Tregtia e pasurive kulturore, si do rregullohet me ligjin e ri për trashëgiminë

18/06/2018 11:05 AM 0 komente

Në ditët në vijim pritet që të hyrë në fuqi nga një ligjet më të diskutuara lidhur me trashëgiminë kulturore dhe muzetë. I publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare ligji gjithëpërfshirës me të paktën 279 nene përcakton në detaj gjithçka duke nisur nga ruajtja, mbrojtja, vlerësimi dhe administrimi i trashëgimisë kulturore kombëtare, trashëgimisë kulturore muzeore, peizazhit, përfaqësimit material dhe të dukshëm të identitetit kombëtar si dhe nxitjen e zhvillimit kulturor. Mes të tjerave ligji përcakton edhe mënyrën sesi do të bëhet tregimi i pasurive kulturore, një aktivitet ky që funksionon në bazë të licencave.

Konkretisht sipas nenit 116 të ligjit thuhet se “veprimtaria tregtare e pasurive kulturore ushtrohet nga subjektet tregtare të licencuara në përputhje me legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet. Licencimi i subjekteve tregtare që kryejnë veprimtari tregtare të pasurisë kulturore rregullohet në përputhje me dispozitat e këtij ligj dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Licencimi i subjekteve që kanë si aktivitet tregtimin e pasurive kulturore bëhet nga ana e ministrit që është përgjegjës për trashëgiminë kulturore, në këtë rast Ministria e Kulturës.

Të gjithë subjektet tregtare, që ushtrojnë tregtinë e pasurive kulturore sipas ligjit kanë detyrimin e mbajtjes së një regjistri ku shënojnë origjinën e secilit artikull të pasurisë kulturore, emrat dhe adresat e firmës furnizuese, përshkrimin dhe çmimin e secilit artikull të shitur.

Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore do të mbajë edhe informacionin mbi shitjet e  pasurive kulturore në një regjistër qendror ndërkohe që subjektet e licencuara tregtare duhet që të rifreskojnë të dhënat një herë në 6 muaj.

Sakaq në rastet e shitjes së pasurive kulturore subjektet tregtare duhet të pajisin blerësin me certifikatën e origjinalitetit dhe gjithë dokumentacionin tjetër që vërteton prejardhjen e veprës. Po kështu blerësi duhet të informohet që edhe pse zotëron pasurinë e blerë nuk mund ta nxjerrë atë jashtë Shqipërisë pa ndjekur procedurat e tjera të autorizimit që parashikon ligji.

Në vijim të miratimit të ligjit Ministria përgjegjëse duhet të nxjerrë aktet nënligjore shumica e të cilave priten në 12 muajt e ardhshme. Të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitetin në tregtimin e pasurive kulturore do të duhet që të kalojnë në një proces vetëdeklarimi dhe regjistrimi për regjistrin qëndror.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of