Sondazhi/ Kriza, emigrimi dhe sëmundjet po mbyllin bizneset, frikë nga TVSH

09/03/2018 10:07 PM 0 komente

Situata për biznesin e vogël nuk duket aspak optimiste. Vetëm në muajin shkurt 2018, numri i subjekteve që kaluan në statusin pasiv e tejkaloi 1000, duke u katërfishuar në raport me katër vite më parë. Të gjendur pa rrugëdalje, bizneset e vogla po tentojnë që të shpëtojnë duke bërë çregjistrime fiktive, por mesa duket fenomeni është pikasur nga Tatime.
“Monitor” kreu një sondazh me bizneset, që kaluan në status pasiv në shkurt. 67% e subjekteve dhanë si arsye krizën, uljen e fuqisë blerëse dhe konkurrencën. Në shumë pak kohë, përqindja e individëve që raportojnë se kanë emigruar pas mbylljes së biznesit është rritur. Ndërkohë, është shtuar edhe përqindja e bizneseve që janë mbyllur prej sëmundjeve…

 

Nga Ledina Loga

 

Enea Shehu punon prej disa kohësh si ekspert kontabël i miratuar. Ai ka klientë kryesisht biznese të vogla, një prej të cilëve është edhe bar-kafeja e Jorgji Poçit, i cili ka kaluar automatikisht në listën e subjekteve pasive, të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Sipas zotit Shehu, Jorgji është larguar pa e njoftuar në Barcelonë, ndërkohë janë gjeneruar edhe kamatëvonesat për mospagimin në kohë të detyrimeve. Eksperti tregon se nga diskutimet me bizneset, ata shprehen të pakënaqur me përfshirjen e tyre në skemën e TVSH-së dhe nuk e dinë nëse do ta vazhdojnë si aktivitet pas përfshirjes.

Enea përllogarit se një biznesi të vogël do t’i duhet të paguajë nga 30-40 mijë lekë çdo muaj pas përfshirjes në skemë. Pjesa më e madhe e bizneseve të vogla që ai ka në portofol ushtrojnë veprimtarinë e tyre si bar-kafe, restorante apo dhe tregti me pakicë.

Për më tepër, Shehu shton se ai do të shtojë tarifat për shërbimet e kontabilitetit, në varësi të subjektit ai parashikon një rritje nga 5 mijë lekë deri në 15,000 lekë, në varësi të subjektit. Një pjesë e subjekteve, sipas zotit Shehu, po tentojnë që të kalojnë në status pasiv, apo të çregjistrohen për të çelur një NIPT të ri, ku xhiro fillon nga zero. Ai tha se është përpjekur që të këshillojë bizneset që të mos e bëjnë, pasi nuk është kaq e lehtë dhe do të diktohen shpejt prej Tatimeve.

Sipas tij, gjendja aktuale për bizneset e vogla paraqitet e vështirë, pjesa më e madhe e tyre nuk janë konkurruese në treg, shpenzimet operative, si qiraja, të paktën për kryeqytetin, janë të larta, fuqia blerëse më e ulët, ndërsa konkurrenca është shtuar.

Kështu argumenton edhe Jonida Hanaj, e cila në muajin shkurt bëri kërkesë për pezullimin aktiviteti. “Edhe pse e kam nisur aktivitetin që në vitin 2003, fillimisht me tregtimin e perdeve, më vonë me tregtinë e rrobave me pakicë, më 22 shkurt 2018, pas 15 vitesh, mbylla biznesin”, u shpreh ajo me keqardhje duke qenë se i kishte kushtuar shumë kohë menaxhimit të tij. Kur u pyet për arsyet se pse e kishte mbyllur si aktivitet, ajo tha: falimentova si biznes, nuk po mbyllja dot as shpenzimet, kisha vështirësi për të paguar taksat, ndërsa xhiroja ra në mënyrë drastike.

Kurse Parashqevia nga Durrësi bëri kërkesën për pezullim dy ditë përpara Jonidës. Ajo tregon se puna arriti në atë pikë që kalonin ditë me radhë pa bërë xhiro ditore, madje tregon se nuk kanë qenë të pakta rastet kur e ka shtypur kasën edhe kot. “Na ra puna shumë jashtë mase. Donim ta mbyllnin prej kohësh, por tani që do të na vendosin edhe TVSH-në, ne vendosëm që ta mbyllim biznesin. Mirë nuk na erdhi, e ndiejmë shumë peshën e falimentimit të biznesit, duke qenë se punuam mbi 10 vjet”, – tregon ajo kur u pyet nga “Monitor” mbi arsyet e pezullimit të aktivitetit.
Këto subjekte u kontaktuan me telefon si pjesë e sondazhit të katërt të “Monitor”, zhvilluar me listën e subjekteve pasive dhe të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në qendër të sondazhit ishin vetëm bizneset që kishin kaluar në status pasiv në muajin shkurt.

Sipas të dhënave të analizuara nga “Monitor”, gjatë shkurtit 1,088 biznese kaluan në statusin pasiv. Prej të gjithë bizneseve që kishin kaluar në statusin pasiv, me përzgjedhje të rastësishme u telefonuan 10% e tyre, sipas peshave specifike që kishin bizneset pasive sipas Drejtorive Rajonale Tatimore. Bizneset pasive u pyetën në lidhje me: arsyet pse kishin bërë kërkesë për pezullimin e aktivitetit; prej sa kohësh operonin; dhe a ishin të punësuar diku tjetër pas mbylljes së aktivitetit.

Prej të dhënave të analizuara prej sondazhit, 67% e të anketuarve dhanë krizën si arsye kryesore të mbylljes së biznesit të tyre, duke e argumentuar me rënien e fuqisë blerëse, rritjen e konkurrencës, kostove të larta operative, etj. Prej tyre, 20% e të pyeturve, ose 14% e totalit, u përgjigjën se do të emigronin ose ishin jashtë vendit aktualisht.

Pjesa tjetër e të anketuarve, rreth 33%, dhanë arsye të tjera mbi mbylljen e aktivitetit, nga të cilat mbizotëronin problemet shëndetësore. (Rreth 27% e atyre që dhanë një arsye tjetër përveç krizës, që përbënte 9% të totalit të subjekteve të anketuara, thanë se ishin problemet shëndetësore që i kishin detyruar të mbyllnin aktivitetin).

Nga të dhënat e analizuara, vetëm për muajin shkurt, nga 2015 deri në 2018-n, numri i bizneseve të mbyllura është katërfishuar në katër vitet e fundit. Sipas shifrave të nxjerra nga lista e subjekteve të Tatimeve, në shkurt të vitit 2015, vetëm 287 biznese kishin kaluar në status pasiv.

Në shkurt të 2016-s, numri i tyre thuajse u dyfishua, ku sipas të dhënave të Tatimeve ishin 541 biznese të kaluara në listën e pasiveve. Në shkurtin e një viti më parë, subjektet ishin 738, ndërsa këtë shkurt bizneset që kaluan në pasiv ishin 1,088. Në rritjen e numrit në shkurt ka ndikuar dhe tendenca e subjekteve për t’u çregjistruar dhe regjistruar sërish me emër tjetër, në mënyrë që t’i shmangen TVSH-së që hyn në fuqi nga 1 prilli.

 

Bizneset më të brishta ndaj krizës

Elton Sula tregon se e mbylli përkohësisht lokalin e tij, në një prej lagjeve të Tiranës, për shkak se nuk kishte më punë. Ai shpreson që të ketë mundësinë që ta rihapë biznesin në një moment të dytë. Ashtu sikurse Eltoni, edhe Gjovalin Sokoli nga Shkodra, dha të njëjtën arsye për mbylljen e aktivitetit. Me xhiron që kishte lokali ai tha se nuk mund të përballonte qiranë tepër të lartë.

Edhe Alisa Dervishi tentoi të provonte që të punonte me një bar-kafe në Tiranë, por më 26 shkurt ajo bëri kërkesën për pezullim aktiviteti.
“Lokali nuk arrinte të mbyllte shpenzimet e veta, qiratë dhe taksat dhe pas tre muajsh e mbylla”, – tha Alisa e pyetur mbi arsyet e pezullimit.

Edhe pse e hapi lokalin pa e regjistruar si biznes më parë në QKR, shumë shpejt Afërdita Gropa u pikas nga inspektorët e Tatimeve. Punën e nisi në tetor të vitit që lamë pas, por që nuk do të zgjaste shumë. Në mesin e muajit shkurt, ajo do të bënte kërkesë për të pezulluar aktivitetin. Afërdita kryefamiljare, aktualisht është e papunë.

Për Besmir Çokaj dhe Aurel Jacaj, problemi mesa duket është i njëjtë. Njëkohësisht me pikën e basteve, Çokaj dhe Jacaj kishin hapur një NIPT të veçantë për bar-kafenë që funksiononte së bashku me pikën e basteve. Në gjysmën e dytë të muajit shkurt, të dy do të bënin kërkesë për të pezulluar aktivitetin.

Besimi tregon se tani operon vetëm me pikën e basteve, pasi për barin nuk ka më punë. Në rrugën ku ai ka aktivitetin operojnë shumë bar-kafe të tjera dhe shton se lokalet që janë edhe pikë bastesh në përgjithësi nuk frekuentohen prej klientëve familjarë. Ndërsa Jacaj u shpreh se është e pamundur që të dy aktivitetet të funksionojnë njëkohësisht, prandaj edhe vendosi që të kërkonte pezullimin e aktivitetit.
Pezullim të aktivitetit të bar-kafesë për shkak të rënies së punës dhanë si arsye edhe Leze Pepaj, Ermal Mustafa, Marinela Memaj, Mario Rucaj, Afrim Ulqinaku, etj., të cilët u shprehën se e mbyllën aktivitetin pasi nuk u leverdiste.

Përpos bar-kafeve, edhe dyqanet e tregtisë me pakicë vijojnë që të vuajnë problemet e strukturimit të ekonomisë. Engjëllush Hoxhalli prej tre vitesh kishte hapur një dyqan të shitjeve të frutave- perimeve dhe sillte prodhimet e tij nga Korça. Në mesin e muajit shkurt do të mbyllte aktivitetin.
“Nuk ecte më puna. Kisha tre vjet që kisha hapur një dyqan në Tiranë dhe sillja prodhimet e mia nga Korça, mirëpo nuk pati më leverdi, qiraja ishte shumë e lartë dhe kostot e transportit nuk i mbuloja dot”,- tha ai për “Monitor”.
Flutura Muço e kishte dyqanin e rrobave në fillim të rrugës Myslym Shyri. Mirëpo dyqani nuk i eci dhe zyrtarisht prej datës 20 shkurt ajo është e papunë.

Dyqani ku tregtonte produkte kozmetike nuk i eci as Elsona Tollumit nga Elbasani e cila, edhe pse ishte ende studente vendosi që të merrte një kredi në bankës për të hapur një biznes të vogël për të ndihmuar familjen. Ajo tha se dyqani nuk nxirrte para as për të paguar kasën. Që në muajin e parë kur kishte nisur aktivitetin kishin filluar detyrimet dhe ishte gjendur përballë vështirësive financiare. Kështu e kishte parë të udhës që të bënte kërkesë për ta pezulluar si aktivitet. Tani ajo vazhdonte studimet, megjithatë çdo muaj duhet të paguante kredinë që mori për të hapur biznesin që fatkeqësisht nuk i eci kurrë.

Mirëpo krizën dhe rënien e fuqisë blerëse po e ndiejnë edhe bizneset e shërbimit, si parukeritë. Arjana Kurti nga Elbasani tregon se parukerinë e mbylli pasi puna i kishte rënë, nuk përballonte dot qiranë e dyqanit, dhe se konkurrenca nga parukeritë e palicencuara që nuk paguanin taksa ishte shtuar ndjeshëm. Për mbyllje të parukerive aplikuan edhe Elvira Hasa nga Tirana, Elvedina Anadolli dhe berberi Indrit Leka. Ky i fundit dha si arsye kryesore qiranë shumë të lartë të dyqanit, prej së cilës nuk i leverdiste më që ta mbante hapur.

Bar kafetë, restorantet dhe dyqanet e tregtisë me pakicë duket se janë më të goditurat prej rënies së fuqisë blerës, por edhe konkurrencës së shtuar. Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri, numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante). Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar kafe për 152 banorë.

Sipas të dhënave nga sondazhi, 80% e bizneseve të telefonuara nga “Monitor” operonin në këtë fushë. 43% e subjekteve të anketuara operonin si bar-kafe apo restorante, 37% e tyre operonin në fushën e tregtisë me pakicë, dyqane të rrobave, ushqimore ose të tregtisë së frutave perimeve. 5% e tyre ishin parukeritë, ndërsa 15% operonin në fusha të ndryshme.

Emigrimi po shndërrohet në fenomen masiv

Genti Hamzaraj tregon se si fenomeni i emigrimit çoi drejt falimentimit furrën e bukës që e kishte hapur që në prill të vitit 2011. Ai tashmë kishte shitur të gjitha pajisjet dhe duket se biznesi i tij nuk ka më hapësirë për t’u rimëkëmbur. Arsyeja kryesore që e kishte çuar drejt falimentimit ishte emigrimi i punëtorëve. Ai tha për “Monitor” se nuk po gjente më staf, ndërsa shtoi se konsumi i bukës kishte rënë gjithashtu. Ai tregoi se puna kishte rënë prej dy vitesh. Familjet, – tha ai, – janë tkurrur për shkak të emigrimit, tashmë madhësia mesatare e familjeve në Vlorë është 2-3 pjesëtarë, ndërsa dikur ishin me 5 anëtarë.

Imirjan Shahu nga Fieri, më 22 shkurt e ka pezulluar aktivitetin e tij, por tashmë ai ishte në Gjermani dhe “Monitor” nuk mundi të kontaktonte personalisht. Pas telefonit u përgjigj i ati, i cili na tregoi se Imirjani kishte shkuar të punonte si mekanik automjetesh (të njëjtën punë që bënte edhe këtu) në Gjermani. Brenda këtyre ditëve do të marrë edhe përgjigjen përfundimtare nga autoritetet gjermane, tha i ati o Imirjanit i entuziazmuar që i biri më në fund do të sistemohej sipas rregullave në shtetin gjerman.

Edhe për Romeo Ballën nga Elbasani u përgjigj i ati. Romeo ishte rritur në Greqi, mirëpo me dëshirën për ta pasur të birin afër e kishte bindur që të kthehej edhe të punonte në vend. Këtu Romeo ishte përballur me konkurrencën e egër dhe kishte vendosur sërish që të kthehej në Greqi, tha i ati kur u pyet për arsyet se pse kishte kaluar biznesi në listën e subjekteve pasive.
Të shumtë ishin ata që pasi kishin kaluar subjektet në status pasiv po bëheshin gati për të shkuar dhe për të punuar sezonalisht (3 muaj në vendet e Bashkimit Europian). Mimoza Gjoni, në datë 23 shkurt mbylli lokalin që hapi dhe po përgatitet që të shkojë të punojë 2 muaj në Gjermani dhe Zvicër përkohësisht.

Për punë sezonale do të shpërngulet përkohësisht drejt Greqisë edhe Ëngjëllush Hoxhalli. Sapo të vijë prilli, – tregon ai, – do të shkoj të punoj në Greqi, kam familjen për të mbajtur dhe fëmijët për të rritur.
20% e bizneseve, që dhanë si arsye krizën apo rënien e fuqisë blerëse, raportuan se do të lëviznin jashtë në muajt e ardhshëm, ose tashmë kishin emigruar.

Hendeku ndërmjet daljeve dhe hyrjeve të shtetasve shqiptarë në pikat kufitare në tre vitet e fundit tregon se vendi është përfshirë në një cikël të ri masiv emigracioni, kryesisht të punonjësve të kualifikuar. Efektet e emigracionit kanë filluar që të ndihen në ekonomi, ndërsa ekspertët kanë ngritur vazhdimisht alarmin për rreziqet që paraqet kjo lëvizje masive e shtetasve, që duhet thënë se po ndodh kryesisht te moshat e reja.
Por, të vendosur përballë mungesave të alternativave në vend, shumë të rinj, dikur me biznes, kanë gjetur rrugën e emigracionit. Sikurse biznesi, rruga drejt emigracionit nuk merret nga kushdo, prandaj dhe nuk është çudi që individë me shpirtin e sipërmarrjes ndërmarrin nismën për të filluar një jetë të re larg Shqipërisë.

 

Edhe sëmundjet, një faktor që mbyllin bizneset

Bujar Lika, në të pesëdhjetat, është një prej të anketuarve që tregoi se problemet shëndetësore ishin ato që e çuan drejt mbylljes së aktivitetit. Zoti Lika kishte një dyqan me qira ku tregtonte mobilie në Rrugën Bardhyl. Atij iu desh që të bënte një ndërhyrje në këmbë në prillin e kaluar, dhe për këtë arsye vendosi që të pezullonte aktivitetin. Edhe për Hazbien Peka, sëmundja e bashkëshortit u bë shkak për të mbyllur lokalin që kishte në Kamëz.

Kur u pyet mbi arsyet e mbylljes së aktivitetit, ajo tha për “Monitor” se e kishte të pamundur që t’i ndiqte njëkohësisht. Mbase, në varësi të përmirësimit të të shoqit, mund ta hapte sërish aktivitetin, por do t’i duhej të gjente një vend të ri.

Sëmundja u bë shkak që Flora Marku nga Durrësi të mbyllte aktivitetin, prandaj më 19 shkurt ajo vendosi që të kalonte në status pasiv.
Edhe një tjetër e anketuar nga qyteti i Fierit tha se shumë shpejt do të niste trajtimin me kimioterapi dhe për këtë vendosi që ta mbyllë biznesin.
Rreth 33% e bizneseve dhanë arsye të tjera për mbylljen e aktivitetit të tyre, por 27% e tyre (apo 9% e totalit të të anketuarve) dhanë si shkak të mbylljes së aktivitetit, problemet shëndetësore. Ky raport është më i lartë krahasuar edhe me sondazhet e mëparshme që ka kryer Qendra e Kërkimeve Monitor.

 

Po hyn në krizë vetëpunësimi

Ekonomia shqiptare dominohet nga sipërmarrjet e vogla, ndërsa shqiptarët kanë parë si alternativë punësimi, vetëpunësimin.
Por, vetëpunësimi në Shqipëri duket se ka filluar të tkurret, duke reflektuar konsumin e dobët dhe riorganizimin e tregtisë me pakicë drejt supermarketeve e qendrave tregtare. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, në anketën strukturore 2016, vetëpunësimi në Shqipëri krahasuar me një vit më parë është tkurrur me 13%, apo gati 16 mijë persona në total, që kanë mbetur të papunë.

Nga të dhënat e përllogaritura nga “Monitor”, vetëpunësimi në sektorin e tregtisë u tkurr me 16%. Në këtë sektor rreth kishte 8,900 të vetëpunësuar më pak se një vit më parë. Në total, i gjithë grupi i prodhuesve të shërbimeve numëronte mbi 13 mijë më pak të vetëpunësuar. Rënie të vetëpunësimit ka pasur edhe tek ofruesit e shërbimeve, me rreth 2,200 më pak të punësuar.

 

Tatimet vigjilente

Astriti, për më shumë se një dekadë, ka një dyqan të vogël ku tregton fruta dhe perime me pakicë. Për më shumë se dhjetë vite, dita e tij nis herët, pa u gdhirë akoma, kur ai niset për të bërë furnizimet për dyqanin në pikën e grumbullit të Tiranës. Astriti (emër i ndryshuar), tregon për Monitor se fitimet e tij nuk janë më si në fillim kur hapi dyqanin. “Gjërat sa vijnë dhe bëhen më të vështira”, tregon ai, ndërsa sistemon arkat me perime.

Kur në media doli lajmi se edhe biznesi i tij do të përfshihej në TVSH, Astriti mendoi se nuk do të mbijetonte në treg në rast se do t’i shtohej edhe një faturë tjetër për të paguar, çdo muaj, ose qoftë edhe një herë në tre muaj. Xhiron vjetore prej 2 milionë lekësh e kalonte sipas përllogaritjeve që i kishte bërë ekonomistja, kështu që vendosi që të kalonte NIPT-in ekzistues të biznesit në tij në status pasiv dhe të hapte një të ri në emrin e bashkëshortes. Shumë shpejt, kjo lëvizje e Astriti, do të binte në sy të inspektorëve tatimorë. Kalimi i NIPT-it në status pasiv, jo vetëm që nuk e shpëtoi Astritin prej përfshirjes në skemën e TVSH-së, por tani iu shtuan edhe 300 euro për kasën e re fiskale, që duhet të marrë për NIPT-in e ri që hapi në emër të gruas.

Edhe Sh. nga Durrësi vazhdon të operojë megjithëse ka kaluar subjektin në status pasiv. Ajo na tregoi në kushtet e anonimatit se nuk mund të përballonte që të mbante hapur me letra biznesin. Kështu kishte vendosur ta kalonte në pasiv aktivitetin.
Fenomeni duket se ka filluar të bëhet masiv dhe duket se ka rënë në sy të Tatimeve, që vetëm pak ditë më parë njoftuan në faqen e tyre zyrtare se do të ndërmarrin masa administrative ndaj fenomenit të çregjistrimit apo të pezullimit fiktiv të biznesit.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, është konstatuar shtimi i numrit të aplikimeve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për çregjistrim apo pezullim të aktivitetit, nga tatimpagues që janë penalizuar për shkelje të ndryshme nga administrata tatimore, që kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore si dhe tatimpagues të cilët, për herë të parë, hyjnë në skemën e TVSH-së dhe regjistrime të menjëhershme në po të njëjtën njësi nga persona të lidhur me tatimpaguesit që e zotëronin më parë këtë aktivitet.

Nëse pas verifikimit në vend, rezulton e provuar se tatimpaguesi që ushtron aktivitet në atë ambient, ka lidhje familjare me tatimpaguesin, i cili ka aplikuar për mbyllje/pezullim aktiviteti pas ndryshimit të përgjegjësisë tatimore apo konsumimit të kundërvajtjes administrative, nga Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse, sipas rastit do t’i komunikohet tatimpaguesit ndërmarrja e hapave administrative të mëposhtëm:

Ndryshimi i përgjegjësisë tatimore, duke e ngarkuar atë me të njëjtat përgjegjësi tatimore që ka pasur tatimpaguesi/personi i lidhur para aplikimit për mbyllje aktiviteti, pavarësisht xhiros së pritshme të deklaruar nga ana e tij.

Kërkesa nga ana e Administratës Tatimore kundrejt tatimpaguesit për të shlyer detyrimet tatimore, si dhe aplikimi i masave shtrënguese për vjeljen e detyrimeve të papaguara të tatimpaguesit/person i lidhur, i cili ka ushtruar të njëjtin aktivitet në të njëjtin ambient dhe që aktualisht ka aplikuar për mbyllje/pezullim aktiviteti.

Tatimpaguesit e përfshirë në listën e tatimpaguesve për regjistrim në TVSH më 1 Prill, do të regjistrohen për TVSH-në edhe nëse kanë kaluar me status pasiv gjatë periudhës 1 Janar – 31 Mars 2018.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz