Sipas një sondazhi të ri të kryer së fundmi, rreth një e pesta e qytetarëve serbë duan të emigrojnë në kërkim të një jete më të mirë dhe vendeve më të mira të punës. Pjesa më e madhe janë të rinj dhe pothuajse të gjithë duan të shkojnë në Perëndim, raporton EURACTIV Serbia.
Ata që kanë lënë tashmë nuk dëshirojnë të kthehen, të paktën jo para se të dalin në pension, përsëri kryesisht për shkak të standardeve më të larta të jetesës jashtë vendit, thuhet në analizën përfundimtare të sondazhit “Pse po largohen serbët nga Serbia”, të kryer nga “Srbija 21”, ku janë pyetur rreth 1,000 qytetarë.
Një e treta e të anketuarve, që janë shprehur se dëshirojnë të largohen nga Serbia, i takojnë grupmoshës 18-29 vjeç, ndërsa gati gjysma e atyre që duan të ikin jashtë, duan të qëndrojnë atje përherë dhe jo të kthehen.
Disa prej arsyeve më të forta që serbët duan të emigrojnë dhe të largohen nga vendi i tyre janë: standardi i jetesës (41%), një punë me pagesë më të lartë (36%) dhe situata e keqe në vend (9%). Edhe pse Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor, ai mbetet ende më i varfëri edhe pas një dekade izolimi ndërkombëtar dhe luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.
85% e të anketuarve duna të emigrojnë në vendet perëndimore, ndërsa vetëm 2% e tyre e konsiderojnë Rusinë si destinacionin e tyre të preferuar. Anketa u zhvillua edhe online, ku morën pjesë rreth 2,149 emigrantë serbë në vende të ndryshme. Pjesë më e madhe e tyre, rreth 92%, u shprehën se niveli i jetesës ishte shumë herë më i mirë sesa në Serbi.
Të pyetur nëse kishin ndër mend që të ktheheshin në vendin e tyre të origjinës, rreth 41% e të anketuarve u përgjigjën negativisht, ndërsa 35% planifikonin të ktheheshin pasi të dilnin në pension.
Nëntë nga dhjetë thanë se shohin të ardhmen e fëmijëve të tyre jashtë vendit. Një nga themeluesit e organizatës Srbija 21, Ivan Andrić, tha gjatë prezantimit të rezultateve të anketës se problemi i emigracionit masiv pati ndikim negativ mbi Serbinë dhe vendet e tjera në rajon, por edhe në disa nga vendet e Europës Lindore.
Situata është thuajse e njëjtë në të gjithë Ballkanin Lindor.
Bullgaria fqinje dhe Rumania, anëtare të BE-së që nga viti 2007, kanë humbur respektivisht 3.5 dhe 2 milionë të popullsisë së tyre që nga rënia e Murit të Berlinit.
“Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë, dhe këtë e kemi parë edhe në përvojën e fqinjëve tanë, se problemi nuk do të zhduket as nga rezultatet e nxjerra nga kjo organizatë dhe as pas hyrjes në BE. Përkundrazi, numri i atyre që do të largohen do të rritet. Që njerëzit të qëndrojnë, është e rëndësishme që ne të krijojmë cilësinë e jetës europiane perëndimore”, theksoi z. Andriç.
Për psikologen e çështjeve sociale, Jasna Milosheviq Popoviq, arsyet kryesore të largimit masiv janë niveli i ulët i jetesës, korrupsioni dhe pamundësia për të gjetur një punë në Serbi. Qëndrimi në Serbi krahasohet me termin “zgjedhje e humbësve”.
Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë në Serbi, një vend kandidat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian që nga 2013, ishte nën 12% në tremujorin e dytë, por për grupmoshën nga 15-24 vjeç, ajo ishte 27.5%. Paga mesatare neto në korrik ishte 49,202 dinarë (416 €).
Një tjetër sondazh, Balkan Barometer 2018, i kryer në fillim të korrikut të këtij viti nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RÇ) në Bruksel, pasqyroi një tabllo akoma edhe më të zymtë. Sipas tij, serbët janë më të shqetësuar për gjendjen e tyre ekonomike në krahasim me qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe 32% e tyre shprehen se duan të largohen nga vendi i tyre.
Për shkak të emigrimit dhe shkallës së vdekshmërisë më të lartë se shkalla e lindjeve, humbja vjetore e popullsisë në Serbi është e barabartë me një qytet prej rreth 35,000 banorësh, gjë që e vendos atë në mesin e 10 vendeve në botë, me rënien më të madhe të popullsisë, sipas të dhënave të paraqitura nga organizatat përkatëse.