Sindikata Samostalni ka nënshkruar një marrëveshje të re kolektive me FiatChryslerAutomobiles të Serbisë, por është kritikuar shumë ashpër nga një tjetër sindikatë që pretendon se marrëveshja është në dëm të interesave të punëtorëve.
Sindikata Samostalni, që përfaqëson punëtorët e FCA-së në Serbi, që së fundmi ka qenë në grevë për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës, nënshkroi të martën e kaluar një marrëveshje kolektive të re, e cila do të zgjasë për tre vjet dhe do të përfshijë heqjen e së drejtës për të ndërmarrë veprime industriale.
Por sindikata e dytë më e madhe që përfaqëson punëtorët e Fiat, Nezavisnost, u shpreh se kjo marrëveshje ishte e papranueshme dhe njoftoi se mund të ngrinte një padi kundër udhëheqësit të Samostalit, ZoranMarkoviç.
“Punëtorët janë më shumë se sa thjesht të pakënaqur, sepse Zoran Markoviç i ka premtuar rritje pagash dhe shpërblime për 2017 dhe 2018.
Ndërsa tani, referuar marrëveshjes së re, ne do të negociojmë vetëm për shpërblimet dhe askush nuk na garanton se do t’i marrim ato, u shpreh udhëheqësi i sindikatës, Nezavisnost, në një deklaratë për shtyp.
“Ne po shqyrtojmë ngritjen e akuzave kundër Markoviçit, sepse ky është një rast klasik mashtrimi”, – shtoi ai.
Sipas sindikatës Nezavisnost, marrëveshja e re ofron shumë më pak në krahasim me atë që ishte rënë dakord përpara grevës, që filloi më 23 qershor dhe vazhdoi deri më 18 korrik, periudhë kur filluan edhe negociatat.
Në vazhdë të kësaj, përfaqësues nga Sindikata Samostali argumentuan se ato që u diskutuan përpara zhvillimit të grevës ishin thjesht biseda tavoline dhe asgjë më shumë.
“Asambleja e sindikatës votoi për të pranuar ofertën, duke qenë se në këtë pikë nuk kishte më asnjë alternativë tjetër”.
Marrëveshja parashikon që në shkurt të çdo viti, pagat do të përshtaten për të kompensuar inflacionin e pritshëm vjetor të atij viti.
Për vitin 2017, punëtorët do të marrin 2,2% rritje që nga muaji gusht, ndërsa në vitin 2018, ata do të marrin një rritje prej 4.5%.
Kur ata hynë në grevë, punëtorët në fabrikën e Fiat-it po kërkonin një rritje nga 316 në 416 euro në muaj. Ata kërkuan për një shpërndarje sa më të drejtë të punës dhe punësimin e sa më shumë punëtorëve.
Megjithatë, përfaqësuesit zyrtarë të Fiat-it refuzuan të negociojnë me ata për aq kohë sa greva do të vazhdonte. Marrëveshja u ndërmjetësua nga Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, e cila i bindi përfaqësuesit e sindikatës të ndalonin grevën.
Marrëveshja parashikon që punëtorët nuk mund të zhvillojnë greva në tre vitet e ardhshme. Përfaqësuesit e Sindikatës Samostali dhe përfaqësuesit zyrtarë të Fiat nënshkruan marrëveshjen të martën e kaluar në prani të Brnabiqit dhe ministrit të Ekonomisë, GoranKneževiç.
Brnabiç deklaroi se në shtator, një komision me anë të të cilit do të përfaqësohen kompania dhe punëtorët, do të fillojnë të kryejnë kontrolle mujore për të përcaktuar nëse punonjësit në fabrikë janë të mbingarkuar.
Komisioni do të dërgojë raporte mbi ecurinë si në zyrat qendrore të kompanisë në Torino ashtu edhe në qeverinë serbe.
Në zhvillimin e konferencës për shtyp, pas nënshkrimit të marrëveshjes, nuk u lejua të bëhej asnjë pyetje.