Në Serbi dyfishohen investimet direkte, ndërsa bien në Shqipëri e vendet e tjera të Ballkanit. Ekspertët: Incentivat vlejnë më shumë se lehtësitë fiskale
Përkeqësimi i klimës ekonomike në Europë është shansi i disatë i vendeve të rajonit të Ballkanit që kanë për të tërhequr investimet e huaja.
Mundësitë filluan me lindjen e krizës financiare ndërkombëtare, vazhduan me trazirat në Afrikën Veriore, rritjen e kostos së punës e transportit nga Kina dhe së fundi, përkeqësimin e klimës ekonomike në vendet më të zhvilluara të Europës.
E ndërsa të mëdhenjtë janë ulur për të studiuar rrugëzgjidhjet e mundshme, vendet e vogla të Ballkanit duken të angazhuara për të tërhequr investime direkte, si mënyra më e mirë për t’u rritur ekonomikisht.
Pas projekteve të energjisë, qeveria shqiptare i zgjeroi hapësirat e nxitjes së investimeve, duke përfshirë edhe privatizimin e pyjeve. Por në tërheqjen e investimeve të huaja, tregu serb është më i fituar.
Sipas të dhënave të Institutit të Vjenës së Studimeve Ndërkombëtare, viti i kaluar u mbyll me ulje të investimeve direkte në vendin tonë, prej më shumë se 20%. Ulje të investimeve pati edhe në vendet fqinje, Mal të Zi e Maqedoni.
Ndryshe nga kjo tendencë, investimet në Serbi u dyfishuan, duke arritur në 2 miliardë euro. Vitin e kaluar, në tregun serb vërshuan mbi të gjitha kompani të prodhimit të veshjeve, ndërsa vazhdoi të plotësohej investimi i kompanisë italiane të prodhimit të automjeteve “Fiat”.
Mali i Zi kryeson vitin e kaluar për investimet direkte të tërhequra për frymë, me mbi 480 euro/banorë të investuara.
Në tregun rajonal, veçanërisht në Serbi, duket se çelësi i suksesit janë incentivat. Sipas përfaqësuesve të Agjencisë Serbe të Investimeve të Huaja (SIEPA), me interes për sipërmarrjet po tregon financimi mbi 2 mijë euro për çdo vend pune.
Për projektet e mëdha (si ai i “Fiat”) qeveria serbe ka ofruar 25% të financimit.
Në kontrast, në ekonominë shqiptare mungojnë mbështetjet konkrete, të karakterit gjithëpërfshirës, siç është ai i financimit për çdo vend të ri pune që hapet.
Ekspertët e tregtisë vlerësojnë se për sa u përket incentivave renditemi të fundit mes vendeve të rajonit, pasi edhe ato pak programe që janë (siç është punësimi i femrave me probleme sociale familjare) nuk rezultojnë efektive.
Ekspertët nxitojnë të saktësojnë se, vendi ynë paraqitet shumë më mirë në lehtësitë fiskale që ofron, por që mesa duket nuk kanë qenë të mjaftueshme, sa për të tërhequr kompani prodhuese të mëdha e me emër.
E ndërsa krahasimi na ndihmon të kuptojmë se si jemi të vendosur në hartën e investimeve direkte, ekonomistët kujtojnë ndryshimet midis tregut serb e atij shqiptar.
Ndërsa në vend ka mbetur vetëm emri në zona ku montoheshin pjesë këmbimi për traktorë, prodhuesit serbë rinovuan fabrikat dhe prodhojnë sot për kompaninë italiane që në kohë krize bleu një pjesë të mirë të kompanisë amerikane “Chrysler”.
Në ndihmë të këtij prodhimi që pritet të jetë 200 mijë automjete këtë vit, janë mbi 70 shkolla teknike e më shumë se 10 universitete.
Formimi profesional në Shqipëri është një pikë e dobët që ka nxjerrë në dukje një studim i bërë vitin e kaluar nga zyra e Bankës Botërore.
Formimi çalon edhe në atë që do të ishte kali ynë i betejës në tërheqjen e investimeve të huaja, përpunimi i veshjeve. 20 vite përvojë duket se nuk mjaftuan as për kualifikimin e punonjësve
(çka na detyron të mbajmë kosto të ulëta të fuqisë punëtore, për të qenë atraktivë) dhe as për rritjen e mjaftueshme të kapaciteteve të përpunimit.
Pas studimit të tregut shqiptar, prodhuesi italian i veshjeve “Benetton” nënshkroi vitin e kaluar një kontratë investimi në Serbi, me vlerë 43.2 milionë euro.
Sipas kompanisë, investimi do të bëhet për katër vite dhe siguron hapjen e 2700 vendeve të punës. Në tentativë për investimin në rajon mbetet kompania e prodhimit të veshjeve sportive “Nike”,
e cila pati shprehur interes për të investuar në Shqipëri.
Vitin e kaluar nuk munguan vizitat e prodhuesve të mëdhenj gjermanë të veshjeve në Shqipëri. Por kërkesat e tyre janë të pamundura për prodhuesit vendas.
Prodhuesit e një rrjeti të madh veshjesh në Europën Qendrore (C&A) pritet të vijnë së shpejti në Shqipëri. Rrjeti më i madh i dyqaneve me kosto të ulët e mesatare punon prej vitesh në Maqedoni,
ku ka angazhuar 17 mijë të punësuar. Në po këto nivele llogaritet plani i tyre i investimeve në Shqipëri, por përfaqësuesit e sektorit mendojnë se mungojnë kapacitetet e mjaftueshme.
Pengoi klima politike…
Ekspertë të ekonomisë tregojnë se planet e vendeve rajonale për tërheqjen e investimeve nuk mund të thuhet se ishin në një garë të mirëfilltë, pasi Shqipëria ishte automatikisht në disfavor me mungesën e konsensusit politik,
pikërisht në një periudhë kur investimet po zhvendoseshin nga Tunizia e Egjipti për t’iu drejtuar rajonit. Sipas ekspertëve të ekonomisë,
mungesa e konsensusit politik vazhdon, përderisa nuk arrin të miratohen ligje të rëndësishme si ai i gjykatave administrative.
Pikërisht për këtë, javës së kaluar u zhvillua një konferencë e sipërmarrësve, të cilët kërkuan vëmendjen e qeverisë. Kreu i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, u shpreh se,
“qeveria duhet të bashkëpunojë më shumë me komunitetin e biznesit për hartimin dhe miratimin e ligjeve”.
Sipas Bregasit, nga kriza ekonomike mund të përfitohet, ndaj duhet bashkëpunim me të gjithë aktorët për të gjetur rrugë të reja për të përfituar nga kjo mundësi.
“Biznes Albania” i bëri thirrje klasës politike në vend, për stabilitet politik dhe mirëkuptim në miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave, duke kontribuar në mbështetjen e biznesit shqiptar, aq më tepër sot në kushtet e krizës ekonomike.
“Stabiliteti politik brenda vendit dhe mbështetja e institucioneve financiare janë faktorë kryesorë për të përballuar krizën”, tha Bregasi. Duke përshëndetur vendimin e BSH-së për uljen e normës bazë të interesit për lekun,
Bregasi tha se, kjo masë nuk po reflektohet ende nga bankat tregtare dhe kërkoi të rritet roli i BSH-së në monitorimin e kostove të produkteve bankare dhe kreditimi të shtojë frymëmarrjen ndaj biznesit.
Shqipëria konkurron me natyrën
Të ndihmuar nga natyra, mundësitë më të mira të investimeve në Shqipëri janë në burimet energjetike dhe industrinë e nxjerrjes dhe real-estate (veçanërisht për zonën bregdetare).
Projektet e HEC-eve po përbëjnë interes edhe këtë vit, ndërsa çmimet e metaleve në rënie nuk pritet të sjellin investitorë të rinj në nxjerrjen e mineraleve.
Eksporti i mineraleve bashkë me energjinë elektrike (kur prodhimi u rrit nga shirat e mëdha) dha ndikim mbi 50% në rritjen totale të eksportit në vitin 2010.
Ato ruajtën një peshë të madhe edhe vitin e kaluar, por, sipas ekspertëve të ekonomisë kjo nuk është forma më e mirë e shfrytëzimit të investimeve të huaja.
Minierat janë një pasuri e shtershme dhe gjithnjë e më e kushtueshme, ndërsa ndërtimi i HEC-eve kërkon më shumë garanci. Vitin e kaluar, më shumë se 10 kompani u gjobitën nga Ministria e Ekonomisë për shkelje të kontratës.
Shqipëria shihet me interes në zhvillimin e biznesit të turizmit përmes investimeve në pasuri të paluajtshme (real-estate). Përfaqësues të real-estate,
tregojnë se “Shqipëria ofron klimë të favorshme investimi në krahasim me vendet e tjera të rajonit, sidomos për sa i përket pozicionit gjeografik të saj dhe nivelit të çmimeve të pasurive të patundshme”.
Sipas tyre, prania e një bregdeti më pak të zhvilluar në krahasim me vendet e tjera të rajonit, bën që Shqipëria të ketë mundësi të zhvillojë një model turizmi të qëndrueshëm për të ardhmen”.
Mundësitë shqiptare (natyrore):
Minerale
Burimet hidrike
Serbia, më afër Amerikës
Senati dhe Kongresi i SHBA-së, me zgjerimin e sistemit preferencial e ka rikonfirmuar këtë edhe për eksportet e Serbisë në SHBA.
Kjo u lejon ndërmarrjeve serbe të përjashtohen nga tarifat doganore për eksportin e më shumë se 4 mijë produkteve deri në mes të vitit të ardhshëm.
Drejtori i Agjencisë së Nxitjes së Investimeve në Serbi (SIEPA), Bozidar Laganin, është shprehur se “ky është një lajm i mirë, pasi mund të nxisë nga një anë importuesit amerikanë për importin e prodhimeve serbe e nga ana tjetër,
mund t’i bëjë më të interesuar eksportuesit tanë për këtë treg të pasur. Kjo u hap rrugë edhe investitorëve të huaj që duan të prodhojnë për Serbinë në tregun amerikan. Aktualisht, drejt kontinentit amerikan shkojnë vetëm 3% të eksporteve serbe.
Eksportet pa taksë u referohen më së shumti prodhimeve industriale e bujqësore. Përjashtohen një pjesë e mirë e tekstileve.
Strategjia kombëtare e zhvillimit të sektorit automobilistik solli marrëveshjen e grupit “Fiat” me qeverinë serbe,
e cila në 2008-n transformoi impiantin e vjetër të Zastava Automobili në atë që sot quhet “Fiat Automobili Serbia”. Në biznes-planin e “Fiat” është parashikuar ristrukturimi i “Fiat” për 350 mijë metra katrorë në Zastava dhe prodhimi i 200 mijë autoveturave,
duke filluar nga ky vit. Për këtë qëllim, plani i investimeve të “Fiat” është 900 milionë euro, me një mbështetje prej 200 milionë eurosh lehtësi nga qeveria.
Sipas Agjencisë Serbe të Investimeve të Huaja, 9 fakultetet e jakave të bardha dhe 71 shkolla teknike dytësore për jakat blu, garantojnë disponibilitet të qëndrueshëm të forcave prodhuese të punës, të gatshme për të prodhuar çdo pjesë të automjeteve.
Një partneritet i vjetër tregtar, i nxitur edhe nga investimet e reja, bën që eksportet serbe të paraqiten shumë më mirë se ato shqiptare për nga shpërndarja e tyre.
Sipas të dhënave zyrtare të tregtisë në Serbi, rreth 80% e eksporteve shkojnë në tregun europian. Eksportet serbe nuk tregojnë atë varësi që kanë eksportet shqiptare ndaj tregjeve të veçanta.
Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), pavarësisht uljes së peshës, më shumë se gjysma e eksporteve tona përfundojnë në tregun fqinj, Italinë.
Lehtësitë për investime në Serbi
-Grante deri në 25% të shumës për projektet e mëdha të investimeve
-Grante nga 2 mijë deri në 10 mijë euro për çdo vend të ri pune të hapur, për projektet standarde (mesatare) të investimit.
-Përjashtim 10 vjet nga tatimi mbi të ardhurat për investimet e larta
-Përjashtim 5 vjet nga tatimi mbi të ardhurat për investimet në zonat pak të zhvilluara.
-Përjashtimi për 5 vjet i tatimit mbi fitimin për koncesionet
-Import i pataksuar
-Lehtësi lokale e rajonale, sipas zonave
Burimi: Agjencia Serbe e Nxitjes së Eksporteve dhe Investimeve
Lehtësitë për investime në Maqedoni
-0% taksa e korporatës për dhjetë vitet e para (10% më pas)
-5% taksa mbi të ardhurat për 5 vitet e para (10% më pas)
-Jo TVSH dhe detyrime doganore për produktet e eksportit
-Subvencion deri në 500 mijë euro të kostos së ndërtimit
-Dhënie me qira koncesionare të tokës për 99 vite
Burimi: Agjencia e Investimeve të Huaja në Maqedoni
Në pritje të investimeve amerikane
Një paketë prej 15 miliardë dollarësh është drejtuar për në rajonin e Ballkanit nga përtej oqeanit. “Siva Partners” është kompania e investimeve që studioi së fundi rajonin e Ballkanit dhe zhvilloi takime me drejtues të qeverive shqiptare, malazeze, maqedonase e kosovare. Të nxitur nga një partner i tyre me origjinë shqiptare, drejtuesit e kësaj kompanie prezantuan në Tiranë një projekt prej 2 miliardë dollarësh në fushën e turizmit. Një resort luksoz, me dy kulla 70-katëshe, do të ishte projekti më i madh në këtë lloj në Europë. Ndërsa kanë marrë mbështetje nga qeveria për projektin, investitorët amerikanë janë në pritje të një reagimi, bashkë me plotësimin e kërkesave që duan për një investim të tillë. Përfaqësues të kësaj kompanie, tregojnë se resorti do të jetë prioritet i “Siva Partners”. “Në bazë të mbarëvajtjes së këtij projekti do të merren vendime ekzekutive nga bordi për investime në fusha të tjera siç janë bankat, energjia, transporti etj.”, u shprehën ata.
Grupi amerikan i investitorëve udhëtoi në Ballkan për të parë mundësitë e potencialet që janë për të tërhequr investime të një rëndësie madhore dhe tregojnë se kanë parë me interes shumë fusha, përfshirë atë të investimeve në hekurudha.
Muhamed Ali, përfaqësues i kompanisë “Siva Partners”, u shpreh në Tiranë se, “po e shikojmë Ballkanin si destinacion të ri për investime. Kemi harxhuar rreth dy vjet, duke analizuar Ballkanin dhe tani është koha për të investuar. Ka shumë projekte dhe po shohim mundësitë në sektorë të ndryshëm se ku mund të investojmë në sektorin financiar bankar, energjisë, telekomunikacionit e minierave, si dhe gjetjen e partnerëve për të investuar këtu”.
Një nga njerëzit kryesorë të “Siva Partners”, Valentino Gurraj, i cili është me prejardhje shqiptare, vlerësohet të jetë shtysa kryesore e investimeve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Në kushtet kur shumë investitorë po rishikojnë me vëmendje projektet e financimeve, sipërmarrësit amerikanë të interesuar për Ballkanin, tregojnë se nuk janë nisur nga efektet e krizës. “Nuk ka ndonjë arsye pse pikërisht në këtë periudhë është menduar të investohet këtu. Kjo ka përkuar me krijimin e ‘Siva Partners’ dhe dëshirën për të investuar në rajonin e Ballkanit”. Gjykuar nga një perspektivë tjetër, ata mendojnë se “kjo është një periudhë e përshtatshme, pasi kemi të bëjmë me shtrëngim të kapitalit të lirë për investime nga investitorët europianë, por nga ana tjetër, jemi përballë një fakti, ku vendet si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia ofrojnë një terren që sapo ka hyrë në fillesën e investimeve madhore të huaja e kanë mbështetje nga politika tepër të favorshme e lehtësuese për investimet”.
Për sipërmarrësit amerikanë, vendet e rajonit të Ballkanit mbeten ende të paeksploruara si potenciale zhvillimi ekonomike dhe resorset e tyre natyrore, minerale, energjetike, financiare presin investimet e duhura për të kaluar në atë fazë të një bumi ekonomik, si të periudhës së revolucionit industrial që ndodhi në Europë.
Edhe ikin
Ballkani nuk është destinacioni ku shohim të vendosen investitorë. Efekti krizë ka qenë i ndjeshëm për disa kompani, të cilat janë “dorëzuar” para vështirësive të tregut. Në fund të vitit të kaluar, në Tiranë u mbyll qendra tregtare “Praktiker” ende pa filluar të mbledhë frytet e investimit. Në Serbi, së fundi, një investitor i madh amerikan i prodhimit të çelikut ka vendosur të largohet. Sipas ekspertëve të ekonomisë, mbështetja e qeverisë do të ishte vendimtare për situata të tilla, mbase më shumë se sa “mirëpritja” e investimit fillestar. Në fakt, qeveria serbe ndërhyri duke shpëtuar 5400 vende pune. Javës së kaluar, ajo vendosi të blejë fabrikën e çelikut. “Balkan Insight” shkruan se njerëzit në qytetin e Smederevo u ndjenë të lehtësuar kur mësuan se “US Steel”, punëdhënësi më i madh në qytet, nuk do të mbyllet me ikjen e kompanisë nga Serbia. Kompania amerikane e cila e bleu fabrikën në vitin 2003 për 23 milionë dollarë (rreth 17.5 milionë euro), ka vendosur të lërë Serbinë “për shkak të krizës ekonomike”. Qeveria e bleu mbrapsht fabrikën për një çmim simbolik një dollar, duke premtuar se do të ruajë prodhimin dhe 5400 vendet e punës. Sipas vlerësimeve të fundit, vendi me 7 milionë banorë ka mbi 836 mijë të papunë. Kryeministri serb, Mirko Cvetkovic, ka thënë se qeveria nuk parashikon ta mbajë kompaninë për një kohë të gjatë dhe po kërkon një partner strategjik. “Qeveria do të bëjë maksimumin për të ruajtur nivelin e prodhimit, për të gjetur një partner strategjik”, ka thënë ai.
Nga tregu serb po largohen edhe biznese të vogla. Sipas vrojtimeve të fundit, shumë tregtarë kinezë po largohen nga Beogradi, pas rënies së theksuar të shitjeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.