Këtë të enjte, Singapori u bë vendi i parë në botë ku makinat vetëdrejtuese do të shërbejnë si taksi për të gjithë qytetarët, mbështetur nga teknologjia nuTonomy.
Gjithkush mund të rezervojë taksi falas në sajë të aplikaicionit për android, nuTonomy. Kanë qenë të shumta kompanitë, përfshirë Google dhe Volvo, të cilat kanë testuar për vite me radhë makinat vetëdrejtuese në qytet, por nuTonomy është i pari që ia ofron një mundësi të tillë prove publikut të gjerë.
Numri fillestar i taksive në të cilat do të testohet një gjë e tillë është 6, por që në fund të vitit pritet të bëhet 12. Sipas drejtuesve ekzekutivë, arritja e tyre më e madhe do të jetë kur të kenë krijuar flotën e tyre me makina vetëdrejtuese, gjë e cila mund të bëhet realitet në 2018-n.
Për momentin, taksitë veprojnë vetëm në një zonë të kufizuar rezidenciale dhe se ndalesat janë të përcaktuara. Numri i personave të regjistruar në aplikacion që duan t’i testojnë këto makina është rreth 12 dhe sipas pritshmërive ai pritet të rritet në 1000 në muajt pasardhës.
Gjatë kësaj periudhe fillestare, makinat do të kenë me vete edhe një shofer në rast rreziku, si dhe një inxhinier informatike në rast problemesh kompjuterike.
Rezervimi falas do të jetë vetëm gjatë periudhës së testimit, më pas gjithkush që do të marrë shërbimin e këtyre taksive do të paguajë një vlerë të caktuar, shprehet Karl Iagnemma, drejtor ekzekutiv i nuTonomy-it. Ai gjithashtu u shpreh se modele të tilla taksish do të testohen edhe në shtete të tjera si Amerikë, qytetet aziatike dhe Europë, por nuk dha asnjë datë të saktë.