Pavarësisht se shumë kërkesa të tyre janë marrë parasysh, biznesmenët kërcënojnë se paketa e re fiskale do të frenojë investimet e madje të largojë edhe sipërmarrës nga Shqipëria. Për këtë arsye këmbëngulin në kërkesat e tyre
Çfarë kërkojnë vitin e ardhshëm ia patën bërë të qartë qeverisë ditë më parë, por javës së kaluar kuptuan sa është dëgjuar fjala e tyre, sa kanë qenë bindës, e mbi të gjitha, cilat kërkesa nuk janë marrë parasysh.
Sipërmarrësit u njohën publikisht me paketën fiskale për vitin e ardhshëm nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, e rrjedhimisht patën mundësi të thonë fjalën e tyre.
Rritja e dividendit dhe tw ardhurave tw tjera nga 10% në 15%, përveç atyre nga paga, nuk mund të thuhej se ishin një dush i ftohtë për sipërmarrësit, të cilët sinjalet për kwtw lwvizje i kishin marrë me kohë, por konfirmimi u dha mundësi atyre të bëjnë reagimet e madje edhe kërcënimet se “futja e duarve në xhepat” e investitorëve pengon investimet e reja, e madje investitorë aktualë të emigrojnë jashtë.
Si rritja e tatimit mbi dividendin dhe tw ardhurat e tjera kwtw vit, ashtu dhe ajo e tatim fitimit vitin e kaluar janë mw të kundërshtuara njëzëri nga përfaqësuesit e biznesit. Më të drejtpërdrejtë janë përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Zëvendëspresidenti i kësaj Dhome, Genti Daci, shfrytëzoi dëgjesën e zërit të biznesit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë javës së kaluar, për të thënë se “ne kërkojmë fort që të mos prekni taksën mbi dividendin dhe tatimin në burim”, duke kujtuar se janë dy taksa që ndikojnë drejtpërdrejt në investimet e huaja. Për më tepër, përfaqësuesit e këtij biznesi janë kritikë ndaj qeverisë për pjesën e detyrave të saj.
1. Daci thotë se vendi ka nevojë më shumë se kurrë për investime të huaja dhe nuk mund të vijë investimi i huaj, kur qeveria nuk jep asnjë veprim konkret për evazionin fiskal. Pa luftuar evazionin fiskal kërkojmë të mos rritet asnjë taksë në këtë vend, thotë ai.
Dy taksat kundërshtohen edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Nikolin Jaka shprehet se duhej të priteshin rezultatet e vitit fiskal, të bëhej një bilanc i efektit të taksave të vendosur këtë vit dhe pastaj të diskutohej për ndryshimet e mundshme që do të përkonin me vitin 2016. E ndërsa për të, kjo është një “valë e dytë” taksash, për përfaqësuesit e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, po rrezikojmë të humbasin konkurrueshmërinë e të rrezikojmë largimin e investitorëve aktualë, ndërsa frenohet ardhja e investitorëve potencialë.
Gjergji Gjika, Përfaqësues i Dhomës së Fasonistëve, mendon se “duke goditur investimet e huaja në pjesën e dividendit prekim automatikisht pritshmëritë e investitorëve të huaj potencialë për hapjen e vendeve të reja të punës”.
Me rritjen e taksave, që prekin drejtpërdrejt fitimet, sipërmarrësit vlerësojnë se do të përkeqësohet niveli i tyre konkurrues jo vetëm me rajonin, por edhe në vetë tregun e brendshëm. “Paketa rëndon shumë tatimpaguesit e rregullt, në kushtet kur evazioni është i lartë. Shqetësimin e kemi marrë nga investitorët. Rritja e këtyre taksave, përveçse ngarkon bizneset, i jep incentivë shumë të lartë evazionit që të vazhdojë të rrisë nivelin e tij”, thotë zoti Daci.
Bindja se këto taksa do të vënë në pikëpyetje investimet e huaja shtohet kur këtë e thotë një ekspert kontabël si Ilir Binaj. Sipas tij, “dividenti nuk duhet të rritet kurrsesi”. Për sa i përket tatim mbi depozitat është më tolerant ndaj qeverisë, pasi thekson se nuk ka peshë të madhe për sipërmarrësit.
Ekspertë e biznesmenë vijojnë të këmbëngulin në lehtësitë e sektorit të turizmit, për të përgjysmuar TVSH-në. E kundërta, sipas Binajt, është një zgjidhje e gabuar. “Për të mbuluar administrimin e taksave, ne mundohemi t’i rrisim ato. Të gjitha forcat politike e profesionistë e kanë pranuar se evazionin fiskal e kemi 40%, pse nuk mendojmë ta ulim në 20% dhe t’i japim buxhetit 400 mln euro?!
Daci: Të mos rritet asnjë taksë për sa kohë qeveria nuk jep asnjë veprim konkret për evazionin fiskal
Binaj: Të përgjysmohet niveli i evazionit fiskal në këmbim të rritjes së taksave
————
Nuk ka hapësirë për rritje taksash
Flet Genti Daci, zëvendëspresident i Dhomës Amerikane të Tregtisë
Do të kishim dashur të kishim pasur më shumë kohë për ta diskutuar me anëtarët tanë paketën fiskale. Kemi zhvilluar një takim në Amerikë për të ftuar investitorët. Me gjithë dëshirën e madhe, interesi i tyre është i ulët. Kjo është si pasojë e një imazhi të ulët që kemi për shtetin ligjor, korrupsionin, zbatimin e politikave fiskale. Por, problemi kryesor është qëndrueshmëria fiskale. Sot thuhet rritet një taksë, nesër një tjetër, pasnesër një tjetër dhe nuk ka mundësi për të bërë plane biznesi të qëndrueshme. E ndiejmë si problem të madh që qeveria rriti disa taksa politike, tani rrit disa të tjera pa na thënë qartë përse po i rrit këto taksa. Cilat janë përfitimet: po bëhen më shumë rrugë, më shumë shkolla? Të gjitha bizneset amerikane janë të rregullta dhe nëse bëjnë korrupsion dënohen e futen në burg në Amerikë.
Taksat rriten në mënyrë politike, nuk shohim më asnjë hapësirë pse duhet të vazhdojw kjo tendencw. Janë taksat më të rëndësishme për investimet e huaja. Nëse këtë vend do ta bëjmë, shikoni rajonin, i cili ka ulur taksat dhe çdo ditë fton investitorë të huaj.
Një pikë tjetër e rëndësishme për ne është se ulja e disa gjobave për biznesin e vogël nuk është aplikuar për biznesin e madh.
Shqetësim i sipërmarrësve tanë është edhe rimbursimi i TVSH-së për kompanitë eksportuese. Duhet të dimë çfarë ndodh në rast të skadimit të afatit të rimbursimit, biznesi pret nga taksat një përgjigje, por kjo pritje ndodh me vite, nuk ka kuptim. Sipërmarrjet të rëndësishme amerikane në vendin tonë janë ato të hidrokarbureve, që përdorin lëndën djegëse si lëndë bazë dhe ne kërkojnë që lëndët djegëse kur përdoren si lëndë bazë për nga industria prodhuese të mos taksohen.
————–
Paketa “fiktive” e fasonit
Për sektorin e fasonit, në këtë periudhë vitin e kaluar u bë një betejë shumë e madhe kur po flitej për rritjen e tatimfitimit nga 10% në 15%. Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës Kombëtare të Fasonistëve, kujton se “ne ishim në krye të kësaj lufte me argumentet përse nuk mund ta përballonim këtë rritje. Kjo luftë përfundoi në një marrëveshje politike me një paketë për fasonin, e cila pati një tufë masash integrale”. Por industritë e këtij sektori po presin ende frytet e lehtësive të premtuara, fryte, lulet e të cilave nuk i shohin as të çelin. I tillë është fondi i premtuar për nxitjen e punësimit, i cili do të merrej nga tatimfitimi i shtuar nga 10% në 15%. Z. Gjika vëren se “ka ardhur koha të jepen disa rezultate financiare. Problemi është (ashtu siç kemi pasur dyshime) te rikthimi i 50% të tatimfitimit për të nxitur punësimin. Në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale nuk është parashikuar fare ky zë, ndaj kërkojmë të shihet sa është ende në kohë paketa fiskale.
Sipas z. Gjika, shqetësim për fasonin përbën edhe rimbursimi i TVSH-së. Rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nuk është në atë masë të pritshme dhe në atë masë që është bërë propaganda, sipas tij, pasi shifrat e pasqyruara flasin për rimbursim në masën 50%. “Kemi arsye të kërkojmë që ky rimbursim të liberalizohet. Nuk mund të fillojë të jetë i vlefshëm rimbursimi automatik, për të cilin po flitet se do të hyjë në fuqi. Industria jonë është skeptike që po këta të ngurtë për rimbursimin deri më tani të jenë avangardë për rimbursimin në mënyrë automatike. Zgjidhja do të ishte vetëm nëse bëhet përmes kalimit në thesarin e shtetit”, thotë Gjika.
Po aq sa lista e gjatë e paketës mbështetëse, janë edhe problemet që po has fasoni. Taksat vendore janë trajtuar shprehimisht në paketën fason, pikë që jo vetëm nuk është marrë parasysh, sipas biznesit, por është shumëfishuar në disa rrethe.
Gjika:Ishte premtuar kthimi i 50% të tatimfitimit në investime për punësim. Vlera nuk është parashikuar në buxhet.
————–
Muri mes qeverisë dhe turizmit, ftoh konkurrencën
Turizmi vlerësohet si një prej industrive kryesore që nxori Europën nga kriza gjatë këtij viti, pasi pati një rritje prej 5.4% të të ardhurave. Kjo rritje bëri që bilanci i Europës të kalojë në pozitiv. Përfaqësuesit e sektorit tregojnë se e njëjta gjë ka ndodhur me Greqinë. Vetëm si rezultat i stimulimit të sektorit, Greqia arriti të gjenerojë të ardhura për të kaluar në pozicion pozitiv. Nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në nivelin 9-11% Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore lejuan zbritjen në 6% të TVSH-së dhe kjo solli Greqinë në këtë rezultat.
Zak Topuzi, përfaqësues i Shoqatës së Turizmit, kujton se qeveria shqiptare e ka vendosur ndër shtyllat kryesore pas bujqësisë, por që të mos mbetet slogan duhen disa masa. Në korrik, me ftesë të qeverisë shqiptare, ekspertë të Harward-it vlerësuan sektorin e dolën në përfundimin se Shqipëria i ka gjithë resurset për të qenë lider në Ballkan dhe rekomanduan uljen e TVSH-së në 10%. “Kjo nuk është një kërkesë e veçantë, thotë z. Topuzi, pasi është një rekomandim i Bashkimit Europian që nga viti 1996 dhe në 2006 është kthyer në direktivë, me të cilën rekomandohet që gjitha vendet e Europës të ulin TVSH-në e turizmit dhe industritë që lidhen me të për të gjeneruar të ardhura”. Kjo industri është kthyer në mënyrë mbijetese, veçanërisht në periudhën e krizës financiare. E për të kuptuar ku ndodhemi mjafton të bëjmë krahasimet. Sot, mes vendeve të Mesdheut, pesha e turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto luhatet mes 12% deri në 27% të PBB-së në Kroaci. Z. Topuzi kujton se, gjithë vendet e rajonit kanë bërë politika agresive në turizëm, çka ka bërë që Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi të renditen shumë më mirë se ne në raportin global të konkurrueshmërisë.
Por, pse nuk ndërtohen hotele në Shqipëri ndërkohë që ka strategji të qarta. Sipas përfaqësuesve të biznesit, deri në 2014-n duhet të ishin ndërtuar mbi 250 hotele me 4 yje, ndërsa mbetemi në nivelin simbolik. Sipas z. Topuzi, “Mali i Zi ka një të tretën e linjës bregdetare të Shqipërisë e 240 mijë shtretër. Shqipëria, duke pasur parasysh dhe Strategjinë e Zhvillimit deri në vitin 2020 do 25 vjet për të arritur nivelin e Malit të Zi”. Dhe një nga arsyet kryesore, sipas tij, është se Shqipëria ka një nivel mbi 300% të taksave në këtë industri. Asnjë investitor i huaj nuk vjen dhe asnjë investitor vendas, me gjithë kolapsin në ndërtim nuk ndërton hotele dhe rezorte, thotë z. Topuzi.
Në fakt po flasim për një industri me nivel të lartë informaliteti e jemi të vetëdijshëm për aktivitetet e paregjistruara. Por në këtë pikë, taksat e rritura nuk janë në ndihmë sipas sipërmarrësve të regjistruar. Sipas tyre, me nivelin e lartë të TVSH-së pengohet formalizimi i sektorit e rrjedhimisht zhvillimi i tij. Pjesa e industrisë së regjistruar po e vuan në kurriz këtë fakt. Dhe një prej treguesve është niveli i lartë borxheve të tyre.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë e pakthyera janë 25% në total, por për sektorin hotele, bare, restorante arrin në 46%. Kjo industri është e vetmja që mund të sigurojë punësim, për çdo turist punësohen 5-7 vetë.
Kërkon të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit. Shqipëria po kalon një pozicion të vështirë, nëse nuk marrim masa, industria turistike nuk do të jetë prioritare. Në bazë të resurseve që ka, ekspertë të huaj kanë vlerësuar se Shqipëria humbet 1 deri në 2 miliardë euro nga mosshfrytëzimi i kapaciteteve të saj. Një tregues i matur nga të huajt ky. Investimet në sektorin e turizmit janë minimale, ndërsa Maqedonia me “një gjysmë liqeni” ka një TVSH 5% dhe shumë politika të tjera nxitëse.
BSH: Kreditë me probleme 25% e totalit. Kreditë me probleme në hoteleri-turizëm 46% e totalit të kredive në këtë sektor.
———
BiznesAlbania: Koncesionet e gjobat e larta, “litar në fyt”
Përfaqësuesit e BiznesAlbania vlerësojnë se paketa ka reflektuar disa ndryshime pozitive veçanërisht për sa i përket lehtësimit të procedurave tatimore e doganore. Vitin e ardhshëm është vendosur që Komisioni i Apelit do të kalojë në varësi të Ministrisë së Financave, ndërsa shkurtohet afati i apelit nga 90 ditë në 60 ditë, vendosja e afatit 60 ditë për garancinë bankare kur më parë ishte pa afat. Në kërkesat e marra parasysh janë edhe ulja e afatit të rimbursimit të TVSH-së dhe ulja e gjobave për mosdeklarim të punonjësve nga 250 mijë lekë në 50 mijë lekë si reflektim të kërkesës së herëpashershme të BiznesAlbania.
Por, përfaqësuesit e BiznesAlbania kujtojnë mungesën e plotësimit të kërkesave për sektorin e ndërtimit, lidhur me parapagimin e tatim-fitimit për objektet ende të pashitura.
BiznesAlbania këmbëngul gjithashtu në heqjen e koncesionit të pullave fiskale, një hap me kosto të lartë për qeverinë, pasi kontrata koncesionare ka marrë vulën e Kuvendit të Shqipërisë.
Sipërmarrësit e birrës, të cilët janë prekur më shumë nga kjo kontratë, thonë se janë penalizuar ndërsa është favorizuar politika monopol. Bazuar në praktikat e huaja ata kërkojnë që kosto e pullave të ulet nga 28 euro në 3 euro. Të hiqet pulla fiskale për industrinë e birrës vendase dhe e importit, pasi nuk aplikohet në asnjë vend të Bashkimit Europian. Ata kujtojë se Ligji nuk e realizoi misionin për të cilin u krijua, pasi nuk pati rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Për birrën një zhvillim paradoksal është heqja e akcizës për pijet energjike të importuara, ndërsa për birrën është rritur 30%. Ndaj jo pa ironi, z. Bregasi, është shprehur javës së kaluar në Komisionin e Ekonomisë, se nuk e di kujt i ka vajtur në mendje të heqë akcizën për pijet energjike. “Mos vallë do të nxisni konsumin e pijeve energjike?!”, tha ai.
Të rënduar sipërmarrësit e BiznesAlbania-s ndihen edhe me taksën vendore. Këtë vit u dyfishua taksat mbi ndërtesat për biznese dhe kjo vlerësohet të ketë rritur kostot për bizneset me objekte të mëdha.
Presidenti i BiznesAlbania-s, Luan Bregasi, thotë se në lidhje me masat ndëshkimore, kërkohet të hiqet pagesa 5-fish e gjobave dhe kufiri deri në 1 milion lekë. Ai kujton se këto gjoba bien ndesh dhe me ligjin e procedurave ku thuhet që gjoba nuk duhet të tejkalojë vlerën e detyrimit. “Biznesi ka kërkuar heqjen e çmimeve të referencës në doganë dhe tani po kërkohet që ajo të vihet dhe te tatimet. Nuk ka kuptim”, – sipas Bregasit.
Kërkesë e paplotësuar është përgjysmimi i çmimit të pajisjeve fiskale dhe kostot e shërbimeve vjetore të këtyre pajisjeve fiskale.
A.MUÇAJ
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.