‘Pse duhet t’ju punësojmë ju?’ Ja përgjigjja e duhur sipas Burimeve Njerëzore

21/02/2018 1:48 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

“Pse duhet t’ju zgjedhim pikërisht ju?” Kjo është një ndër pyetjet më të shpeshta në intervista pune dhe u shkakton panik kandidatëve, veçanërisht në përvojat e para. Pyetja mund të duket e padëmshme, por ka një qëllim të rëndësishëm.

“Përgjegjësi i Burimeve Njerëzore apo menaxheri i kompanisë që bën këtë pyetje – thonë nga kompania Ferrero – kërkon të kuptojë nëse kandidati zotëron aftësitë e kërkuara për këtë pozicion pune dhe nëse bëhet fjalë për personin e duhur në lidhje me kulturën dhe vlerat e kompanisë.
Pra, cila është përgjigjja e duhur dhe si të përgatiteni sa më mirë për të fituar këtë vend pune. Business Insider ua ka bërë këtë pyetje disa kompanive. Dhe ja se si janë përgjigjur ato.

Ferrero

“Duke qenë se këshilla e parë është të jeni gjithnjë të ndershëm gjatë një interviste pune – përgjigjja më e mirë është ajo që vlerëson karakteristikat personale apo rezultatet e arritura në punë, që të konfirmojnë që jeni personi i duhur për pozicionin e punës në atë kompani”. Për ta artikuluar mirë përgjigjen, është e rëndësishme që të përgatiteni mirë, duke studiuar në detaje përgjegjësitë e rolit për të cilin po kandidoni dhe duke analizuar pikat e forta dhe të dobëta të kompanisë.

Hays

“Mbledhja e informacionit për kompaninë dhe pozicionin e punës është e rëndësishme për të dhënë një përgjigje të thellë”, – shpjegon Marco Oliveri, drejtues i Hays, një shoqëri për kërkimin dhe përzgjedhjen e personelit të specializuar në fushën e menaxhimit. “Përgatitja dhe thellimi – vijon Oliveri – bëjnë ndryshimin. Pyetja e bërë nga burimet njerëzore – është një pyetje e hapur dhe bëhet me qëllimin që kandidati të argumentojë sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të kuptohen sa më mirë motivimet dhe cilësitë e tij”.

Një nga truket për t’u dalluar nga kandidatët e tjerë, mund të jetë ai që të prezantoheni si një ekspert. Si? Duke mbledhur informacione të çmuara, jo vetëm rreth kompanisë por edhe mbi konkurrencën dhe tregun e referencës, për të kuptuar rreziqet dhe mundësitë që lidhen me to. “Një tjetër këshillë e vlefshme – thotë Oliveri – është t’u bëni pyetje rekrutuesve. Ata që bëjnë pyetje janë kureshtarë, një cilësi e cila vlerësohet shumë nga drejtuesit e Burimeve Njerëzore. Një shembull pyetje? Ju mund të kërkoni më shumë detaje rreth pozicionit të punës që do të mbuloni, por edhe politikat e motivimit të punonjësve nga kompania, për të kuptuar nëse është një ambient në të cilin mund të rriteni”.

Enel

Çelësi për t’i bërë përshtypje rekrutuesit mund të jetë edhe ai që të shfaqni me sinqeritet dhe guxim dëshirën për të qenë pjesë e kësaj kompanie, pa u bllokuar nga frika se mos gaboni. Kështu mendon Lea Tarchioni, përgjegjëse tek Burimet Njerëzore në kompaninë Enel.

“Duke qenë se nuk ekziston një përgjigje e duhur absolute, – shpjegon Tarchioni, sigurisht që pres që personat që duan të punojnë në kompaninë tonë të jenë në përputhje – para së gjithash – me vlerat tona më të rëndësishme – besimi, përgjegjësia, inovacioni dhe ndërveprimi. Do të më pëlqente që kandidati që kam përballë të jetë kureshtar dhe i gatshëm të përballet me sfidat që paraqet vazhdimisht mjedisi i biznesit, të sjellë pikëpamje të reja dhe “alternative” pa pasur frikën të eksperimentojë dhe të bëjë gabime, pasi ka mënyra të tjera për të mësuar dhe për t’u rritur”.

Booking.com Italia

“Çfarë është veçanërisht e rëndësishme për ne – bëjnë të ditur nga Booking.com Italia – është që të ketë një lidhje mes kandidatit dhe vlerave të kompanisë sonë. Në thelb, nuk ka një përgjigje më të përshtatshme. Ajo çfarë na bën përshtypje është kur jemi përballë një kandidati të mirëpërgatitur, që ka mbledhur informacione mbi ne, në mënyrë të veçantë kur njeh vlerat e kompanisë sonë”.
Qëllimi është që të përgatiteni për intervistën e punës në mënyrë të kujdesshme. Në fund të fundit është një çështje afrimi dhe thellimi.

Kushedi si ia bënin njëherë e një kohë kandidatët që kërkonin një punë, pa ndihmën e çmuar të internetit.

Burimi: Business Insider

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz