*David Ahearn
“Si e dije se çfarë doje të bëje me jetën tënde? – më pyeti një ditë një mikesha ime. Pyetja më ktheu pas në kohë, në fillimet e mia. Ajo po përpiqej të zbulonte se cili ishte pasioni dhe qëllimi i saj në jetë. Vetëm se unë kurrë nuk kisha menduar për këtë gjë më parë. Unë ende nuk jam plotësisht i sigurt se kam gjetur pasionin dhe qëllimin tim. Mendoj se pasioni dhe qëllimi më gjetën mua. Dija vetëm se doja të bëhesha një aktor komedian.
Hera e parë që u ngjita në skenë, isha i terrorizuar. Është ai lloj terrori që nis në mendjen tënde dhe më pas manifestohet në trupin tënd dhe çdo qelizë në qenien tënde lutet për pak lehtësim. Zemra më rrihte fort, ndieja duart të djersitura, gojën të tharë. Por nuk mund të ndalja… Isha i destinuar të ngjitesha në skenë dhe… të dështoja.
Pas pak, ndjeva personin e parë të qeshë dhe ndjeva brenda meje euforinë. Ajo ishte! Për herë të parë, bëra dikë të qeshë në një skenë të një klubi komedie.
Aty ishte – pasioni im, dhe në fund të fundit, qëllimi im. Për dy vitet në vazhdim në jetën time, jepja shfaqje katër ditë me radhë në Backdoor Comedy Club në Dallas, Teksas. Blackdoor është krijuar nga dy miq komedianë, Jan Norton dhe Linda Stogner për t’u dhënë fillestarëve mundësinë për t’u ngjitur në skenë. Ishte një oaz i mrekullueshëm. Për dy vjet me radhë, kam shkuar çdo natë, duke u përpjekur të përsos profesionin tim, dhe e kam bërë këtë falas.
Pasioni juaj, qëllimi juaj – është diçka që ju e doni aq shumë sa do ta bënit falas. Investitori legjendar Warren Buffet thotë se ju duhet të bëni diçka që ju sjell lumturi çdo ditë. Ai e bëri një gjë të tillë dhe tani është ndër njerëzit më të pasur në botë,
Kam kuptuar diçka – nëse ndiqni të bëni falas atë çka ju pëlqen – në fund janë paratë që do t’ju ndjekin ju. Bëhuni të zotë në hobin tuaj dhe njerëzit do t’ju paguajnë që t’ju shohin, njerëzit do t’ju paguajnë që t’ju lexojnë, njerëzit do t’ju paguajnë që të hanë ushqimet që ju gatuani. Çdo artist, shef kuzhine apo atlet e ka shndërruar hobin e tij në një profesion.
Por është e rëndësishme të bëni hapin e parë. Hapi i parë është t’i dërgoni universit qëllimin tuaj. Askush nuk është i zoti në diçka herën e parë. Çdo njeri i suksesshëm ka shpenzuar orë të tëra duke bërë falas atë gjë për të cilën sot paguhet.
Kështu e pyeta mikeshën time “cila është ajo gjë që ty të pëlqen aq shumë sa do ta bëje falas çdo ditë?”.
“Më pëlqen joga” – m’u përgjigj ajo. “Dhe nëse do të kisha mundësinë të jepja mësime joge do të isha e lumtur – shumë më e lumtur se sa tani që punoj në zyrë. Por ka kaq shumë mësues joge dhe është praktikisht e pamundur të fitosh jetesën në këtë mënyrë”.
E këshillova atë të hapte një account në Instagram dhe të postonte ushtrime joge dhe kuptimin e tyre. Me pak dëshirë dhe me shumë nxitje nga unë – ajo nisi të dokumentojë pasionin e saj. Dalëngadalë, numri i ndjekësve të saj në Instagram nisi të rritej. Njerëzit i pëlqenin shumë postimet e saj dhe sinqeritetin e saj dhe këto e çuan atë drejt suksesit. Njerëzit nëpër botë nisën të dëgjojnë për të.
Ajo ndërmori hapin e parë – ajo u bë udhëtimi. Dhe kjo është kërkesa e vetme. Një artikull këtu, një konferencë atje, dhe shumë shpejt, njerëzit nëpër botë filluan të kërkonin që ajo t’u jepte mësime joga.
Gjithçka nis me një pyetje shumë të rëndësishme: Çfarë më pëlqen të bëj, diçka që do ta bëj falas çdo ditë?
*David Ahearn është bashkëthemeluesi i Four Day Weekend, një grup komedie i vlerësuar nga kritika. Four Day Weekend është një Institut në Fort Worth në Teksas