A do të ndikojnë trajnimet e ndryshme profesionale dhe ligjet jo aq të ngurta të bizneseve në uljen e normës së papunësisë në Francë?
Një poster gjigant me shumë robotë dhe një poster tjetër me personazhin e Supermen-it, dekorojnë një prej mureve të sallonit të berberanes së Jérôme Veneau në Paris. Dhe në fakt ky dekorim që ai i ka bërë sallonit të tij është më se i përshtatshëm. Përpjekjet e z. Veneau për të fituar jetesën janë të barasvlefshme me punën e një roboti dhe atë të një supermeni.
200 prerjet e tij të para të flokëve për klientët gjatë çdo muaji shkojnë për të paguar taksat, shkruan The Economist. Vetëm pas prerjes së 200-të, ai fiton centin e parë për veten, të cilin ai mund ta marrë me vete në shtëpi dhe të mos ia japë shtetit. Klientët e tij janë aq të shumtë në numër, saqë shpeshherë ai detyrohet që të mos i pranojë një pjesë të tyre, duke i larguar ata.
Megjithatë, edhe pse pas 29 vitesh pune, ai është i vetëm në sallonin e tij, gjë kjo që e detyron atë që ta mbyllë sallonin kur ai të ketë diçka tjetër më me rëndësi për të bërë apo në ato raste kur ai është i sëmurë. Pyetja që të lind në këtë moment është, pse ky njeri me kaq vite përvojë mbi supe nuk punëson edhe dikë tjerër? Kurrë, kurrë është përgjigjja që ai jep menjëherë sapo i drejton këtë pyetje. Sistemi i punësimit është një rrëmujë e vërtetë, thotë ai më tej. Shumë vite më parë ai kishte punësuar një ndihmës, i cili ishte prerë gjatë punës me gërshërë nga pakujdesia. Një gjykatë urdhëroi z. Veneau se duhej t’i paguante ndihmësit të tij 17,000 euro ose 20,000 dollarë amerikanë, një pjesë e të cilave shkuan padyshim edhe për shtetin. Familja ime mbeti pa as edhe një qindarkë, dhe jam betuar se nuk do të punësoj më askënd tjetër, tha ai.
Z. Veneau votoi për Emmanuel Macron-in, Presidentin e ri francez, i cili është zotuar të ndërmarrë reforma të shumta dhe që ka premtuar se do të zhbllokojë tregjet e punës të vendit. Në një intervistë televizive të disa ditëve më parë, z. Macron premtoi se do të përmirësojë praktikën e punës, trajnimin profesional dhe sistemin e përfitimeve të të papunëve. Ky do të jetë “akti i dytë” i reformave të tij, ndërsa “akti i parë” që u kalua si ligj në shtator të këtij viti, u lejon firmave individuale të negociojnë drejtpërdrejt me sindikatat (në vend që të pranojnë marrëveshje kombëtare).
Këtë javë, Kryeministri Edouard Philippe, nisi bisedimet po për këtë çështje, duke thënë se deri verën e ardhshme, Parlamenti do të ketë miratuar një ligj të dytë mbi punësimin. Por një pjesë e mirë e këtyre ideve duken si të dyshimta. Z. Macron flet për “mbrojtjen” e të vetëpunësuarve dhe për disa të tjerë që largohen nga puna duke i dhënë disa prej tyre edhe disa atribute që i takojnë vetëm të papunëve në fakt. Dhe kjo gjë mund të jetë me kosto të lartë. Sipas një vlerësimi të fundit, u arrit në përfundimin se shpenzimet e mirëqenies duhet të rriten me 8 – 14 miliardë euro në vitin e parë. Shpenzimet mund të jenë më të ulëta nëse do të ketë më pak raste shkeljeje (kur punëdhënësi dhe punonjësi bien dakord që ky i fundit të largohet).
Për sa u përket trajnimeve dhe praktikave profesionale, një pjesë e qytetarëve janë entuziastë. Andreas Schleicher, një ekspert për praktikat profesionale në OECD, sheh “një ndryshim shumë të madh në synimet e z. Macron”. Skemat ekzistuese të ndërlikuara të Francës krijojnë vetëm një të tretën e zanatçinjve në krahasim me Gjermaninë dhe ajo që është më e keqja është se shpeshherë edhe me kosto më të lartë dhe me rezultate më të dobëta. Kompanitë i shohin taksat e praktikantit si ndëshkuese. Z. Macron thotë se trajnimet dhe praktikat profesionale shihen si “tabu”.
Për t’iu afruar nivelit të Gjermanisë, do të duhej kërkimi i ndihmës së firmave në hartimin dhe zbatimin e skemave të formimit profesional, në mënyrë të atillë që të nxirreshin ata zanatçinj për të cilët Franca ka më shumë nevojë. Por një ndryshim i tillë radikal do të nënkuptonte marrjen e një pjese të pushtetit nga Ministria e Arsimit, mësuesit dhe institucionet që vlerësojnë vetëm mësimet akademike, dhe t’i jepej kësaj kategorie. Është e paqartë nëse z. Macron është gati për një trazirë kaq të madhe, duke i shtuar këtij fakti edhe skepticizmin që ekziston në radhët e një numri të madh ekonomistësh dhe analistësh politikë.
Sipas Pierre Cahuc, një ekonomist në Ecole Polytechnique në Paris, sindikatat kanë arritur të mbajnë të drejtën për të negociuar për 13 çështje vendimtare në nivel kombëtar, duke kufizuar gjithnjë e më shumë lirinë që do të marrin firmat individuale. Jean Tirole, një ekonomist i laureatit Nobel, mirëpret përpjekjet për të lehtësuar Kodin e Punës, por sheh kufizime. Shteti ende bën një “supozim arrogant”, duke e ditur më së miri se si kompanitë e sektorit privat duhet të strukturojnë fuqinë e tyre punëtore. Ashtu edhe si z. Veneau, edhe z. Cahuc bie dakord në atë që kjo situatë është një “Rrëmujë e vërtetë”.