Flet Eno Bozdo, zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës…
Për median dhe publikun, çështja e transferimit të aksioneve u duk surprizë, por çfarë mund të na thoni për procedurat, si u arrit marrëveshja dhe sa ishte METE e përfshirë në këtë operacion?
Ndoshta ishte një surprizë për opinionin publik, por ju siguroj që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e ka ndjekur nga mjaft afër procesin dhe natyrisht që vendimmarrja u morr me dijeninë tonë. METE, si përfaqësuese e shtetit, zotëron 15% të aksioneve të saj në ARMO ndaj dhe çështja ka qenë në ndjekje të vazhdueshme. Më duhet të sqaroj se, në mendimin tim, kalimi i pronësisë vjen si rrjedhojë e zhvillimeve dhe vullnetit të përbashkët të dy kompanive të përfshira në transaksion, por edhe kushteve financiare dhe situatës ku u përfshi së fundmi ARMO. Sidoqoftë, çështja e ARMO-s dhe ekspozimi i saj ndaj sistemit bankar, është një çështje e brendshme e kompanisë dhe besoj se zgjidhja erdhi pas diskutimeve mes palëve për të arritur në një marrëveshje, pa zvarritur më tej komplikimet financiare.
Por, për të gjithë ata të cilët duan të kuptojnë më qartë rolin dhe përgjegjësinë e METE-s në këtë proces: kontrata e privatizimit i jep të drejtën asaj për një periudhë 5-vjeçare, të shprehë dakordësinë (apo jo) të saj për shitblerjen e aksioneve ndërmjet kompanive.
Ky parashikim i kontratës mundëson verifikimin e kompanisë, e cila kërkon të bëhet pjesë e privatizimit, në emër të ruajtjes së transparencës dhe interesit publik. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se shitblerjet e aksioneve midis kompanive, sipas ligjit të shoqërive tregtare, janë plotësisht “të lira” dhe nuk mund kurrsesi të bllokohen, me përjashtim të parashikimeve kontraktuale.
Më duhet gjithashtu të përmend faktin se kjo e drejtë e METE-s, sipas vetë kontratës së privatizimit, ushtrohet vetëm për një periudhë 5-vjeçare pas datës së privatizimit, periudhë e cila përfundon në dhjetor 2013. Kjo do të thotë se METE nuk do të kishte tagër të shprehte mendimin e saj nëse ky transaksion do të ishte kryer disa muaj më vonë.
METE, në vendimin e saj, mori parasysh tre faktorë: kompetencën teknike të kompanisë që hyn si pjesëtare në privatizim, kompetencën financiare, si dhe marrjen përsipër të detyrimeve që ka prodhuar kontrata, gjatë së gjithë kohës së saj. Pas një letërkëmbimi me kompaninë në fjalë, si dhe vënies në dispozicion të dokumentacionit nga ana e saj, të tria kushtet u vlerësuan të “plotësuara”, që METE të shprehej dakord për këtë transaksion.
A e plotësojnë ato kushtin e të qenët strategjikë?
Ky privatizim është quajtur gjithmonë si “strategjik”. Kjo për të vetmen arsye sepse sektori i hidrokarbureve dhe përpunimit të tyre është pjesë e sektorëve të “rëndësisë së veçantë”, sipas ligjit përkatës. Por, pavarësisht kësaj, ky sektor nuk ka barriera hyrëse dhe as dalëse, me pak fjalë është plotësisht i liberalizuar.
ARMO është kompania e vetme brenda territorit të Shqipërisë që rafinon dhe përpunon hidrokarbure, por edhe në sajë të reformës rregullatore (eliminimit të barrierave hyrëse dhe dalëse në sektorë të veçantë të ekonomisë), të gjithë operatorët kanë mundësi të hyjnë lirisht në këtë treg. Praktikisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur, çka tregon se ka pasur pak apo aspak interes për të ndërtuar rafineri në territorin shqiptar.
Mendoj se kjo situatë ka ardhur për shkak të limitimit në infrastrukturë: porte jo shumë të thella dhe të përshtatshme për transportin masiv të hidrokarbureve, rrjet joekzistent i tubacioneve shpërndarëse, mungesë kapaciteti në depozitim etj…
Për hir të së vërtetës, një kompani tjetër e njohur në tregun shqiptar (KURUM sh.p.k), ka marrë përsipër, nëpërmjet një kontrate koncesionare, të ndërtojë një rafineri në Shqipëri. Shpresoj që sipërmarrja e tyre të jetë e suksesshme.
Prandaj, për t’iu përgjigjur plotësisht pyetjes tuaj, sektori i hidrokarbureve është plotësisht i liberalizuar, dhe përderisa nuk ekzistojnë kërkesa të veçanta financiare dhe teknike për të gjithë ata që duan të ndërtojnë një rafineri në territorin shqiptar, atëherë praktikisht nuk kemi përse ia kërkojmë këtë edhe kompanive të tjera, siç është rasti i kompanisë ARMO. Sidoqoftë, pesë vite më parë, në kontratë u parashikuan kushte shtrënguese, pikërisht për të ruajtur më mirë interesin publik dhe për të siguruar transparencën.
A jeni njohur me planet e kompanisë azere, për investimet që do të kryejnë dhe çfarë mund të presim në të ardhmen në tregun e përpunimit të karburanteve?
Pronarët e rinj të ARMO-s kanë marrë në zotërim kompaninë me premtimin se do të njohin të gjitha detyrimet e krijuara apo që do të krijohen nga kjo kontratë privatizimi. Me fjalë të tjera, të gjitha investimet e premtuara do të realizohen, të gjitha detyrimet e krijuara ndaj palëve të treta gjithashtu do të shlyhen. Mbi të gjitha, interesimi ynë ka qenë në lidhje me pagesat e prapambetura ndaj punëtorëve dhe organeve tatimore. Në mendimin tim, ky ndryshim pronësie do të kontribuojë pozitivisht në zgjidhjen e kësaj problematike.
Pak më parë përmendët rastin e “Kurum” me Cërrikun, pra bëhen dy kompani. Duket se ky treg papritur po tërheq të tjerë investitorë. Pse?
Më duhet të them se lajmi për një kompani të dytë që do të investojë në Shqipëri është më se pozitiv, i mirëpritur prej kohësh.
Mendoj se kjo situatë e re ka të bëjë mbi të gjitha me një çmim atraktiv (dhe të qëndrueshëm) të naftës në tregun botëror. Kufiri i 100$/fuçi, mundëson shumë operacione hidrokarbure të jenë ekonomikisht me interes. Dhe tashmë ky është një çmim i “konsoliduar” dhe aspak rezultat i një bumi ekonomik, si ai i vitit 2007-2008, që i paraprinë krizës ekonomike botërore.
Në këtë kontekst, marrin kuptim edhe operacione të tilla në një treg, ku siç arsyetova edhe më sipër, është i limituar në kërkesë dhe infrastrukturë. Sigurisht, në këtë vendim merret parasysh edhe kërkesa gjithnjë e më në rritje e tregut shqiptar, faktor i rëndësishëm për përcaktimin e potencialeve përpunuese.
FLET Dritan Spahiu, drejtori i kompanisë “Energy Business Consulting”
Shkaqet e dështimit dhe e ardhmja e rafinerisë
Me blerjen e 80% të kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, kompania offshore “Heaney Assets” zotëron tashmë aksionet kryesore të kompanisë ARMO (68%), duke ndryshuar kështu dhe menaxhimin e lartë të kësaj kompanie. Kështu, sipas të dhënave të QKR, më datën 8 gusht, Fation Veizaj është emëruar përfaqësues ligjor i ARMO-s, i cili zëvendësoi Rezart Taçin, duke i dhënë fund menaxhimit pothuaj 5-vjeçar të këtij të fundit.
Por kontrata e shitjes duket që ka dhe një kusht penalizues për z. Rezart Taçi. Sipas disa pjesëve të kontratës, për një periudhë 5-vjeçare, z. Taçi “nuk duhet të marrë pjesë apo të ketë interes financiar apo tjetër, në rafinimin, shitjen ose shpërndarjen e naftës, gazit në Shqipëri”. Njihen gjerësisht klauzolat e moskonkurrencës (non-competition clause), por kushti i rreptë 5-vjeçar vlerësohet se synon pikërisht nxjerrjen e z. Taçi dhe “de facto” nga tregu i karburanteve.
Shkëlqimi dhe rënia (në tregun e karburanteve)
Z. Taçi e nisi tregtimin e karburanteve me një hap galopant, duke u kthyer në shumë pak kohë lojtari kryesor në treg. Nga tregtimi i naftës në Portin e Shëngjinit, ai arriti në pak kohë duke u bërë numri 1 i tregut të karburanteve në vend. Kështu ai zotëronte (deri përpara 8 gushtit 2013) dy rafineri, disa terminale karburantesh dhe rreth 300 pika karburanti (shumica me qira). Gjithashtu ai mori pjesë në procesin e shumëpërfolur të privatizimit të “Albpetrol”, proces, i cili siç dihet, dështoi me “sukses”.
Arsyet kryesore të dështimit
Vlerësohet se arsyeja kryesore e dështimit të menaxhimit është fakti që dy rafineritë në pronësi të ARMO-s (Ballsh dhe Fier) nuk janë aspak një aset për t’u lakmuar. Vendndodhja jo e mirë (larg porteve), ulja e marzheve bruto të fitimit, teknologjia e vjetruar si dhe amortizimi i tejskajshëm i kanë kthyer rafineritë praktikisht larg standardeve europiane. Rafineria kryesore e Ballshit nuk ka arritur akoma të prodhojë në sasi të mëdha diezel 10 ppm dhe benzine 95 RON, produkte të cilat janë sot më të kërkuarat në tregjet e karburanteve. Gjithashtu mungesat e vazhdueshme të lëndës së parë (naftë bruto) shkaktonin ndërprerje të shpeshta të prodhimit, duke krijuar probleme komerciale dhe teknike.
Për më tepër, shpenzimet shumë të mëdha për ardhjen e skuadrave Real Madrid dhe AC Milan në Tiranë, por dhe të Gorbaçov dhe Cherie Blair, nuk mund të justifikoheshin nga shitjet e pakta të rafinerive.
Çfarë do të ndodhë?
Shqetësimi kryesor është: A do të mundë pronari i ri i ARMO-s të bëjë diçka më të mirë apo do të kemi në të ardhmen të njëjtën situatë jo të qëndrueshme? Shanset për ndryshim janë të pakta, me përfitime të përkohshme në nivel afatshkurtër. Kompania e re, e cila duket të jetë më shumë një fond investimesh sesa investitor strategjik, ka pak mundësi reale për reformimin e kompanisë ARMO. Sipas standardeve ndërkombëtare, vlerësohet se rafineria e Ballshit kërkon pothuajse të njëjtën vlerë investimi me atë të ndërtimit të një rafinerie të re. Gjithashtu rafineria e Fierit prodhon kryesisht karburante të “zeza” si bitum, mazut etj., duke mos konkurruar me rafineritë e rajonit.
Pritet që i vetmi avantazh i blerësit të ri të jetë shfrytëzimi i periudhës tranzitore deri në futjen e Shqipërisë në BE, por që me fuqizimin e institucioneve shtetërore dhe fillimin e shërbimit të markimit, edhe ky avantazh vlerësohet të jetë jo i rëndësishëm.
Gjykohet se zgjidhja e vetme afatgjatë është ndërtimi i kapaciteteve të reja rafinuese në bregdet, duke konkurruar denjësisht rafineritë e rajonit. Shqipëria ka një pozicion ideal, duke pasur parasysh se Kosova, Maqedonia dhe Serbia nuk kanë dalje në det. Gjithashtu, me synim shfrytëzimin e ekonomive të shkallës, duhen ndërtuar rafineri të reja me kapacitete përpunimi mbi 5 milionë tonë/vit.
E ardhmja e sektorit të rafinimit
Sektori i rafinimit në Europë ka vuajtur vitet e fundit nga probleme madhore strukturore, duke u karakterizuar nga marzhe shumë të ulëta fitimi dhe mbyllje të vazhdueshme të rafinerive.
Sipas një artikulli të “Wall Street Journal” në qershor 2013, në Europë janë mbyllur 15 rafineri nga viti 2008 e deri më sot, me një tendencë rritje në vitet në vazhdim (vetëm në Angli janë mbyllur 11 rafineri nga 18 që nga viti 1970). Sipas një sondazhi të “Bloomberg” në prill të 2013-s, nga 104 rafineri europiane pritet që 10 do të mbyllen përfundimisht deri në 2020. Gjithashtu, sipas “Bloomberg”, dy e treta e rafinerive në Europë kanë rezultuar me humbje në vitin 2011, me një kërkesë për naftë e cila ka shkuar në nivelet e vitit 1994.
Në rajon, rasti më i qartë është kthimi i pritshëm i rafinerisë OKTA në Maqedoni thjesht në një terminal depozitimi, duke ndërprerë kështu rafinimin e nënprodukteve të naftës. Mungesa e vazhdueshme e investimeve dhe pozicioni jo i favorshëm gjeografik (mos dalje në det) e ka kthyer në mos konkurrues rafinimin në këtë rafineri, e cila nuk i ka ndjekur hapat e konkurrentëve. “Gazprom” përfundoi në 2013 investimin prej 500 milionë eurosh për modernizimin e rafinerisë së saj “NIS Petrol” në Serbi, ndërsa “Hellenic Petroleum” shpenzoi 1.2 miliardë euro për reformimin e rafinerisë së saj në Eleusina.
Në një raport të tij në maj të 2013-s, Komisioni Europian vlerëson se nevojiten 21 miliardë dollarë investime shtesë deri në 2020 për modernizimin e rafinerive në Europë, në mënyrë që ato të vazhdojnë biznesin e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.