këshillimore për karrierën në shkollat e mesme dhe vendosjen e programit të “mentorëve” (kurse pa pagesë pas orarit të mësimit). Gjithashtu do të mbështeten nismat për gjenerimin e modeleve bashkëkohore jotradicionale në arsimin e lartë (si maturë +2) dhe përfshirjen e kompanive të interesuara në financimin e disa profileve. Prioritet i qeverisë është rritja e sigurisë në institucionet arsimore, veçanërisht për sa i përket eliminimit të rasteve të përdorimit të armëve dhe konsumit të narkotikëve apo substancave të tjera të dëmshme në shkolla.
Kujdesi shëndetësor
Shërbimi i kujdesit shëndetësor është aktualisht nga shërbimet publike më të këqija për qytetarët shqiptarë. Shëndetësia shqiptare nuk arrin të realizojë asnjë nga funksionet e saj: nuk parandalon, nuk diagnostikon, nuk kuron dhe nuk rehabiliton. Sistemi kontributiv i sigurimit të kujdesit shëndetësor ofron mbulim për më pak se gjysmën e popullisisë aktive në moshë pune. Për këtë arsye rreth 1 milion shqiptarë në moshë pune duhet të paguajnë nga xhepi i tyre për kujdesin shëndetësor, duke e shtuar pabarazinë dhe padrejtësinë sociale.
Në 100 lekë që shpenzohen për shëndetësinë, vetëm 40 lekë financohen nga paratë publike. Financimi publik për shëndetsinë është i ulët dhe pjesa kontributive e tij është e ndërtuar mbi regresivitetin. Sfida jonë është që t’u rikthejmë qytetarëve besimin e humbur tek shërbimi shëndetësor, t’u japim atyre mbrojtjen e merituar përmes një sistemi shëndetësor me mbulim universal dhe t’u krijojmë profesionistëve kushtet e nevojshme për të shërbyer me cilësi.
Ne e konsiderojmë kujdesin shëndetësor një të mirë publike dhe faktor themelor zhvillimi. Ne do realizojmë një sistem të kujdesit shëndetësor cilësor që ofron akses të plotë dhe garanton qëndrueshmëri financiare. Duke ndërmarrë një reformë radikale ne do të ofrojmë një mbulim universal për kujdesin shëndetësor për gjithë shqiptarët rezidentë ku asnjë individ të mos mbetet pa kujdes shëndetësor, sepse nuk disponon mjetet e nevojshme financiare.
Ne do të zbatojmë një qasje të integruar në kujdesin shëndetësor, duke e bashkërenduar me politikat e sportit, mbrojtjes sociale, të sigurisë në punë, ruajtjes së mjedisit, të planifikimit dhe rregullimit të territorit, perfshire transportin dhe komunikacionin.
Do të mbështesim funksionimin e mekanizmave koordinues ndërsektoriale për problemet madhore të shëndetit publik si përdorimi i drogës, abuzimi me alkoolin, duhanpirja, siguria rrugore, siguria ushqimore dhe kequshqyerja, sëmundjet infektive te reja si dhe ato te neglizhuara, menaxhimi strategjik i kimikateve, faktoret mjedisore, ndryshimet klimaterike.
Ne do të jemi promotorët e solidaritetit social midis të shëndetshmëve dhe të sëmurëve. Jemi të vetdijshëm se fillimisht duhet të dëshmojmë publikisht se çdo qindarkë e kontributit të përgjithshëm shpenzohet me efektivitet dhe jep përmirësim të matshëm të jetës së shëndetshme.
Njëherazi do të kërkojmë zhvillimin e përgjegjësive individuale të çdo anëtari të shoqërisë për kujdes shëndetësor indivual, zhvillimin e përgjegjësive civile të ofruesve të mallrave dhe shërbimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e individëve, si dhe rritjen e përgjegjësive të aktorëve që krijojnë efekte anësore negative në shëndetin e individëve. Do të heqim tatimin mbi vlerën e shtuar në shërbimet dhe mallrat mjekësorë me efekt nga fillimi i vitit 2014.
Do të arrijmë tek financimi i kujdesit shëndetësor me taksimin e përgjithshëm, duke eleminuar fillimisht regresivitetin në pagesën e kontributeve të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Sistemi i sotëm i financimit të shëndetësisë stimulon korrupsionin, burokracinë e tepruar dhe diskriminimin në masë. Paratë publike, edhe pse të pamjaftueshme, shpërdorohen, ndërsa qytetarët paguajnë nën dorë për të marrë shërbime thelbësisht jetike. Do të ndërtojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor, duke siguruar që askush të mos përballet me pengesa financiare, moshore, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndestor. Kujdesi shëndetësor do të financohet nga taksimi i përgjithshëm. Ne do të rrisim rolin e shëndetin publik dhe programeve të parandalimit e të promocionit shëndetësor.
Sëmundjet jongjitëse kanë rritur përhapjen në Shqipëri, ku veçanërisht sëmundjet kardiovaskulare dhe tumorale janë kthyer në ndikues të ndjeshëm në shkurtimin e jetëgjatësisë dhe jetës së shëndetshme. Synimi ynë primar është zgjatja e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës shqiptare dhe parandalimi i fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur dhe përmirësuar shëndetin.
Do të zhvillojmë programe kombëtare të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumoriale dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Brenda vitit 2014 do të fillojë zbatimi i një programi kombëtar për kontrollin bazë të shëndetit për popullsinë në intervalin moshor 40-60 vjeç si dhe në mosha më të reja për disa shtresa të veçanta të shoqërisë.
Si rrjedhojë e politikave shëndetësore pa vizion, të disbalancuara e abuzive, konstatohet se shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor tek ne, tradicionalisht, mbetet i nënvleftësuar, si shtojcë e shërbimit shëndetësor spitalor dhe ndeshet me probleme te rënda.
Aktualisht zgjidhen vetëm 25% të problemeve shëndetësore të popullatës dhe këto të fundit, me cilësi të pamjaftueshme. Megjithë milionat e harxhuara çdo vit për ndërtimin, ristrukturimin e pajisjen e qendrave shëndetësore, konstatohet se ato kanë probleme serioze në infrastrukturë, kushte higjieno-sanitare apo pajisje të vjetëruara e shpesh jashtë funksionimit. Kjo e detyron popullatën t’i drejtohet niveleve më të larta të shërbimit shëndetësor si poliklinikave dhe spitaleve, duke ulur efikasitetin e sistemit dhe rrënuar xhepat e qytetarëve.
Mungesa e protokolleve të përshtatshme të mjekimit reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e varfër të kujdesit shëndetësor parësor. Prandaj, hartimi dhe zbatimi rigoroz i protokolleve bashkëkohore të mjekimit do të jetë një nga prioritetet kryesore të reformimit të kujdesit shëndetësor parësor. Shërbimi i Urgjencës Mjekësore është në kushte të mjeruara; mbërrin me vonesë, është i pajisur keq pa mjetet e shpëtimit të jetës, personel të pakualifikuar, etj. Për pasojë është përgjegjës për humbje të dhjetëra jetëve pacientësh dhe paaftësi të niveleve të larta.
Do të ngrejmë një Shërbim Kombëtar të Urgjencës Mjekësore që të sigurojmë prezencë të shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur standarde të njëjta në të gjitha qendrat pritëse duke iu përgjigjur nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit për kujdes në sëmundshmëri dhe trauma.
Spitalet publike janë kthyer në vatra të shpërdorimit të parasë publike. Mungesa e barnave në spitalet tona është një dukuri kronike, aq sa shqiptarët po “mësohen” me faktin se në spital shkohet me barna me vete. Ne do të hapim kantierin e shëndetësisë, me qëllim modernizimin infrastrukturor dhe rritjen e sigurisë në spitale. Spitalet publike do të jenë jo vetëm vendet ku njerëzit mjekohen, por edhe qendra që mishërojnë solidaritetin e kulturën shoqërore. Protokollet e mjekimit dhe procedurat standarde të punës nuk ekzistojnë akoma zyrtarisht në spitalet tona duke na rritur ndjeshëm keqpërdorimin dhe abuzimin në barna dhe materiale mjekësore.
Hartimi korrekt e shkencor dhe zbatimi i protokolleve të mjekimit e procedurave standarde të punës është hap i domosdoshëm në rritjen e transparencës, verifikueshmërisë, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, me qëllimin final, rritjen dhe përmirësimin gradual të cilësisë së shërbimit spitalor. Ky është një parakusht i domosdoshëm në përgatitjen e spitaleve që të kontraktojnë me paguesin e vetëm sipas metodave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Do të vendosen parimet e qeverisjes klinike në spitalet tona, duke synuar standarde të larta të kujdesit, shërbime të efekteshme, transparencë dhe llogaridhënie.
Spitalet do të administrohen në mënyrë efikase dhe do të financohen në bazë të paketave të shërbimit që paguesi i vetëm do të kontraktojë për kujdesin e nevojshëm spitalor të çdo individi. Më tej synojmë që të kalojmë nga pagesa e shërbimeve sipas kostove në zbatimin e “Algoritmeve Klinike” (Clinical Pathëays) dhe më pas në vendosjen e DRG-ve (Diagnosis – Related Group). Të gjithë spitalet publike dhe jopublike do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit fillestar dhe rivlerësimit periodik. Shërbimet spitalore universitare do të kenë rol parësor edhe në udhëheqjen profesionale të shërbimeve spitalore në të gjithë vendin.
Shërbimi dentar ofrohet nga ofrues jopublikë jashtë vëmendjes së nevojshme të shtetit. Do të vendosen standarde profesionale në ofrimin e këij shërbimi, do të garantohet siguria e materialeve mjekësore dentare dhe do të kërkohet rivlerësimi periodik i aftësive profesionale të mjekëve stomatologë. Çmimet e barnave janë shpesh më të larta se në vendet e Bashkimit Evropian. Në zonat rurale shërbimi farmaceutik mungon. Ne do të ulim çmimin e shitjes së barnave në Shqipëri.
Nuk do të ketë asnjë produkt farmaceutik të regjistruar që do të shitet në vendin tonë me një çmim më të lartë se në vendin e tij të origjinës. Ne do të rrisim cilësinë dhe sigurinë e barnave, duke shtuar kujdesin për indikacionet, në përputhje me standardet evropiane dhe njëkohësisht, do të rrisim kontrollin e cilësisë gjatë të gjithë zinxhirit të shpërndarjes të barnave. Ne do të zgjerojmë mbulimin me shërbim farmaceutik të kualifikuar në të gjithë vendin aty ku nuk ka mbulim me shërbim privat.
Do të ngrejmë një sistem të plotë të gjurmimit (track and trace) të barnave në territorin e vendit, duke siguruar që barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme të arrijnë tek pacienti i duhur, në kohën e duhur, në dozën e duhur dhe nëpërmjet një kanali shpërndarjeje të autorizuar. Qendra e Kontrollit të Barnave do të shëndrrohet në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore.
Informacioni për shëndetin, treguesit e shëndetit dhe kujdesin shëndetësor, lidhja e tyre me tregues bazë socialë, në nivel individual dhe kombëtar është i mangët, i pasaktë, i fragmentarizuar dhe jokoherent. Për pasojë, edhe vendimmarrja realizohet në mënyrë joprofesionale. Do të ngremë një sistem unik dixhital shëndetësor, me të cilin do të ndërlidhen të gjithë aktorët e sistemit shëndetësor, publikë dhe privatë. Në qendër të sitemit do të jetë individi dhe dosja e tij elektronike shëndetësore. Dixhitalizimi i infomacionit për shëndetin dhe kujdesin shëndetësor do të përdoret edhe për të rritur ndjeshëm transparencën në komunikimin me publikun për gjendjen e shëndetit të popullatës, për përdorimin e burimeve të disponushme, për të filluar zbatimin e standardeve të llogaridhënies së hapur të zyrtarëve publikë dhe të ofruesve të shërbimit si dhe të vendosjes së besimit midis popullatës, ofruesve të shërbimit dhe zyrtarëve të lartë. Do të zbatojmë periodikisht mbajtjen e Llogarive Kombëtare të Shëndetësisë.
Do të zgjerojmë më tej bashkëpunimin me shëndetësinë jopublike si komplementare në përmbushjen e qëllimit të përmirësimit të kujdesit shëndetësor. Institucionet jopublike do të zbatojnë të njëjtat rregulla dhe procedura të akreditimit, rivlerësimit periodik, këmbimit të informacionit shëndesor klinik dhe individual.
Do të kërkohet zbatimi i protokolleve të mjekimit për shërbimet që paguesi i vetëm do të blejë në institucionet jopublike.
Do të zgjerohet partneriteti publikprivat në kujdesin shëndetësor, duke synuar përfshirjen në shërbimet bazë, përveç shërbimeve mbështetëse.
Ne jemi vendosmërisht në krah të mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetit. Respektojmë përkushtimin me të cilin ata kujdesen për shëndetin e bashkëqytetarëve të tyre. Prandaj, do të vendosim një bashkëbisedim të përhershëm me ta, për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen me formimin e tyre, kërkimin shkencor, autonominë profesionale, përfshirjen në qeverisjen dhe mbarëvajtjen klinike, pa lënë mënjanë nevojën për të plotësuar boshllëqet e krijuara në vite në trupën mjekësore të vendit.
Urdhërat e profesionistëve të shëndetësisë do të reformohen duke u qeverisur me standarde të njëjta, duke u kërkuar të kenë rol më madh në rritjen e vazhdueshme të cilësisë së kontrollit të profesionsitëve të shëndetësisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Mendova se ne kete material te Kryeministrit do te kishte shume per hekurudhen, por me nje fjali te vetme nuk mund te zgjidhen problemet e medha te sistemit hekurudhor. Ne radhe te pare ne kete sistem punojne njerez te papergjegjshem te cilet mendojne se ç’duhet te futin ne xhepat e veta dhe jo te bejne punen qe iu edhte caktuar per ta permiresuar gjendjen reale. Nese nuk ka hapa konkrete ne rritjen e investimeve dhe ne marrjen ne pune te kuadrove te cilet duan te punojne realisht dhe jo militante te partive nuk do te kete gje ne vije kryeministri… Read more »