Serbi / Rritet bashkëpunimi me Iranin në sektorin e strehimit dhe zhvillimit urban

07/07/2018 10:10 PM 0 komente

Ministrja serbe e Infrastrukturës shprehu gatishmërinë e vendit të saj për të bashkëpunuar me Iranin në sektorin e strehimit dhe zhvillimit urban. Ne jemi të gatshëm të rrisim bashkëpunimin tonë ekonomik me Iranin në fusha të ndryshme, veçanërisht në sektorin e strehimit dhe zhvillimit urban, tha Zorana Mihajloviç në një takim me ministrin iranian të Industrisë, Minierave dhe Tregtisë, Mohammad Shariatmadari në Beograd, raportoi agjencia e lajmeve IRNA.

Ajo shtoi se zhvillimi urban dhe ndërtimi i shtëpive mund të jenë dy sektorë të rinj për bashkëpunim mes dy vendeve. Ministrja serbe tha më tej se dëshironte të vendoste marrëdhënie më të ngushta midis sistemeve arsimore të dy shteteve në fushën e zhvillimit urban.

Ndërsa z. Shariatmadari shprehu gatishmërinë e Iranit për të zgjeruar lidhjet me Serbinë në fusha të ndryshme, veçanërisht në drejtim të transportit. Ai tha se Teherani është gati të ndajë përvojën e tij me Beogradin në fushën e zhvillimit urban.

Në 2017, qeveria e Serbisë njoftoi se për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për të tërhequr turistë dhe investitorë në Serbi, ajo kishte miratuar një legjislacion për të hequr kërkesat e vizave për qytetarët e Iranit dhe të Indisë që synonin të udhëtonin në këtë vend. Niveli i tregtisë mes Iranit dhe Serbisë llogaritet në 20 milionë dollarë amerikanë.

Në shkurt të këtij viti, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, vizitoi Beogradin për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Në takimin me homologun serb, Ivica Daçiq, Zarif përmendi naftën, gazin, industrinë e minierave, bujqësinë dhe IT-në si disa prej fushave më të përshtatshme për të zgjeruar lidhjet mes dy vendeve.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz