Qeveria do të mbajë kontigjencë (rezervë) për mbrojtjen e borxhit publik nga ndryshimi i interesave në nivelin 0.7% të shpenzimeve totale. Këtë vit, shpenzimet buxhetore janë parashikuar në 467 miliardë lekë, ndaj fondi i kontigjencës do të jetë 3.2 miliardë lekë.
Kjo shumë në vitet në vijim do të kalojë të 4 miliardë lekët, pasi shpenzimet në vlera neto parashikohet të jenë me rritje.
Sipas kuadrit makroekonomik dhe fiskal 2018-2020 për çdo vit në buxhet do të ketë një zë të veçantë të emërtuar “Kontigjencë për impaktin në borxhin publik nga luhatjet e normave të interesit etj.” Kjo kontigjencë do të jetë mbi 0.7% e shpenzimeve totale, ka sqaruar Ministria e Financave në dokumentin e ri makroekonomik afatmesëm.
Këto fonde nevojiten për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit.
Sipas programit të ri, të ardhurat nga privatizimi nuk janë pjesë e procesit të programimit buxhetor.
Në rastet e arkëtimit ato përdoren, jo më pak se 50%, për uljen e borxhit publik dhe pjesa tjetër për investime publike. Por gjithsesi, përdorimi i të ardhurave të arkëtuara nga privatizimet përcaktohet në ligjin vjetor të buxhetit. Në përputhje me rregullin fiskal, Ministria e Financave, në kuadrin 2018-2020 nuk përfshin të hyra nga privatizimet e mundshme.
Në dokument përcaktohet se masa e deficitit buxhetor nuk mund të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara çdo vit në ligjin e buxhetit. Në përputhje me këtë dispozitë deficiti i targetuar në kuadrin 2018-2020 është çdo vit ndjeshëm më i ulët se sa shpenzimet kapitale të planifikuara.
Në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto do të planifikohet më i ulët se niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45% të Produktit të Brendshëm Bruto. Në përputhje me këtë dispozitë (rregull fiskal) të Ligjit Organik të Bushtit, Kuadri 2018-2020 targeton çdo vit një nivel të borxhit publik total në përqindje të PBB ndjeshëm më të ulët se sa një viti pararendës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.