Dikur zona të izoluara, sot gjithnjë e më shumë po tërheqin vizitorë të huaj e vendas. Përveç natyrës që është treguar bujare, këto zona konkurrojnë denjësisht edhe me produktet unike me traditë qindravjeçare. Marketimi dhe promovimi i tyre do t’i ndihmonte të gjenin tregje më të mëdha dhe të kalonin kufijtë e lokales
Nga Elona Bedalli
Nga Tirana janë 102 kilometra që mund të përshkohen me makinë. Rrugët janë përmirësuar ndjeshëm dhe udhëtimi është më se i rehatshëm. Është një kohë shumë e shkurtër për t’u gjendur në një realitet tjetër, ku kupton se ora është ndalur, ku natyra është treguar e pakursyer dhe asgjë nuk është monotone.
Destinacioni ynë ishte Reçi, një nga tre fshatrat kryesorë të Parkut Natyror Rajonal të Shkrelit (i shpallur dy vjet më parë, kategoria e 4-t IUCN), në Malësinë e Madhe. Shtrihet në të djathtë të rrugës Koplik – Dedaj, e cila ndahet mes Reçit dhe Razmës. Rruga që të çon drejt fshatit me gjatësi 2 kilometra ka vetëm pak kohë që është rehabilituar dhe për banorët e zonës kjo është një ndihmë e madhe, e përditshmja e tyre është bërë më e lehtë.
Vjeshta me gjithë ngjyrat e saj e bëjnë këtë zonë vërtet mahnitëse për t’u vizituar. Të dyja anët e rrugës që të çojnë në qendër të fshatit janë të mbuluara nga pemë që e hijeshojnë edhe më shumë peizazhin. Shtëpitë e vogla, karakteristike e të kuruara me kujdes, ku dallohet më së miri ndikimi që kanë sjellë përvojat e emigracionit e bëjnë këtë vend edhe më tërheqës. Në qendër të fshatit, aty ky çdo 31 gusht bëhet një festë e madhe (Festa e Reçit) bien në sy gështenjat e moçme, që për banorët janë të shenjta, mosha mesatare e të cilave është 500-vjeçare. Por, gështenjat nuk janë të vetmet pasuri që ka kjo zonë, e cila së fundmi po kthehet në një trend për turizmin e fundjavës.
Në fshatin Reç jetojnë sot rreth 150 familje. Çdo pjesë e tij ka histori, tradita që ruhen me fanatizëm. Punojnë të gjithë nga më të vegjlit e deri te më të moshuarit, kush me bujqësi, kush me blegtori e kush me turizëm. Projekte të ndryshme qofshin ato gjermane, zvicerane apo edhe italiane kanë sjellë në këtë zonë përvoja dhe njohje që nxisin krijimin e një modeli të suksesshëm që bazohet tek ajo që ka falur natyra e që njeriu duhet veç ta ruajë.
Vetëm pak ditë më parë, Bashkia e Malësisë së Madhe, parku natyror Shkrel, projekti CABRA i GIZ (Ruajtja e Agrobiodiversitetit në Shqipërinë Rurale), Ministria e Mjedisit, Instituti i Resurseve Gjenetike dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës organizuan “Ditën e Agrobiodiversitetit” në Parkun Rajonal të Shkrelit. “Ky aktivitet u zhvillua në pyllin e Gështenjave të Reҫit, ku u prezantuan përmes një panairi vlerat e agrobiodiversitetit, mbarështimi i racave autoktone të blegtorisë, kultivimi i bimëve të arave dhe frutave, mënyrat e promovimit të produkteve nëpërmjet paketimit, etiketimit, shitjes për vizitorët nga vendi i origjinës drejt tregjeve lokale të fundjavës, por edhe potencialet turistike të nxitura nga vizitat në pyll, fshat, në ferma e baxho.
Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, tha se rehabilitimi i rrugës ka rritur mundësitë për turizmin malor, por edhe për produktet bujqësore dhe blegtorale që të arrijnë tregje më të mëdha. Sipas tij, panarirët janë një mundësi e mirë për të identifikuar prodhimet, siç janë: bimët mjekësore, gështenjat, bulmeti, por edhe resurset malore. Ai shtoi se duhet të vihet theksi te promovimi i këtyre vlerave dhe burimeve që do të zhduknin varfërinë dhe do të sillnin një zhvillim të qëndrueshëm. “Në Malësinë e Madhe, tha z. Marinaj, janë duke u realizuar investime të rëndësishme, siç është rehabilitimi i disa rrugëve, ndërtimi i pedonales së Razmës. Ndërsa qeveria është duke e mbështetur hartimin e planeve të reja vendore në pesë bashki në veri, që pritet të jenë gati në pranverë”. Drejtuesi i projektit CABRA, në GIZ dr. Ralph Peveling tha se biodiversiteti ofron shumë dhe se duhet të mbështetet me politika nxitëse. Sipas tij, bujqësia në zonën e Shkrelit gjithashtu karakterizohet nga një ofertë e pasur, por kërkohet që të bazohemi te trashëgimia, te produktet që garantojnë ushqim të shëndetshëm.
Ai tha se, për të siguruar përfitime më të larta, është i nevojshëm marketimi, i cili ndihmon që të njihen vlerat dhe të garantohet futja në tregje vendase dhe të huaja. Për dr. Peveling, investimi në këto zona është i rëndësishëm, banorët e zonës duhet të jenë të ndërgjegjshëm se përfitimet ekonomike nuk mund të jenë të shpejta, ato do të vonojnë pak në kohë. Dhe kjo, sipas tij, është një dukuri që ndodh kudo.
Gështenjat, monumenti i natyrës që po i bën vendasit ‘të pasur’
Shqipëria ka disa zona tejet të njohura e të pasura për kultivimin e gështenjës. Por, gështenja e Reçit është shpallur monument natyror që në vitin 1974, për shkak të rëndësisë që ka. Bukuria e Pyllit të Gështenjës, veçanërisht në vjeshtë, është e njohur. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarësh dhe në të gjenden rreth 30,000 rrënjë.
Nga qendra e fshatit për të shkuar në Pyllin e Gështenjave duhet të paktën dy orë ecje. Ne jemi një grup me 12 veta që, nën drejtimin e një guide profesionale, kemi zgjedhur të ecim përmes këtij pylli, ndër më të bukurit në këtë zonë, e ku nuk mungojnë as legjendat me thesare të groposura.
Në këtë kohë të vitit, pylli është i mbuluar nga gjethet e boçet plot gjemba të gështenjave, që banorët e zonave i ‘krehin’ me kujdes. Prengën e gjejmë në një nga pjesët e pyllit, që banorët e quajnë Qerret. Është një burrë që nuk duket se i kalon të 50-at dhe me një trastë të improvizuar rreth belit e me një krehër shikon me kujdes e mbledh gështenjat. Prenga na pyet në u lodhëm, kur në fakt është pikërisht ai që po mundohet të mbledhë atë që ka falur me aq bujari natyra. Na shpjegon se kjo zonë është parcelizuar në kohën e komunizmit dhe toka ku po kërkon për gështenja është në pronësi të tij. Thotë se mbledh rreth 1 kuintal gështenja dhe se e shesin me 130-150 lekë kilogramin. Por, ai dhe bashkëfshatarët e tij kanë edhe më pak se dhjetë ditë kohë, për të mbledhur gështenjat e rëna nga toka, për t’i hequr nga boçet e më pas për t’i shitur te pikat që i grumbullojnë.
Teksa ecim në pyll gjejmë edhe gra të reja e të moshuara apo edhe familje të tëra që bëjnë të njëjtën gjë, mbledhin nga toka gështenjat e rrëzuara.
Gështenja e Reçit është e famshme, ndërsa renditet pas asaj që prodhohet në Tropojë për nga cilësia e madhësia e produktit.
Reçianët tregojnë se pemët e gështenjave këtu janë ndër më të vjetrat, shkojnë mesatarisht deri në 500-vjeçare.
Banorët e zonave kujdesen edhe për fidanët më të rinj që mbijnë, duke i rrethuar e duke i mbrojtur nga bagëtia. Mësojmë se pemët e para të gështenjave janë sjellë nga emigrantët nga Kraja, një territor shqiptar në Mal të Zi, i njohur për kultivimin e kësaj peme.
Këtu prodhohen rreth 600 – 1,000 tonë gështenja mesatarisht çdo vit dhe banorët e Reçit janë të parët që kanë organizuar eksportin e saj në Itali. Në vitet e fundit, tregu më i garantuar është ai i gështenjës që eksportohet në Itali. Magazinat për grumbullimin e saj gjenden në hyrje të fshatit dhe një pjesë e mirë e banorëve të fshatit janë të punësuar në to.
Një tjetër burim i të ardhurave për këtë zonë është edhe kultivimi i bimëve mjekësore. Kryesisht janë gratë ato që merren me mbjelljen e këtyre kulturave që syri t’i sheh nëpër ara që në hyrje të Koplikut. Lodhja është e madhe, ndërsa shpërblimi i ulët. Një nga gratë e zonës që kishte vite që merrej me kultivimin e sherebelës, tha se punohej shumë dhe mundi nuk shpërblehej. Kishte ngarkuar rreth 80 kilogramë, por kjo sasi kur thahej reduktohej gjysmë për gjysmë. Ajo na tha se një kilogram bimë mjekësore e tharë shitej me 100 lekë, një shifër tejet e ulët.
Ndër bimët aromatike-mjekësore të kësaj zone janë; sherebela, kamomili, çaji i malit, trumëza, sanza, trëndafili i egër, thundërmushka, lavandula, etj.
Zona e Reçit është e njohur për prodhimet e saj blegtorale. Cilësia e këtyre produkteve garantohet pikërisht nga bagëtitë që janë tipike të zonës alpine, ku dallohet ndër to delja ‘Bardhoke’ e cila është ndër më të vjetrat në Ballkan apo dhia e Hasit e njohur për prodhimin dhe pjellorinë.
Atif Deda është specialist i bagëtive të imta dhe pasioni i tij dallohet qartë teksa të shpjegon me durim, llojet e bagëtive që janë ekspozuar e që flasin për një traditë të hershme të mbarështimit të tyre në trevat shqiptare.
Ai thotë se në zonën e Shkrelit gjenden raca bagëtish që janë autoktone dhe shekullore, ku dallohet veçanërisht delja Bardhoke, që mund të konsiderohet fare mirë si një nga racat më të mira që ka sot për sot Ballkani. Ai flet me pasion për racën Bardhoke, e cila, sipas tij, garanton një prodhim qumështi që zgjat 9 muaj. Thotë se shpesh janë bërë përpjekje për ta zhdukur si racë, por banorët e zonës dhe specialistët e kanë mbrojtur. Çmimi i një deleje në gjendje të gjallë shkon nga 8,000 deri në 12,000 lekë.
Sipas tij, konsumatori shqiptar nuk i njeh këto raca dhe as prodhimet që përftohen prej tyre. “Konsumatori nuk arrin dot të bëjë dallimin e produkteve, sepse nuk është bërë asnjëherë mjaftueshëm për promovimin e nxitjen e tyre. Shteti në këta 25 vjet nuk ka bërë pothuajse asgjë për të nxitur prodhimin vendas. Ne duhet të krenohemi me këto pasuri që janë trashëguar ndër breza. Racat që janë ekspozuar janë ndër më të mirat që kanë alpet sot”, thotë z. Deda.
Sipas tij, produktet blegtorale janë vetëm të destinuara për tregun lokal dhe nuk po arrijnë dot të shtrihen më tej. Ndër problemet kryesore që pengojnë futjen e këtyre produkteve, qoftë edhe në tregje të huaja, kanë të bëjnë me vaksinimin njëvjeçar, ngarkesat mikrobike, cilësia. “Laboratorët tanë nuk realizojnë dot përcaktimin e saktë të të gjithë elementeve që janë proteinat, yndyrat, etj.”, thotë specialisti.
Ai tërheq vëmendje edhe për një fakt tjetër. Brezat e rinj, nuk po interesohen më për zanatin e bariut dhe e kanë braktisur tërësisht e kjo në të ardhmen do të përbëjë një problem.
Parku Natyror Rajonal i Shkrelit, që është krijuar së fundmi, ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 20,282 hektarësh. Ai gjendet rreth 10 kilometra në verilindje të qytetit të Koplikut. Kufizohet nga Veriu: me Kelmendin dhe Parkun e Alpeve, nga Lindja me Plutin dhe Parkun Kombëtar të Thethit, nga Jugu me Gruemirën dhe Koplikun dhe nga perëndimi me Kastratin dhe pjesërisht Koplikun. Me mbështetjen e projektit italian VIS dhe atij gjerman CABRA është hartuar një guidë e detajuar me informacion të detajuar mbi hotelet, bujtinat, restorantet, guidat dhe harta.
Shkreli është një nga bukuritë e rralla të Alpeve Shqiptare, 20 kilometra larg Shkodrës. Një vend që mund të vizitohet në çdo stinë, por vjeshta e bën më të veçantë.
Të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë mund të zbulojnë shtigje të shumta që përshkojnë peizazhin e zonave si të Bogës, Lohes, Qafë Gradës. Me guida lokale ju mund të vizitoni kanionin e Përroit të Thatë dhe shpellat e shumta që gjenden në këtë zonë. Ka disa mënyra për të mbërritur në Parkun Natyror Rajonal të Shkrelit: me makinë, me autobus, me avion dhe me anije (nga ura e Bunës, përmes liqenit të Shkodrës).
Në këtë zonë mund të bëni një seri aktivitetesh në natyrë.
Alpinizmi mund të bëhet në disa vende, si në: Majën e Madhe, në Majën e Kamshollit, në Majën e Rrabës, Radohimë, majën e Vllecikut, etj.
Ecjet në natyrë mund të zhvillohen në çdo stinë në zonën Shkrelit, por koha më e preferuar është stina e pranverës dhe vera.
Ekzistojnë disa shpella në këtë zonë që janë ende të paeksploruara e që mund të realizohen me ndihmën e guidave lokale. Shëtitja e kuaj është mënyra më e mirë për të vizituar akse, si: Dedaj– Vrith-Razëm; Razëm–Bogë; Dedaj–Ducaj–Bogë etj.
Në Shkrelë mund të bëni edhe aeronautikë, veçanërisht në zona si Boga e Maja e Veleçikut.
Për çiklizëm mund të zgjidhni rrugët e pashtruara, ku nuk mungon mjedisi i pasur me biodiversitet. Një destinacion i veçantë është edhe shpella e Pëllumbave që shtrihet në drejtim të Qafë Gradës dhe ka shtrirje vertikale, gjë që lehtëson eksplorimin.
Në këtë zonë ka një sërë bujtinash ku mund të konsumoni produktet e veçanta të zonës dhe të ushqeheni shëndetshëm. Pjesa më e madhe e tyre janë të hapura gjithë vitin.
Oferta e akomodimit është e larmishme. Janë bujtina e hotele që dallohen për stilet e veçanta arkitekturore, diku tradicionale e diku të ndërthurura me modernen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.