Ndërsa janë tërhequr nga kreditimi i ekonomisë, bankat po vijojnë t’ i kanalizojnë kursimet e depozituesve në dy drejtime: letrat me vlerë të qeverisë dhe vendosjet në bankat e tjera.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, zëri “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare”, u rrit me 4% në 184 miliardë lekë, në qershor 2014, në krahasim me dhjetorin 2013.
Të dhënat më të detajuara nga Shoqata e Bankave bëjnë të ditur se banka që ka mbajtur peshën kryesore në vendosjen e parave jashtë vendit, me norma interesi që vetë bankierët i kanë quajtur ndëshkuese është BKT, që e ka rritur këtë zë me 11.3 miliardë lekë, apo 35%.
Interesa San Paolo dhe Tirana Bank janë dy banka të tjera që kanë pasur sjellje të ngjashme me BKT-në, por me ritme më ët ulëta (përkatësisht 3.5 dhe 1.1 miliardë lekë).
Raiffeisen bank, ndryshe nga dy vitet e fundit, kur i kalonte paratë e lira jashtë e ka ulur këtë zë me 6 miliardë lekë, apo 10.5%.
Edhe për bankat e tjera ndryshimi ka qenë negativ.
Bankat kanë qenë disi më aktive dhe në pjesëmarrjen në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë. Zëri i “Bono thesari dhe bono të tjera të pranueshme për rifinancim nga BQ” u rrit me rreth 8% në fund të qershorit 2014 në raport me dhjetorin e vitit te kaluar, në 105.1 miliardë lekë. Zëri “Veprime me letrat me vlerë” u zgjerua me 3.6% për të njëjtën periudhë, në 313 miliardë lekë, sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë.
Credins ka mbajtur peshën kryesore në blerjen e borxhit të qeverisë, duke i rritur vendosjet në letrat me vlerë me 5.3 miliardë lekë, apo rreth 80%.
BKT, Intesa, Tirana Bank, Societe Generale kanë qenë “shpëtimtaret” e tjera të qeverisë, duke vlerësuar alternativën e blerjeve të bonove të thesarit apo obligacioneve si më të mirën për momentin, për investimin e parave të tyre të lira.