Qëndrueshmëria e “brishtë” e bankave

06/07/2018 10:04 PM 0 komente

Fitimet e bankave gati u dyfishuan më 2017, por sektori ndihet ende i brishtë përballë kërkesës së vakët për hua dhe kredisë me probleme në nivele të larta. Konsolidimi i mëtejshëm dhe përshtatja e rregullave me ato të BE-së, sfidat e reja të sistemit

Sistemi bankar ka shfaqur qëndrueshmëri gjatë vitit 2017, teksa kredia me probleme është ulur me rreth 5 pikë përqindje në vitin 2017 dhe nga ana tjetër, fitimet arritën në 22 miliardë lekë, gati dyfishi i 2016-s. Por stabiliteti brenda sistemit duket se nuk ka qenë aq produktiv për ekonominë, teksa kredia në raport me PBB ra në nivelin më të ulët të 10 viteve, me vetëm 38% dhe, nga ana tjetër, interesat reale të depozitave ishin në nivele negative. Me gjithë këto zhvillime, raporti i Mbikëqyrjes Bankare për vitin 2017 tha se fokusi vijon të jetë në përmirësimin e kredisë me probleme dhe në procesin e konsolidimit bankar, që së fundmi ka hyrë në një fazë intensive.

 

Sistemi i qëndrueshëm, por pa kredi

Ekspertët në Bankën e Shqipërisë i vlerësuan të qëndrueshme zhvillimet në sistemin bankar, në kushtet kur raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është rritur në nivelin 16.6% dhe niveli i përfitueshmërisë së sistemit mbetet relativisht i kënaqshëm.

Sistemi ka një nivel të lartë likuiditeti, me një tregues prej 40%, kundrejt minimumit rregullator prej 20%. Por kredia për ekonominë u rrit me vetëm 0.15%, kundrejt rritjes prej rreth 2.5% të një viti më parë. Vlera e kredive me probleme ka rënë me 30,17 miliardë lekë gjatë vitit 2017, ku një ndikim të rëndësishëm ka dhënë fshirja e kredive në masën 16,67 miliardë lekë.
Niveli i mbulimit me provigjione të kredive me probleme mbetet i lartë dhe është rritur me 1.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 71.7%.

Gjendja e likuiditetit të sistemit bankar mbetet e kënaqshme. Treguesi i likuiditetit arriti në nivelin 40.79% në fund të vitit 2017, në nivele pothuaj të njëjta me fundin e vitit të kaluar. Depozitat e sistemit janë rritur me rreth 8,5 miliardë lekë këtë vit, përkundrejt rritjes me rreth 59 miliardë lekë, në vitin 2016. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit paraqitet me një rritje vjetore prej rreth 0.9%, duke arritur në 16.6%, kundrejt minimumit rregullator prej 12%.

 

Kapitali aksioner, pesha e huave bie lehtë

Kapitali aksioner i sistemit bankar arriti vlerën 146,95 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 10 miliardë lekësh, ose 7,36% kundrejt një viti më parë. Struktura e kapitalit vijon të dominohet nga kapitali i huaj, i cili në fund të vitit 2017 përfaqëson rreth 88.38% të kapitalit të paguar të sistemit bankar, me një rënie të lehtë prej rreth 0.55 pikë përqindjeje kundrejt fundit të vitit 2016.

Aktivet e sistemit bankar shënuan rritje prej rreth 38.04 miliardë lekësh ose 2.7%, përkundrejt rritjes me 89.16 miliardë lekë ose 6.76% të një viti më parë. Pesha që zë sistemi bankar në ekonomi, e shprehur nëpërmjet raportit të totalit të aktiveve ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, vijon të qëndrojë në nivele të larta. Këtë vit, treguesi është ulur me 2.54 pikë përqindje, duke arritur në nivelin 92.50%. Ndërkohë, raporti i kredive ndaj Produktit të Brendshëm Bruto ka pësuar rënie, si pasojë e rritjes së PBB-së kundrejt rënies së portofolit të kredive.

 

Si ranë kreditë me probleme

Kreditë me probleme kanë ndjekur tendencën rënëse të 4 viteve të fundit edhe gjatë vitit 2017. Vlera absolute e tyre është zvogëluar me më shumë se një të katërtën e saj, 27,5%, duke e ulur treguesin përkatës në 13,23% – një rënie vjetore kjo me 5 pikë përqindje. Ndërkohë, vlera e mbetur në bilanc e këtyre kredive ka një mbulim me provigjione në masën mbi 70%.

Rënia prej rreth 30 miliardë lekësh e kredive me probleme gjatë vitit ka ardhur si rrjedhojë e procesit të fshirjes së kredive të humbura nga bilanci në masën 16,7 miliardë lekë, rasteve të zgjidhjes së disa prej kredimarrësve të mëdhenj nga bankat; rasteve të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura nga ana e kredimarrësve; si dhe rasteve të përmirësimit të klasifikimeve të kredimarrësve. Raporti i Mbikëqyrjes referon se, me gjithë uljen, treguesi mbetet ende i lartë dhe kërkon masa të mëtejshme për të përmirësuar tendencën rënëse të evidentuar, nëpërmjet mirëmbajtjes së portofolit ekzistues të rregullt dhe zgjidhjes sa më efikase të portofolit me probleme.

Ekspertët thanë se përmbushja e objektivave vjetore të bankave lidhur me ecurinë e kredive me probleme, si dhe hartimi i Planeve të Rimëkëmbjes e të Zgjidhjes së kredimarrësve të mëdhenj, janë ndjekur me vëmendje të posaçme, nëpërmjet raportimeve periodike të kërkuara për bankat në vitin 2017. Ato kanë qenë objekt diskutimi me bankat për të identifikuar hapësira për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme, si dhe për ta shtrirë këtë frymë në të gjithë sistemin. Ky raportim do të vijojë gjatë vitit 2018 e më tej, sipas formateve të standardizuara dhe do të shërbejë si pikënisje për kuadrin rregullativ për huamarrësit e përbashkët.

 

Menaxhimi i kredimarrësve të këqij, rregulla të reja

Me asistencën e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar është duke u hartuar një kuadër rregullativ që synon të nxisë bankat të bashkëpunojnë për koordinimin e përpjekjeve për adresimin e kredimarrësve të përbashkët, duke filluar që në fazë të hershme të shfaqjes së problemeve. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thanë se, ky kuadër përcakton elemente motivuese për t’i sjellë bankat në një emërues të përbashkët në vendimmarrjet e tyre dhe zgjidhjen e koordinuar të problematikave të shfaqura, duke ofruar si ndihmesë marrëveshje bashkëpunimi si midis vetë bankave ashtu edhe me huamarrësit, me qëllim përcaktimin e kritereve dhe mënyrës së bashkëpunimit. Aktualisht, ky kuadër rregullativ është hartuar dhe, pas diskutimit me industrinë bankare, pritet të miratohet gjatë vitit 2018.

Nga ana tjetër, cilësia e analizës së ecurisë së kredisë është përmirësuar, nëpërmjet detajimit të të dhënave të marra në drejtim të kalimit midis klasave të klasifikimit të kredive, faktorët që ndikojnë në ecurinë e kredisë, si dhe monedhave kryesore, ku është i përqendruar aktiviteti kredidhënës. Kjo mënyrë analize është testuar dhe është vënë në funksion gjatë vitit të kaluar dhe do të vijojë me një frekuencë tremujore.

 

Kredia ndaj sektorit privat ra 3% më 2017

Analiza e kredisë sipas llojit të subjektit evidenton një përqendrim më të lartë në sektorin privat, rreth 65%, në rënie me 2.1 p.p, ndërkohë edhe kreditimet për këtë sektor gjatë vitit 2017 janë ulur me 12.18 miliardë lekë (-3%). Kredia dhënë individëve dhe kredia për sektorin publik kanë regjistruar rritje, përkatësisht me 9.33 miliardë lekë (5.5%) dhe 3.76 miliardë lekë (13.1%).

Gjatë vitit 2017, konfirmohet pesha në rritje e kredisë në monedhën vendase, kur ajo u rrit me afro 2.18 pikë përqindje, duke arritur në 43.56%. Përbërja e portofolit të kredisë, sipas subjektit dhe monedhës përkatës, evidenton se rreth 58.4% e kredisë dhënë biznesit është kredi në monedhë të huaj. Brenda portofolit në monedhë të huaj, kredia në monedhën euro zë rreth 90.46% nga 86.6% që rezultonte në vitin 2016, ndërsa ajo në USD zë rreth 9.48% nga 13.3% të portofolit. Pesha e kredisë në monedhë të huaj për individë, ndaj totalit të kredive për individë, është në nivelin 43%. Brenda portofolit të kredisë në monedhë të huaj për individë, kredia në monedhën euro zë 97.9% të totalit dhe ajo në USD vetëm 1.7%.

 

Dominon overdrafti

Analiza sipas subjektit dhe qëllimit të përdorimit të kredisë evidenton se kredia “overdraft” për bizneset zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë (23.3%), ndjekur nga kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” dhënë individëve (20.1%), kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” dhënë biznesit (18.5%) dhe nga kredia për “hua të tjera” për biznese (15.5%).
Rritjen më të lartë gjatë vitit 2017 e shfaq kredia për “blerje pajisjesh” dhënë bizneseve (21.1%), ndjekur nga kredia për “konsum të mallrave jo të qëndrueshme” dhënë individëve (14.8%). Ndërkohë, rënien më të lartë e ka shfaqur kredia “overdraft” dhënë individëve (15.9%) dhe kredia “hua të tjera” (4.4%) dhënë bizneseve.

Kredia sipas afatit, në ndryshim nga viti i kaluar, ka pasur disa ndryshime në strukturë, pasi vërehet rënie e peshës së kredive afatmesme dhe afatshkurtër në favor të kredive afatgjata. Kjo e fundit, në fund të vitit 2017, ka dhe peshën kryesore në totalin e portofolit të kredisë, e ndjekur nga kredia afatshkurtër dhe kredia afatgjatë.
Portofoli i kredive sipas monedhës, për vitin 2017, evidenton se kredia në valutë vijon të ketë peshën më të madhe në totalin e kredisë me 56.4% edhe pse gjatë vitit konfirmohet tendenca e zhvendosjes së portofolit nga kredia në valutë në kredinë në monedhën vendase.
Në fund të vitit 2017, pesha e kredisë në monedhën vendase ndaj totalit të portofolit të kredisë ka njohur një rritje me 0.6 pikë përqindje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë vitit 2017, pesha e kredisë në valutë, e klasifikuar si e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, ndaj totalit të portofolit në valutë, në krahasim me vitin paraardhës, ka shfaqur një rënie me 1.8 pikë përqindje duke arritur në nivelin 43.53%.
Struktura e kredisë sipas sektorëve të ekonomisë, për vitin 2017, nuk evidenton ndryshime të qenësishme krahasuar me një vit më parë. Sektorët më të kredituar të ekonomisë vazhdojnë të mbeten “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; Riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” me një peshë prej 22.6% të portofolit, ndjekur nga sektori i “Industrisë përpunuese” me një peshë prej 10.2% dhe sektori i “Ndërtimit” me një peshë prej 8.7%.

 

Depozitat, në vendnumëro

Depozitat e klientëve mbeten burimi kryesor i financimit për sistemin bankar shqiptar, me një peshë prej 80.41% (82.27% në dhjetor 2016) të totalit të pasivit. Në dhjetor 2017, vlera totale e depozitave të sistemit arrin 1.162 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 0.74%, krahasuar me një vit më parë. Pesha e monedhës vendase në totalin e depozitave ka rënë lehtësisht në 47.08%, nga 47.2% në dhjetor 2016. Struktura e maturitetit është zhvendosur në drejtim të afateve më të shkurtra, sepse është rritur pesha e llogarive rrjedhëse dhe depozitave pa afat, ndërkohë që depozitat me afat janë tkurrur relativisht nën ndikimin e uljes së vazhdueshme të normave të interesit të tregut.

Lidhur me përqendrimet e depozituesve më të mëdhenj, në dhjetor 2017, dhjetë depozituesit më të mëdhenj zënë 5.46% të totalit të depozitave të sistemit bankar, kundrejt 6.16% që zinin në dhjetor 2016. Ata zotëronin 65 miliardë lekë ose rreth 500 milionë euro. Ekspertët e BSH bëjnë të ditur se e njëjta ecuri tkurrëse e përafërt vërehet edhe për grupet e tjera të depozituesve të mëdhenj. Depozitat e individëve mbeten baza kryesore e depozitave të sistemit, me peshë prej 83.24% të totalit të depozitave, por me një rënie rreth 0.19 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.
Kjo sjellje vjen si pasojë e kombinimit të efekteve të ecurisë së normave të interesit të tregut me faktorë të jashtëm. Gjatë këtij viti, llogaritë e bizneseve janë rritur me ritme më të larta se llogaritë e individëve (përkatësisht 3.27% dhe 0.46%).

 

Përkeqësohet raporti kredi-depozita

Raporti kredi/depozita, në dhjetor 2017, paraqitet në nivelin 51.55% nga dhjetor 2016, 51.86%, duke reflektuar ecurinë e dobët të kredidhënies, por nga ana tjetër ka krijuar lehtësi në administrimin e likuiditetit.
Por gjatë vitit 2017, treguesi i likuiditetit është reduktuar lehtësisht, për shkak të ritmeve të ndryshme të rritjes së portofolit të kredisë dhe totalit të depozitave. Aktivet likuide kanë rënë me 3.52 miliardë lekë, ose 0.8%, gjatë vitit 2017. Totali i aktiveve likuide të sistemit bankar, në dhjetor 2017, arriti në 436.8 miliardë lekë dhe në strukturën e tyre, peshën kryesore e zënë letrat me vlerë të qeverisë shqiptare (me 51.18%, nga 51.37% në dhjetor 2016).

 

Zbuten rreziqet e tregut

Situata e përgjithshme e ekspozimit të sistemit bankar ndaj rreziqeve të tregut edhe gjatë vitit 2017 ka qëndruar në nivele të ulëta. Në vlerësimin e rreziqeve të tregut në librin e tregtueshëm dhe në librin e bankës janë përfshirë treguesit (faktorët e rrezikut) e ekspozimit ndaj ndryshimit të normës së interesit në librin e bankës, ndaj rrezikut të kursit të këmbimit në të gjithë bilancin, ndaj rrezikut të pozicionit (specifikisht ndryshimit të normave të interesit në portofolin e tregtueshëm dhe të vendosjes), si dhe aftësisë mbrojtëse të kapitalit për mbulimin e humbjeve të mundshme nga këto rreziqe.

Kërkesa për kapital për rrezikun e tregut në nivel sistemi përbën vetëm 1.25% të të gjithë kërkesës për kapital. Ky ekspozim vjen kryesisht ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, duke qenë se niveli i portofolit të tregtueshëm është në nivele shumë të ulëta. Rreziku i tregut me burim ekspozimin ndaj normës së interesit (matur si ndryshimi i vlerës së ekspozimit në librin e bankës, pas goditjes standarde të normës së interesit, kundrejt kapitalit rregullator) gjatë vitit, është paraqitur në nivele të qëndrueshme dhe reflekton një strukturë të balancuar të riçmimit të aktiveve dhe pasiveve të sistemit bankar.

Vlera e këtij treguesi, në dhjetor 2017, është 3.34%, krahasuar me dhjetor 2016 (4.54%). Diferencë nga mesatarja, megjithatë brenda limiteve dhe larg kufijve rregullatorë, paraqesin banka të veçanta, si pasojë e maturitetit mesatar të portofolit të kredisë dhe investimeve në letra me vlerë.
Rreziku i tregut me burim ekspozimin nga kursi i këmbimit, i vlerësuar nga dinamika e pozicionit të hapur valutor, vijon të shfaqet i ulët, dhe kjo sjellje ka qenë mbizotëruese gjatë gjithë periudhës vjetore.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, në dhjetor 2016, ishte “në blerje” në masën 9.5 miliardë lekë, ose 6.68% e kapitalit rregullator të sistemit bankar. Këto nivele vlerësohen krahasimisht larg me limitin rregullator prej 30%. Referuar bankave specifike, ekzistojnë dy banka për të cilat niveli i ekspozimit është mbi nivelin e treguesit të sistemit, por ky pozicion vjen si pasojë e strukturës së bilancit, sqaron Banka e Shqipërisë.

 

Rregullat e mbikëqyrjes do të rishikohen

Kriza financiare ndërkombëtare nxori në pah nevojën e rishikimit të rregullimit bankar, lidhur me menaxhimin e situatave të pafavorshme. Këto ndryshime u realizuan nëpërmjet Bazel III, një ndër elementët e rëndësishëm të të cilit ishte vendosja e kritereve të menaxhimit sasior të likuiditetit të bankave, nëpërmjet një treguesi të ri të quajtur norma e mbulimit me likuiditet (LCR – Liquidity Coverage Ratio). Ky tregues synon përgatitjen e hershme të bankave për përballimin e nevojave për likuiditet që mund të vijnë, si pasojë e ngjarjeve të papritura, duke shkaktuar kërkesa për tërheqje masive të depozitave bankare.

Banka e Shqipërisë ka planifikuar përshtatjen e këtij kuadri rregullativ dhe është duke kryer gjithë përgatitjen e nevojshme për hartimin e tij. Ky proces konsideron, ndër të tjera, edhe parapërgatitjen e bankave për elementet e reja raportuese të këtij kuadri dhe përshtatjen e proceseve të tyre të brendshme, për administrimin e rrezikut të likuiditetit. Rishikimi i kuadrit rregullativ mbikëqyrës do të synojë që, gjatë vitit 2018, të përfshijë edhe elemente të Bazel III që lidhen me përmirësimin e cilësisë së kapitalit, pas vlerësimit të mundësive për adaptimin dhe krijimin e rezervave të përshtatshme të kapitalit, në funksion të rritjes së qëndrueshmërisë së bankave në Shqipëri.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of