Renta minerare po rregjistron një rritje të shpejtë në vlerat e saj. Të dhënat më të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave konfirmojnë se kjo taksë është rritur me mbi 28% në katër muajt e parë të vitit në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në total, nga kjo taksë u mblodhën rreth 2.4 miliardë lekë të ardhura gjatë janar-prillit 2013.
Rritja e rentës, që është taksë që paguhet nga të gjitha kompanitë që shfrytëzojnë pasuritë në nëntokë, ka ardhur si pasojë e shtimit të shpejtë të eksporteve të karburanteve. Kompania e vetme që eksporton naftë shqiptare është ajo kanadeze, Bankers Petroleum, e cila prej disa vitesh ka marrë me koncesion fushën naftëmbajtëse Patos-Marinëz në rrethin e Fierit.
Falë këtyre eksporteve, edhe eksportet e mineraleve në total kanë rregjistruar një rritje të pandalshme. Drejtuesit e kompanisë kanë konfirmuar për “Monitor” se do të shtojnë më tej shitjet e tyre jashtë Shqipërisë në kushtet kur investimet në shtimin e puseve po vazhdojnë dhe po japin efektet e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.