Duke filluar nga viti i ardhshëm, qeveria qendrore do të ndajë të ardhurat nga tatimi mbi pagat me bashkitë. Ky parim, që funksionon tashmë në shumicën e vendeve europiane, do të jetësohet vitin e ardhshëm.
Projektligji i ri i financave vendore, që ka mbërritur për miratim në Kuvend, parashikon bërjen efektive të parimit të ndarjes së të ardhurave nga Taksa mbi të Ardhurat Personale (TAP), të cilat, gjithashtu, do të rrisin të ardhurat vendore me të paktën 700 milionë lekë në vitin 2018, shumë që do të rritet progresivisht në vitet e tjera.
Kjo ndarje e të ardhurave nga tatimi mbi pagat do të nxisë njësitë e reja vendore të formalizojnë vendet e punës dhe më të këtë rast, edhe pagesën e tatimit.
Në ligjin e ri gjithashtu përcaktohet lidhja e transfertës së pakushtëzuar me një variabël makroekonomik, si Produkti i Brendshëm Bruto.
Duke filluar nga viti 2018, transferta e pakushtëzuar për njësitë e vetëqeverisjes vendore do të lidhet me 1% të Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo ndarje pritet të rrisë të ardhurat e qeverisjes vendore me rreth 20%, në krahasim me vitet e mëparshme.
Gjithashtu, në të përcaktohen edhe kriteret dhe koeficientët e shpërndarjes së transfertës së pakushtëzuar ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe funksionimi i sistemit të ekualizimit fiskal ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore me kapacitete të ndryshme fiskale.
Projektligji i ri rregullohet nga procesi i transferimit të burimeve financiare për rastet e decentralizimit apo të delegimit të funksioneve e kompetencave në nivel vendor. Ky rregullim do të parandalojë rastet e transferimit të funksioneve dhe kompetencave pa burimet e nevojshme financiare.
Në projektligj sanksionohet detyrimi për përgatitjen e një plani strategjik të zhvillimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, i cili duhet të përmbajë politikat dhe vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm të njësisë, i shtrirë në një afat prej, të paktën 5 vitesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.