Gjatë vitit 2016 për paga dhe për shërbime të tjera në aeroportin jofunksional të Gjakovës janë shpenzuar 201,423 mijë euro
Gazeta “Zëri” kohë më parë ka raportuar se pas largimit të KFOR-it italian Aeroporti i Gjakovës ka vazhduar të shkatërrohet në vazhdimësi.
Para pak ditësh këtë aeroport e kishte vizituar edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe i cili kishte premtuar se Aeroporti i Gjakovës brenda një kohe të shkurtër do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Në raportin vjetor të Aeroportit të Gjakovës, të siguruar nga gazeta “Zëri”, thuhet se për 13 paga dhe mëditje gjatë vitit që lamë pas janë shpenzuar 118 mijë e 257 euro. Në bazë të një përllogaritje të thjeshtë del se paga mesatare në këtë ndërmarrje publike jofunksionale është më e lartë se 750 euro.
55 mijë euro për sigurim
Më tutje në raportin vjetor të Aeroportit të Gjakovës thuhet se gjatë vitit që lamë pas për sigurim të objektit janë shpenzuar 55 mijë e 611 euro e derisa për shpenzime të mirëmbajtjes janë shpenzuar vetëm 1136 euro. Po ashtu për shpenzime administrative dhe telefoni gjatë vitit që lamë pas janë shpenzuar 1450 euro. Më së shumti mjete përveç pagave dhe sigurimit janë shpenzuar për pagesë të energjisë elektrike. Për këtë qëllim sipas raportit vjetor, të siguruar nga gazeta “Zëri”, shihet se janë shpenzuar 13 mijë e 481 euro. Në kategorinë buxhetore të identifikuara si shpenzime të tjera gjatë vitit që lamë pas janë shpenzuar 3 mijë e 997 euro, për sigurimin e automjeteve janë shpenzuar vetëm 320 euro, për shpenzime për materialë zyrtarë janë shpenzuar 477 euro, për shërbime të reprezentacionit janë shpenzuar 329 euro, si dhe për shpenzime të derivateve gjatë vitit që vjen janë shpenzuar 463 euro.
Vlera e ndërtesave, 8.6 milionë euro
Më tutje në raportin vjetor të Aeroportit të Gjakovës, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se vlera e ndërtesave të kësaj kompanie publike është 8 milionë e 699 mijë euro, e derisa të njëjtat sipas raportit kishin vlerë prej 9 milionë e 157 mijë eurosh. Po ashtu vlera e internatit në aeroport është vlerësuar të jetë 186 mijë euro, derisa i njëjti inventar vitin e kaluar kishte vlere prej 233 mijë eurosh.
Mustafa: Aeroporti, aset i rëndësishëm
Kryeministri i Republikës së Kosovës para dy javësh vizitoi Aeroportin e Gjakovës, në të cilën u prit nga kryeshefja ekzekutive e Aeroportit, Vlora Gojani, anëtarët e bordit dhe ekzekutivit. Në takim, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ai i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhe drejtori i Aviacionit Civil, kryeministri Mustafa u njoftua në detaje për asetet që i disponon Aeroporti i Gjakovës, si dhe mundësitë e funksionalizimit të tij. Më pas kryeministri Mustafa vizitoi ambientet, në të cilat mbahen pajisjet për mirëmbajtjen e pistës dhe pjesës tjetër të aseteve të aeroportit. Para medieve të pranishme kryeministri Mustafa tha se ky aeroport është një aset shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Gjakovës e të Kosovës, i cili nuk duhet të mbahet në pasivitet. “Ju i shihni këto pajisje që kanë një vlerë shumë të veçantë dhe është keq që janë jashtë përdorimit. E kemi një pistë të shkëlqyeshme të aeroportit, një ambient i cili është tepër i mirë për Kosovën, por edhe për zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Ne u morëm vesh që të punojmë të gjithë së bashku, edhe ministritë përkatëse, edhe agjencitë qeveritare, por edhe Komuna, bordi dhe menaxhmenti i këtij aeroporti në mënyrë që t’i gjejmë alternativat më të mira sa më shpejt”, tha kryeministri. Kryeministri Mustafa po ashtu tha se Qeveria do të marrë për obligim që të sigurojë financimin që bordi, menaxhmenti dhe punonjësit të cilët merren me administratën dhe me sigurinë e saj të vazhdojnë dhe të kenë mundësi të punojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.