Qeveria shqiptare ka miratuar dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Picari”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Reparti i axhusterisë me Tetojën dhe Reparti i instrumenteve”, në “Albpetrol”, sh.a., Patos, me sipërfaqe të përgjithshme 9 800 (nëntë mijë e tetëqind) m2, nga ku 3 364 (tre mijë e treqind e gjashtëdhjetë e katër) m2 sipërfaqe nën ndërtesë. Lajmi është bërë i ditur në Fletoren zyrtare.
Dhënia e objekteve dhe trojeve shtetërore me 1 euro qira është një nga nismat e ndërmarra nga qeveria “Rama” gati një vit më parë për të nxitur investimet e brendshme dhe të huaja.
Sipas kritereve të miratuara dhe të publikuara nga qeveria, çdo investitor mund ta përfitojë këtë qira minimale kundrejt disa kritereve që duhet të përmbushë: masa e investimit, që duhet të jetë mbi 10 milionë euro, numri i të punësuarve, lloji i biznesit etj.
Sipas vendimit, pasuritë shtetërore u jepen të tretëve, duke u transferuar të drejtën e përdorimit me qira ose enfiteozë, nëpërmjet procedurës së konkurrimit.
Pasuritë shtetërore, që jepen me qira, janë: ndërtesat, sipërfaqet funksionale (jo nën ndërtesë), trualli i lirë, makineritë e pajisjet e linjat e prodhimit të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital 100 për qind shtetëror (në vijim “shoqëri shtetërore”). Pasuritë shtetërore, që jepen me enfiteozë sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij vendimi, janë vetëm pasuritë e paluajtshme të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive shtetërore.
Kriteret e konkurrimit për dhënien me qira të pasurisë shtetërore janë si më poshtë vijon:
– niveli i investimit;
– niveli i punësimit;
– oferta e detyrimit mujor të qirasë.
Instituionet qendrore dhe vendore mund të vendosin edhe kritere të tjera shtesë.
Kriteret e konkurrimit për dhënien me enfiteozë të pasurisë shtetërore janë si më poshtë vijon:
– niveli i investimit në pasuri të paluajtshme për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200 për qind të vlerës së pasurisë së shpallur për konkurrim;
– qëllimi dhe niveli i investimit në tërësi në pasurinë që jepet me enfiteozë;
– niveli i punësimit;
– oferta e detyrimit mujor.
Institucionet qendrore dhe vendore mund të vendosin edhe kritere të tjera shtesë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.