Punëtorët e KEK-ut kundër Ligjit për Paga, paralajmërojnë protesta dhe greva

18/03/2019 11:22 AM 0 komente

Sindikata e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, nuk është takuar me asnjë deputet të Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar rreth Ligjit për Paga. Ky ligj, si i tillë, nuk e rregullon si duhet pagën e këtyre punëtorëve, andaj edhe hyrja në fuqi e tij, do të sjellë pasoja për energjinë në Kosovë.

Sindikata e Re Korporata Energjetike e Kosovës ka paralajmëruar protesta dhe greva kundër Ligjit për Paga.

Në një reagim për media kjo sindikatë thotë se vendimi për mosngritje të pagave për këtë kategori ka për qëllim mbylljen e Kosova A  dhe privatizimin e Termocentralit Kosova B.

“Në Kosovë që nga paslufta e deri më tani asgjë nuk është bërë rastësisht dhe asgjë në favor të punëtorëve, ne jemi dëshmitarë të ndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës në shoqëri aksionere e në Privatizime e në fund falimentime, jemi dëshmitarë të Privatizimit të distribucionit Elektrokosova, ku deri në atë kohë kemi pasur paga shumë të ulëta e që qëllimi i mosngritjes së pagave ishte përgatitja për privatizimin e gjysmës së KEK-ut”, thuhet në këtë reagim.

Sindikata e Re Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës po planifikon ta shuaj KEK-un.

“Sot po shihet një rrugë e njëjtë, përgatitje me ligj për paga për Ndërmarrjet publike në këtë rast KEK-un, sikurse po shihet qartë se tendencë e Qeverisë së Republikës së Kosovës është mbyllja e Kosovës A dhe krijimi i favoreve të mëdha një kompanie tjetër në kurriz të KEK-ut dhe të qytetarëve të Kosovës, dhe në fund edhe Privatizimi i asetit kryesor të KEK-ut Termocentrali Kosova B që do të thotë shuarjen e Kompanisë tonë KEK-un”.

Kjo Sindikatë ndër tjerash thotë se ka marrë një përgjigje të mangët për ligjin e pagave ku përfshihen edhe ndërmarrjet publike e që kjo ka ndodhur pas protestës së mbajtur nga SRKEK-u.

“Të nderuar punëmarrës të KEK-ut në jemi të vetëdijshëm se çfarë është duke u bërë për të drejtat e punëtorëve në Kosovë, dhe nuk presim shumë që dikush të zgjidh problemin tonë pa protesta e GREVA, kështu që janë duke u shtjerrë mundësitë tjera”, theksohet në reagim.

Ditë më parë edhe drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, ka thënë se Ligji i Pagave i miratuar në Kuvendin e Kosovës, i dëmton punëtorët e KEK-ut. Sipas tij, të ndryshme kanë qenë deklaratat në Kuvend me atë që është e shkruar në ligj.

“Ligji i Pagave aktual i cili është miratuar në Kuvend, realisht i dëmton punëtorët e KEK-ut ma aq sa e kom pa ligjin të shkruar në letër. Diçka tjetër është fol në Kuvend e diçka tjetër është e shkruar në Ligj. Nga menaxhmenti i KEK-ut nuk është kontaktuar asnjë prej deputetëve apo prej parlamentarëve që me diskutuar ose me i pa vështirësi të cilat ne i kemi. Me sa unë kam informata as sindikata nuk është kontaktuar ndonjëherë më parë”, tha Thaçi.

Kundrejt këtyre pakënaqësive, Thaçi pohon se punëtorët kanë paralajmëruar edhe greva deri në ndaljen e prodhimit. Sipas tij, ata nuk duhet të krahasohen me shërbyesit civil, pasi puna e tyre është tejet e vështirë.

 

/Fatos Shala për Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of