Konvertimi në platformën cloud mund të shkaktojë trazira në fushën e telekomunikacionit. Ai do të lejojë startup-et të sfidojnë operatorët aktualë
Me anë të platformës cloud, startup-et mund të krijojnë serverë të rinj apo të marrin të dhëna vetëm nëpërmjet një karte krediti dhe disa lëvizjeve të vogla të mausit. Imagjinoni për disa çaste një botë në të cilën ato të krijojnë rrjetin e tyre, mbase për t’u ofruar përdoruesve mundësinë që të përdorin një flotë makinash me vetëdrejtim ose të lidhen nëpërmjet sensorëve wireless, shkruan The Economist.
Edhe pse duket shumë i pamundur si proces, ai po rritet me një shpejtësi shumë të madhe në botën e telekomunikacionit. Rrjetet që po krijohen janë po aq fleksibël sa ç’janë edhe retë informatike (computing cloud): ato po shndërrohen në software të cilat mund të lidhen me internetin nëpërmjet linjës telefonike dhe njëkohësisht mund të shkëputen sipas nevojës. Një konvertim (shndërrim) i tillë në platformën cloud, do të jetë pikërisht shkaktari i trazirave të mundshme në industrinë e telekomunikacionit, në të njëjtën mënyrë që ka shkaktuar trazira edhe në teknologjinë e informacionit (IT).
Por Teknologjia e Informacionit dhe Industria e Telekomunikacionit ndryshojnë në shumë aspekte nga njëra-tjetra. E para është kryesisht e parregulluar, ndërsa e dyta mbikëqyret nga qeveria. Kapacitetit informatik është teorikisht i pakufizuar, ndryshe nga spektri i frekuencave të radios, e cila është e vështirë që të përdoret në mënyrë efikase. Rrjetet e industrisë së telekomunikacionit janë të lidhura më shumë me botën fizike. Një kullë transmetimi nuk mund të shndërrohet në një software, shprehet Bengt Nordstrom nga Northstream, një firmë konsulence.
Qendrat e mëdha të të dhënave të reve kompjuterike (cloud-computing) janë të pajisura me serverë të lirë të cilët funksionojnë nëpërmjet procesorëve standard. Në krahasim me këto, rrjetet e telekomunikacionit janë të pajisura me qindra lloje të ndryshme kompjuterësh me çipe të specializuara që nga shkrimi i mesazheve e deri te kontrolli i antenave. Nëse për ofrimin e një shërbimi të ri duhen muaj të tërë, imagjinoni sa kohë do të duhej për të ndërtuar një rrjet tërësisht të ri. Por nëpërmjet disa forcave të fuqishme po shkohet drejt ndryshimit të madh. Nga ana teknike, mënyra aktuale e ndërtimit të rrjeteve do të ndeshte një pengesë shumë të madhe, sepse trafiku po rritet me shpejtësi marramendëse.
Gjenerata e ardhshme e teknologjive wireless, e njohur si 5G, kërkon rrjete më fleksibël.
Megjithatë, faktori më i rëndësishëm që qëndron pas konvertimit në platformën cloud është ai ekonomik, shprehet Stéphane Téral nga IHS Markit, një firmë kërkimore.
Operatorët celularë duhet patjetër që të ulin kostot, teksa bumi i smartphone-ve po përfundon në shumë vende dhe çmimet e planeve të shërbimit celular të bien. Një lëvizje e tillë u cilësua edhe në Kongresin Botëror të Celularëve në Barcelonë, gjatë muajit shkurt.
Kabinat e pajisjeve të telekomunikacionit u pajisën me teknologji të reja të quajtura NFV dhe SDN, të cilat i shndërruan mekanizmat e specializuara të telekomunikacionit në software nëpërmjet një procesi të njohur si “virtualizim”.
Shumë rrjete tashmë janë virtualizuar që nga bërthama e tyre, mekanizmi qendror me kapacitet më të lartë. Por një proces i tillë ka filluar të ndodhë edhe në skajet më të larta të antenave të një rrjeti celularësh. Kjo zakonisht vendoset direkt në kompjuterët që ndodhen aty afër dhe që kontrollojnë sinjalin e radios.
Por disa operatorë, si SK Telekom në Korenë e Jugut, kanë filluar t’i konsolidojnë këto njësi të dhënash në qendrën e të dhënave kryesore. Alex Choi, shefi i teknologjisë në firmën SK Telecom, shprehet se dëshiron që “radio” të shndërrohet në komponentin e katërt të resë informatike (computing cloud).
Revolucioni në AT&T
Konglomerati që ka çuar procesin e konvertimit në platformën cloud në nivelin e tij më të largët është AT&T, operatori më i madh i Amerikës. Deri në fund të vitit 2017, ai dëshiron të ketë më shumë sesa gjysmën e rrjetit të virtualizuar. Në ato zona ku ai i ka konvertuar tashmë sistemet e tij, ai mund të shtojë një shërbim të ri vetëm nëpërmjet shkarkimit të një pjese të software. Në vend që të dërgojmë një teknik, ne mund të nisim në një destinacion të caktuar një makinë virtuale, shprehet Andre Fuetsch, shefi i teknologjisë në AT&T.
Edhe më befasuese për një firmë me një reputacion të tillë është se AT&T ka hedhur në treg programin nëpërmjet të cilit mund të menaxhohen pjesët e reja virtuale të rrjetit të tij si software të hapura (pa pagesë).
Nëse aprovohet gjerësisht, ajo do t’i lejojë operatorëve të rrjetit të përdorin mekanizma me kosto më të ulët. Këtu mund të përmendim shembullin e sistemit operativ të hapur Linuxit, që çoi në përdorimin komod të hardware-ve në qendrat e të dhënave një dekadë më parë.
Edhe nëse prodhuesit e pajisjeve janë të shqetësuar në lidhje me këtë situatë, ata nuk është se po e shfaqin shumë këtë gjë. Jo të gjitha pjesët e rrjetit do të virtualizohen, shprehet shefi i teknologjisë të Nokia-s. Gjithmonë do të ketë nevojë për hardware të specializuar, të tillë si procesorët që do të ruajnë paketat e të dhënave me shpejtësi më të madhe.
Megjithatë si Nokia ashtu edhe prodhuesit të tjerë të pajisjeve të industrisë së telekomunikacionit do t’i duhet të përshtaten me këto ndryshime.
Ata do të fitojnë më pak para si nga hardware-t ashtu edhe nga shërbimet e lidhura me mirëmbajtjen e tyre, që aktualisht përbëjnë një pjesë të rëndësishme të të ardhurave të tyre. Në të njëjtën kohë, atyre do t’u duhet të forcojnë biznesin e tyre të software.
Dy firma amerikane, Affirmed Networks dhe Mavenir janë duke zhvilluar software-t e tyre në mënyrë të tillë që të drejtojnë rrjetet e serverëve specifikë.
Firma Mavenir dëshiron të punojë me operatorët humbës në mënyrë të tillë që t’i rrëzojë ata që po kryesojë, shprehet drejtori ekzekutiv, Pardeep Kohli.
Nëse konvertimi i platformës cloud do të ishte zgjidhja e duhur, industria e telekomunikacionit mund të përballej me hyrjen në lojë të lojtarëve të rinj, të tillë si Amazon Web Services, gjigantit të e-commerce, që ofron platforma cloud sipas kërkesave të caktuara.
Sipas John Delaney të IDC, një firmë kërkimore, pengesa më e madhe për konvertimin në platformën cloud ka shumë mundësi të jetë spektri, të cilën shumica e të sapoardhurve do t’i duhet ta blejnë.
Por një sipërmarrës i zgjuar mund të gjejë mënyra për të kombinuar asetet e palicencuara të spektrit, fibrat e rrjeteve, aftësinë informatike, në mënyrë të tillë që të sigurojë çmime të ulëta për komunikimin me celular. Startup-e të tilla si FreedomPop dhe Republic Wireless ofrojnë shërbimin Wi-Fi me anë të të cilit mund të bëhen telefonata dhe mund të dërgohen të dhëna, duke përdorur rrjetin e celularit si backup.
Ashtu siç e tregon edhe rasti i AWS, Shërbimet e Telekomunikacionit të Amazon nuk duhet të rrjedhin patjetër nga bota e telekomunikacionit. Vetë Amazon është një kandidat. Por edhe prodhuesit e makinave, operatorët e rrjeteve të energjisë dhe gjigantët e internetit të tilla si Facebook mund të përpiqen: ata janë konsumatorë të mëdhenj të rrjeteve lidhëse dhe madje edhe kanë ndërtuar disa prej tyre.
Facebook, për shembull, është prapa Projektit Telekom Infra, një përpjekje tjetër për të hapur infrastrukturën e rrjetit. Megjithatë duhet parë sesi do të shkojnë gjërat deri në fund, industria e telekomunikacionit mund të bëhet më fluide gjatë viteve të ardhshme, ashtu siç ndodhi edhe më parë me Teknologjinë e Informacionit.