Shell, pas nënshkrimit të kontratës për Bllokun 4, gati për vrojtimet sizimike

26/12/2018 10:00 AM 0 komente

Në shkurt të këtij viti holandezët e Shell nënshkuan marrvjeshjen e kërkimit për Bllokun 4 me qeverinë shqiptare. Por duket se kompania tani është në një tjetër fazë dhe pritet që shumë shpejt të nisë vrojtimet sizimike. Sipas një kërkesë të paraqitur pranë autoriteteve shqiptare Shell ka bërë me dije edhe detajet lidhur me vrojtimet që pritet të nisin vitin e ardhshëm.

“Shell Upstream Albania B.V. (SUA) po planifikon të zhvillojë gjatë vitit 2019 një vrojtim sizmik 2D (“Projekti”) në Bllokun 4, me linja të zgjatura në Blloqet 2-3, në pjesën jugore të Shqipërisë. Vrojtimi i propozuar do t’i mundësojë SUA-s vlerësimin e potencialit të hidrokarbureve në Bllokun 4 dhe do të ndihmojë në identifikimin e zonave të mundshme për aktivitete të ardhme potenciale të shpimit kërkimor.” thuhet në dokument.

Kompania bën me dije se vrojtimi sizmik i propozuar do të përdorë një metodë standarte të përvetësimit të informacionit sizmik duke përdorur eksplozivë ose makina speciale vibruese përgjatë afërsisht 212 km linjave sizmike.

“Përdorimi i eksplozivëve do të kryhet nën sipërfaqen e tokës (në thellësi deri në 12 m), i shtrirë gjatë tre muajve, nën një regjim operacional shumë të kontrolluar dhe do të bëhet nga një kontraktor me eksperiencë. Vrojtimi do të kryhet në vijueshmëri; aktivitetet e vrojtimit do të zhvillohen në një zonë të caktuar dhe vetëm pasi të kenë përfunduar do të zhvendosen në një zonë tjetër. Për rrjedhojë koha e operacioneve në një zonë do të jetë e kufizuar” thuhet në dokument.

Blloku 4 shtrihet në pjesën jugore të Shqipërisë, në jug të Blloqeve 2-3 dhe afër kufirit me Greqinë, afërsisht 100 deri 200 kilometra në jug të Tiranës. Zona e projektit përfshihet në 4 qarqe – Berati, Korça, Gjirokastra dhe Vlora, megjithatë vrojtimi sizmik do të kryhet në qarkun e Gjirokastrës.

Shell aktualisht ka operacione në disa puse në vend dhe në 5 janar 2018 nisi oepracionin për shpimin e pusit Shpirag 4. Pusi Shpiragu-4 klasifikohet si një pus i thellë dhe është pusi i katërt që shpohet nga kompania Shell Upstream Albania, pas atyre Shpiragu-2, Molishti-1 dhe Shpiragu-3.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of