TAP i angazhuar të zgjerojë tubacionet, në bisedime për financimin

09/02/2018 3:42 PM 0 komente

Konsorciumi për ndërtimin e tubacionit Trans Adriatik (TAP) është i angazhuar të zgjerojë tubacionin duke ndërtuar kompresorë, tha Walter Peeraer, CEO i TAP.

“Ne jemi të përkushtuar që të zgjerojmë tubacionin duke ndërtuar kompresorë, që do të jetë një proces i hapur, i cili do t’i nënshtrohet miratimit të përbashkët të rregullatorëve të energjisë nga tre shtete”, tha ai, për gazin natyror, shkruan media azere  Trend Az.

Sa i përket financimit të projektit, Peeraer deklaroi se konsorciumi TAP është në bisedime me një sërë bankash dhe agjencish të eksportit të kredive, për të mbuluar financimin e projektit.

Drejtori i TAP-it vuri në dukje se ky tubacion do të zhvendoste shumë qymyr dhe do të ndihmonte Evropën të dekarbonizohet.

“Gazi është relativisht i lirë në krahasim me lëndët e tjera djegëse dhe është më e lehtë të ndërtohet rrjeti i gazit, sesa ndërtimi i rrjeteve të energjisë.”- shtoi ai.

TAP, me vlerë 4.5 miliardë euro, është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, i cili është një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Europian. Projekti parashikon transportin e gazit nga Shah Deniz, Faza e Azerbajxhanit, në vendet e BE-së.

Tubacioni do të lidhet me Gazsjellësin anadollian TANAP, në kufirin turko-grek, më pas do të drejtohet përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, para se të vijë në breg, në jug të Italisë.

TAP do të jetë 878 kilometra në gjatësi (nga ku 550 kilometra i ka Greqia, Shqipëria 215 kilometra, deti Adriatik 105 kilometra dhe Italia 8 kilometra).

Aksionerët e TAP janë të përbërë nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of