Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 18.3 miliard LEK për periudhën janar-gusht, ose -5.9 përqind më pak se periudha e një viti më parë dhe me realizim të planit për vitin 2014 në masën 98.23 përqind. Sipas Ministrisë së Financave. Ky zë për periudhën 8 mujore 2014 ka pasur nje minus prej vetëm 0.33 miliard LEK. Ecuria e kësaj takse bazohet në faktin se në këtë zë përfshihen disa taksa, ku më e rëndësishmja dhe më me peshë në totalin e kësaj takse është tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi.
Nga 1 Janar 2014, tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi u ul për rreth 97% të totalit të të punësurave në të gjithë vendin, politikë kjo e cila solli një kosto negative në të ardhurat nga kjo takse, të vlerësuara me minus 1.5 miliard LEK (tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi).
Financat theksojnë se përgjatë 8 muajve të parë të vitit 2014 vërehet se pavarësisht nga negativiteti në të ardhura i kësaj takse, të gjithë zërat e tjerë të tatimit mbi të ardhurat personale kanë pasur një trend rritës në krahasim me 7 mujorin 2013, të tila si: tatimi mbi dividentin dhe aksionet është rritur me 20%; të ardhurat nga tatimet në burim janë rritur me 14%; të ardhurat nga shitja e pasurisë së paluajtshme janë rritur me 74%, ndërsa tatimi mbi interesat është ulur me rreth 17% në krahasim me të dhënat e vitit të kaluar, si rezultat kjo edhe i rënies së normave të interesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.