Ndryshim i lehtë në pamje për makinën çeke, e cila është përditësuar edhe në përmbajtje. Mjet ideal për trafikun e qytetit, veçanërisht në versionin me kambio automatike
Kushërira e Volkswagen up! Ajo ka pësuar një ndryshim pamjeje të lehtë, gjë që dallohet në pjesën e përparme dhe linjat anësore. Shumë të vogla ndryshimet në përmasa: karroceria është më e gjatë vetëm tre centimetra, duke arritur në 3 metra e 60, për shkak të parakolpeve të ridizenjuar. Të tjera ndryshime kanë të bëjnë me grilën e përparme, e cila huazon pamjen nga modelet më të mëdhenj, me fenerët e mjegullës me funksion për këndet e errët, si dhe me impiantet optike tashmë të teknologjisë Led.
Debutim përbën versioni dy-ngjyrësh, me çati të bardhë ose të zezë. Ndryshe nga modeli gjerman i grupit, me të cilin ndan të gjithë mekanikën, çekja, e cila pritet së shpejti në treg, nuk e ka versionin turbo. Motorin e vogël tre cilindërsh, e gjejmë vetëm në versionet me thithje: 60 ose 75 kf, ose tek motori bifuel me metan, me 68 kf. Ne provuam versionin më të fuqishëm, atë me kambio automatike Asg. Bëhet fjalë për një kambio robotike, me pesë marshe, e cila funksionon rrjedhshëm dhe këndshëm në çdo situatë, pavarësisht moshës së saj. Motori 1.0, 75 kf, nuk e ka shkëlqimin apo momentin përdredhës të një motori turbobenzinë, por gjithsesi ja del mirë në trafik, madje edhe në shpejtësi, duke u konfirmuar i shkathët dhe i shpejtë aq sa duhet.
Kambio përshtatet mirë, pa hezitime dhe boshllëqe në uljen apo rritjen e raporteve. Nëse dëshirohet, mjafton të lëvizësh levën në të majtë dhe kambio mund të përdoret në mënyrë manuale (pa doreza në timon, të cilat nuk ofrohen as si opsionale). Mes sistemeve të sigurisë, gjejmë Active city brake, e thënë ndryshe sistemin e frenimit automatik, që tashmë është në dispozicion që në versionin e parë Citigo dhe që aktivizohet në regjimet 5 deri 30 km/h. Në kabinë, gjejmë një mjedis të rinovuar në disa aspekte, duke filluar nga instrumentet, ku spikat mbajtësja për aparatin smartphone, e cila eliminon sirtarët: e vetmja e metë është se ajo nuk është e kthyer drejt drejtuesit. Timoni multifunksional dhe sistemi Climatronic, të dy debutues për modelin, e bëjnë Skoda-n e vogël më të plotë dhe të denjë karshi konkurrentëve më të zotë. Çmimet fillojnë nga 10.220 euro.
1.0 75 CV AsgStyle
MOTORI – L3 benzinë 999 cm3
FUQIA MAKSIMALE – 55 kW (75 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 95 Nm në 3.000 xhiro/min
TRAKSIONI – në rrotat e para
KAMBIO – automatike me 5 marshe
0-100 km/h – 14,9 s
KONSUMI MESATAR – 23,8 km/l
PËRMASAT – gjat. 360 – gjer. 165 – lart. 148 cm
PESHA – 931 kg
ÇMIMI – duke filluar nga 13.665 €
Nga ndryshimet që iu bënë në “gjysmë të rrugës”, përfiton sistemin më të fundit infotainment, si dhe ruan ndërkohë cilësitë më të mira
NDRYSHIMI KLASIK në “gjysmë të rrugës”, për modelin BMW Seria 2. Ndërhyrjet janë përqendruar kryesisht tek fenerët (tani të gjithë LED si pajim standard), tek grila e dyfishtë (e cila është zgjeruar), si dhe tek disqet me ngjyrën e karrocerisë.
Pjesa e brendshme, ku sistemi i drejtimit, ndonëse i rifreskuar, ka mbetur i ngjashëm me atë të modelit të mëparshëm, përfiton për sa i përket sistemit të ri infotainment (sistem opsional), i njëjtë me atë të aplikuar tek modelet e serive 7 dhe 5, i cili manovrohet në disa mënyra: me anë të butonit të pajisjes iDrive, me anë të ekranit (tani me prekje), si dhe me anë të komandave zanore, me njohje natyrore të zërit.
Duke hapur pjesën e sipërme të modelit 220d Cabrio (veprim që mund të kryhet në pak sekonda edhe kur makina është në lëvizje), zhurma e rrymave të ajrit, ndonëse në shpejtësi të kufizuar 90-100 km/h, mbulon uturimën e motorit, kjo edhe në sajë të kambios automatike ZF me tetë marshe, duke e bërë mjaft të këndshëm udhëtimin me tavan të hapur.
Nëse dëshirohet shtimi i shpejtësisë, është e këshillueshme që pjesa e sipërme të mbyllet: në këtë mënyrë, modeli 220d Cabrio, ngjan thuajse një model të mbuluar, kaq të papërfillshme janë zhurmat dhe rrymat e ajrit, falë cilësisë së lartë të materialit të pjesës së sipërme dhe ngurtësisë së telajos. Regjimi është i rregullt dhe timoni, ndonëse jo i gatshëm, lejon kontrollin e saktë të trajektoreve. Në qoftë se nuk pritet “egërsi” apo “tingull i mrekullueshëm” nga motori tre litra, me gjashtë cilindra turbo-benzinë, 340 kf, modeli M240i Cabrio, ecën zhdërvjellët. Nga ana tjetër, nuk ka vend për ankesa edhe për sa i përket konsumeve: në fund të xhiros së provës, në rrugë ndërurbane apo autostrada gjermane, mesatarja e treguar nga kompjuteri i kabinës ishte 6.3 litra/100 km.
220d Msport
MOTORI – L4 turbodiesel 1.995 cm3
FUQIA MAKSIMALE – 140 kW (190 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 400 Nm në 1.750 xhiro/min
TRAKSIONI – në rrotat prapa
KAMBIO – automatike me 8 marshe
0-100 km/h – 7,4 s
KONSUMI MESATAR – 22,7 km/l
PËRMASAT – gjat. 443 – gjer. 177 – lart. 141 cm
PESHA – 1.635 kg
ÇMIMI – duke filluar nga 46.250 €
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.